BotaMAIN

Strategu amerikan Elbridge Colby: Pse Kina është më e rrezikshme se Rusia

Nga Freddie Sayers

“UnHerd”

Që nga shkrimi i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes për presidentit Donald Trump në vitin 2018, Elbridge Colby është bërë një nga mendimtarët konservatorë më me ndikim në SHBA në lidhje me çështjet e mbrojtjes. Nëse një republikan fiton presidencën në vitin 2024 – qoftë Trump apo DeSantis – ai ka të ngjarë të jetë sërish në qendër të pushtetit. Gjatë bisedës tonë ai foli për një fokus krejtësisht të ndryshëm për ushtrinë amerikane: larg Ukrainës dhe drejt një konflikti me Kinën që ai beson se mund të ndodhë brenda vitit 2027.

Ju nuk jeni as plotësisht një izolacionist por as një mbështetës i një angazhimi maksimal të SHBA nëpër botë. Cili është vizioni juaj për strategjinë amerikane?

Perspektiva ime është se ekuilibri i duhur për Amerikën, por sigurisht edhe i një lëvizje politike të së djathtës së qendrës, është të pyesësh se çfarë është në interesin konkret të popullit amerikan. Nëse shihni shumicën e votuesve të Partisë Republikane, ata përbëhet nga amerikanë të klasës punëtore dhe të mesme. Unë nuk mendoj se politika jonë e jashtme u ka shërbyer atyre. Ne kemi pasur një politikë të jashtme maksimaliste që ka pasur pasoja katastrofike. Amerikanët janë realisht të lodhur nga “luftërat e përjetshme”.

Dhe çfarë është në interesin e tyre? Le ta fillojmë duke pyetur nëse Amerika është shumë e përkushtuar në mbrojtjen e Ukrainës…

Fokusi ynë kryesor duhet të jetë Kina. Ajo është shumë më e frikshme ekonomikisht, por tani po bëhet e tillë edhe ushtarakisht. Këtë e kam theksuar edhe në strategjinë kombëtare të mbrojtjes që hartova 5 vite më parë. Aktualisht ne jemi shumë të përqendruar tek Ukraina.

Unë nuk jam për ndërprerjen e ndihmës ndaj ukrainasve. Mendoj se ajo që bëri dhe po bën Rusia është shumë e keqe. Por nëse politika jonë e jashtme ka të bëjë me interesat konkrete të amerikanëve, atëherë ne po bëjmë më shumë se duhet atje. Kemi shpenzuar deri tani mbi 100 miliardë dollarë.

Kemi dërguar pajisje ushtarake që nuk janë lehtësisht të zëvendësueshme, të cilat janë të rëndësishme për luftën e mundshme mbi Tajvanin. Ndaj pasojat e kësaj qasje mbi industrinë tonë të mbrojtjes janë shumë domethënëse. Kjo gjë mund të duket si e paqartë, por nuk është ashtu. Mbretëritë janë shkatërruar edhe vetëm për mungesën e këpucëve nga ushtarët. Unë pyes: Pse po rrezikojmë sfidën më të rëndësishme për pozicionin e SHBA-së në botë dhe interesin tonë për botën në 150 vitet e fundit?

Nëse do të ishit sot këshilltari kryesor i presidentit Biden, çfarë do t’i këshillonit të bënte?

Unë do t’i këshilloja: “Duhet të përqendrohemi fillimisht mbi Tajvanin, Kinën dhe Azinë, dhe pasi ta rregullojmë këtë problem në një shkallë të kënaqshme, do të shpenzojmë kohë dhe kapital politik dhe burime në Ukrainë”. Gjykoj se duhet të ushtrojmë shumë më tepër presion dhe inkurajim ndaj Evropës që ajo të marrë rolin kryesor në ndihmën ndaj Ukrainës.

Pse Shtetet e Bashkuara po ofrojnë pjesën të madhe të mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën? Kjo nuk ka kuptim. Evropa është një zonë ekonomike shumë më e madhe se Rusia. Ajo ka avantazhe të mëdha ushtarake përballë Rusisë.

Por vendet evropiane e kanë rritur angazhimin muajt e fundit. Kështu Gjermania ka hequr dorë nga pozicioni i saj neutral i pasluftës…

Me vjen keq ta them se kjo nuk është e vërtetë. Gjermanët e shpërbënë ushtrinë e tyre, jo si rezultat i Luftës së Dytë Botërore, por i fundit të historisë dhe dividentit të paqes. Ata kishin një ushtri shumë të madhe dhe mbresëlënëse kur Republika Federale kërkonte të mbrohej kundër sovjetikëve dhe Bllokut Lindor.

Kjo ka qenë një çështje politike, sidomos në kohën e ish-kancelares Merkel. Pyetja është: A mund ta rindërtojë Gjermania ushtrinë e saj? Në fakt nuk ka ndonjë shpresë për këtë. Dhe këtë vit buxheti i saj ushtarak do të jetë sërish poshtë pragut 2 për qind të PBB-së. Vendi që meriton duartrokitje në këtë aspekt është Polonia, e cila ka angazhuar gati 5 për qind të PBB.

