Këto kohë, pak kush mund të debatojë se Moska po përpiqet të fusë hundët pak a shumë kudo, shkruan Mark galeoti në një koment të botuar në revistën Foreign Policy. Sipas tij, “Paradoksi i Putinit”, konsiston në talentin brilant të presidentit rus dhe instiktet e tij taktike për të rrokur një shans, por, në të njëjtën kohë, rezultatet strategjike të tyre janë përgjithësisht fatkeqë.
Sipas Galeotit, shtatë muaj më vonë, saga e futjes së hundëve të Rusisë në zgjedhjet e brendshme në SHBA, ka nisur ta ilustrojë më së miri, të ashtuquajturin paradoks të Putinit.
Dhe askush nuk mund ta kundërshtojë që Moska vërtetë po i fut hundët. Pavarësisht dyshimeve të Donald Trampit, i gjithë komuniteti amerikan i shërbimeve të zbulimit ka fajësuar Rusinë për vjedhjen e emaileve të fushatës së Klintonit. Po kështu, mediat ruse të kontrolluara nga shteti, si Russia Today apo agjencia Sputnik, vazhdimisht ndjekin një linjë të fortë antiKLinton në artikujt që botojnë. Ka edhe shqetësime, ende të paprovuara, se rusët mund të ndërhyjnë për të manipuluar sistemet e votimit elektronik ditën e zgjedhjeve.
Por – shpjegon më tej në komentin e tij Galeoti – ashtu si ndodhi me aneksimin e Krimesë, aventurën në Donbas dhe ndërhyrjen në Siri, arritjet e sotme të Rusisë, me gjasë do të shndërrohen në dështimet e të nesërmes. Rusët që shprehën haptaz kënaqësinë për arritjet ehacker-ëve të tyre, sot kanë nisur të shprehin shqetësime për kundërpërgjigje të mundshme nga SHBA, dhe më e rëndësishmja, pasojat që këto do të kenë në marrëdhëniet ruso-amerikane. Madje, Galeoti përmend edhe një zyrtar të lartë rus që ka thënë: “Le të mësohemi me sanksionet, deri kur të shkojmë në varr”.
Sipas kësaj analize, Oportunisti Putini është një politikan, i cili konsumohet prej momentit. Ai fokusohet në atë që mund të arrijë nesër, pa menduar se cilat do të jenë pasojat pasnesër. Ai e ka kollaj të supozojë se do të ketë kontrollin e asaj që ka nisur…
Kur Kremlini vendosi për të ndërhyrë në rajonin e Donbasit në Ukrainë, armatosi vendasit e pakënaqur dhe dërgoi njerëz dhe armë për t’i mbështetur, ajo u duk si një taktikë mendjemprehtë. U mendua në atë kohë, se Kievi do të shtrëngohej të kapitullonte. Dy vjet më vonë, Rusia është ende e zhytur në një konflikt të egër, duke paguar pseudo-shtete banditë të Donetskut dhe Luhanskut, nga një buxhet që sa vjen e tkurret.
Në një farë mënyre, sipas analizës së Galeotit, “urra”-ja e Putinit në politikën amerikane ndjek të njëjtën trajektore. Petendimi i Putinit se i ka duart e pastra është i pabesueshëm; kaosi ka marrë formë, dhe tani ka nisur të kërcënojë njeriun që e krijoi. / www.bota.al