Shendeti

Studimi: Çaji, mollët dhe manaferrat mund të parandalojnë humbjen e kujtesës për shkak të plakjes

Njerëzit që ndjekin një dietë ushqimore të pasur me flavanole, të cilat gjenden tek çajrat, mollët dhe manaferrat, mund të kenë më pak gjasa të preken nga humbja e kujtesës e lidhur me plakjen.

Në këtë përfundim ka arritur një hulumtim.

Studimi 3-vjeçar me 3.562 njerëz të moshës rreth 71 vjeç, zbuloi se ata që kishin një konsum të lartë e të rregullt të flavanolit, kishin edhe një funksionim më të mirë të kujtesës hipokampale, e cila përfshin krijimin e kujtesës afatshkurtër, sesa ata që nuk kishin një konsum të tillë.

Studimi, i botuar në revistën amerikane “Proceedings of the National Academy of Sciences”, sugjeroi se konsumimi i një suplementi prej 500 mg flavanolesh çdo ditë, mund të ndryshojë efektin negativ në funksionin e kujtesës tek njerëzit e moshuar. Gjithsesi studiuesit theksuan se suplementet e flavanolit, nuk kanë asnjë efekt te njerëzit që nuk kanë mungesë flavanoli.

Shumica e të moshuarve në Britaninë e Madhe, konsumojnë tashmë sasi të larta të flavanoleve përmes çajit, mollëve dhe manaferrave. Shkencëtari Skot Smoll, profesor i neurologjisë në Universitetin e Kolumbias, tha se gjetjet e studimit ishin pjesë e një grupi kërkimesh në rritje, që “po fillojnë të zbulojnë se për të forcuar mendjet tona të plakura, nevojiten lëndë ushqyese të ndryshme”.

Shkencëtarët i caktuan rastësisht të rriturve të shëndetshëm që të merrnin çdo ditë ose një suplement flavanol prej 500 mg ose një pilulë placebo për 3 vjet me radhë. Gjatë periudhës së studimit, pjesëmarrësit iu nënshtruan disave testeve të kujtesës dhe plotësuan anketat që vlerësonin dietën e tyre.

Studiuesit thanë se rezultatet e testeve u përmirësuan vetëm pak për grupin që merrte pilulën flavanol. Por brenda atij grupi, kishte një grup njerëzish me një dietë ushqimore të dobët dhe me një konsum të ulët të flavanolit në fillim të studimit, të cilët panë një përmirësim mesatar 10.5 për qind të kujtesës së tyre krahasuar me grupin që mori placebo, dhe 16 për qind më lart krahasuar me fillimin e studimit.

Ky hulumtim, përdori flavanole të nxjerra nga kakao, edhe pse autorët e studimit thanë se konsumi i çokollatës nuk ka gjasa të sigurojë nivele të mjaftueshme flavanolësh, pasi ato shkatërrohen gjatë përpunimit. Gunter Kunle, profesor i të ushqyerit dhe shkencës ushqimore në Universitetin e Ridingut dhe një nga bashkë-autorët e studimit, tha se rezultatet “sugjerojnë ekzistencën e një sasi optimale e flavanoleve në dietë”, e cila është një dozë ditore prej rreth 500 mg.

Por shkencëtarët nuk janë në një mendje nëse studimi tregon se suplementet me flavanol janë një ide e mirë për njerëzit e moshuar. Profesor Edin Kasidi, kryetar i të ushqyerit dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin e Mbretëror në Belfast, tha se ky ishte një studim vërtet i rëndësishëm, edhe sepse doza e kërkuar për përmirësimin e shëndetit të trurit rezulton si “lehtësisht e arritshme nga të gjithë”.

“Për shembull, një filxhan çaj, 6 copëza katrore çokollatë të zezë, disa racione manaferra dhe mollë, do të siguronin së bashku rreth 500 mg flavanol”- tha ai. Megjithatë, Dejvid Kërtis, profesor nderi në Institutin e Gjenetikës në Universitetin e Kalifornisë tha se studimi tregoi se “ata që merrnin suplemente flavanoli për vite me radhë, kishin pothuajse të njëjtin cilësi kujtese si ata që merrnin placebo, dhe çdo ndryshim ishte brenda pritshmërive të rastësishme”. / the guardian – bota.al

Back to top button