Po Britania e Madhe?

E vlerësoj shumë ambicien e saj. Nën drejtimin e Boris Johnson, ajo u angazhua të shpenzojë 3 për qind të PBB për mbrojtjen. Por mendoj se kjo shifër ka rënë tani. Mendoj se Britania është më e angazhuar në Evropë, pikërisht sepse ne amerikanët duhet të zhvendosemi në Azi.

Por Britania e Madhe ka aftësi shumë të kufizuara për të projektuar fuqi serioze ushtarake. Nëse Kina merr nën kontroll Azinë, në një situatë hegjemonike që mendoj se është qëllimi i saj, interesat tona do të dëmtohen shumë më tepër sepse Azia është një zonë ekonomike shumë më e madhe se Evropa.

Kina është një fuqi shumë më e madhe dhe më e frikshme se Rusia. Pra, pyetja është, kush do të përballojë koston? Nëse Evropa justifikohet duke thënë “Ne s’mund ta bëjmë, pasi do të na marrë shumë kohë”, atëherë duhet që të përballojë pasojat e këtij vendimi dhe kësaj paaftësie.

A do të thotë kjo se ka vdekur përpjekja për të mbajtur prapa linjën e frontit rus në Ukrainë apo edhe për ta shtyrë atë më në lindje?

Natyrisht, gjërat mund të arrihen në të njëjtën kohë. Problemi është se në nivelin politik, ne amerikanët duhet të sigurohemi që të ndahet gjithçka që nevojitet për një luftë të mundshme mbi Tajvanin, pra burimet të shkojnë atje. Ne i dhamë Ukrainës një grup tankesh Abrams. Është shumë e vështirë të imagjinohet që këto tanke të jenë të dobishëm në një luftë me Kinën.

Edhe avionët tanë F16 dhe F35 do të hasnin probleme përballë kinezëve. Ndaj unë nuk e kuptoj pse ne nuk po u dërgojmë ukrainasve avionët F16. Por edhe rusët po hasin shumë probleme. Kjo e sotmja nuk është Ushtria e Kuqe e vitit 1945. Ju evropianët nuk duhet të pranoni asnjë triumf të saj mbi ukrainasit. Ju jeni një zonë e madhe ekonomike. Problemi është se Evropa nuk po ndryshon qasje.

Traktati i NATO-s thotë se “një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”. Nëse Rusia pushton Poloninë ose Lituaninë, ky akt duhet të trajtohet nga Amerika si një sulm ndaj vetë saj, dhe për këtë arsye do të kërkojë të gjitha aftësitë e saj mbrojtëse….

Në fakt traktati nuk thotë këtë. Dhe ne nuk do ta trajtonim një sulm ndaj një aleati evropian në të njëjtën mënyrë si një sulm ndaj vetë Shteteve të Bashkuara. E gjithë strategjia e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë ishte qartazi për të mos e bërë këtë. Natyrisht niveli retorik është tjetër nga ai praktik.

E mira është që rusët nuk janë mjaftueshëm kërcënues për ta ndërmarrë këtë veprim. Ata nuk mund ta kërcënojnë NATO-n evropiane, duke pasur parasysh ngërçet që kanë pasur në Ukrainë, të paktën prej disa muajsh. Problemi ndryshon me Kinën, që është në një farë kuptimi, Bashkimi i ri Sovjetik.

Çfarë ju bën kaq të sigurt se Kina po planifikon në të vërtetë një lloj sulmi ndaj Tajvanit?

Nuk mendoj se ka shumë vend për debat. Udhëheqësi i qeverisë më të bashkuar kineze që nga koha e Maos, i ka dhënë në mënyrë eksplicite udhëzime ushtrisë që të jetë gati për të sulmuar Tajvanin brenda vitit 2027. Dhe kinezët supozojnë se amerikanët do të vinin në mbrojtje të Tajvanit.

Kjo do të thoshte një luftë Kinë-SHBA. Dhe kjo nuk është vetëm një retorikë. Shihni ushtrinë që po ndërtojnë. Ajo është projektuar për të përballuar jo vetëm Tajvanin, por Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Kinezët po ndërtojnë një ushtri globale që duket si ushtria amerikane: aeroplanmbajtëse, satelitë hapësinorë, nëndetëse me energji bërthamore.

Por Kina është në fakt një shtet shumë i kujdesshëm. Pse do të rrezikonte ta fuste të gjithë botën në luftë?

Nuk e di se si kinezët e kanë fituara një reputacion të tillë. Ata e fituan Luftën Civile me mjetet më brutale të mundshme. Pastaj pushtuan Tibetin, ishullin Haina, ndërhynë drejtpërdrejt në Luftën Koreane dhe sulmuan drejtpërdrejt Vietnamin në 1979. Pse do ta bënin tani?

Mendoj se kanë nevojë. Xi Jinping po thotë se SHBA po përpiqen të asfiksojnë Kinën. Ju e shihni se çfarë po bën ai me Vladimir Putinin dhe Rusinë. Ata na konsiderojnë si një kërcënim gati ekzistencial, që gjë është shumë e rrezikshme.

Marrë me shkurtime

Back to top button