Shendeti

Studimi / Pirja e moderuar e alkoolit, ka ndikime të dobishme në lidhjen midis trurit dhe zemrës

Të gjithë njerëzit që kënaqen kur pas punës shkojnë në bar për të ”rrëkëllyer ndonjë gotë”, mund të jenë tani më të qetë. Një studim i ri zbulon se konsumi i sasive të moderuara të alkoolit, mund të zvogëlojë sinjalet që lidhen me stresin, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të zemrës.

Studiuesit me Kolegjin Amerikan të Kardiologjisë, thonë se ky është raporti i parë që e lidh në këtë mënyrë konsumin e moderuar të alkoolit me shëndetin e zemrës. “Ne zbuluam se aktiviteti i lidhur me stresin në tru, ishte më i lartë tek ata që nuk konsumonin alkool në krahasim me njerëzit që e pinin në mënyrë të moderuar atë.

Ndërsa njerëzit që pinin tepër alkool (më shumë se 14 gota në javë), kishin nivelin më të lartë të aktivitetit të trurit të lidhur me stresin”-thotë dr.Keneçuku Mezu, bashkëpunëtor në kardiologjinë nukleare në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets, Boston, SHBA.

“Ne kemi arritur në përfundimin se sasitë e moderuara të alkoolit, mund të kenë efekte në tru, që mund t’ju ndihmojnë të qetësoheni, të zvogëloni nivelet e stresit dhe ndoshta përmes këtyre mekanizmave të ulni incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare”- thekson ai.

Autorët e studimit, e përcaktojnë konsumin e moderuar të alkoolit si jo më shumë se 1 gota në ditë për gratë dhe 2 për burrat. Ekipi i bazoi gjetjet e tyre në të dhënat shëndetësore nga 53.064 pjesëmarrës në sondazhin e kujdesit shëndetësor “Mass General Brigham Biobank”.

Mezu paralajmëron se rezultatet nuk janë saktësisht një “dritë jeshile”, që njerëzit të nisin të konsumojnë më shumë alkool.

Sidoqoftë, ky studim mund të hapë dyert për terapi të tjera, të cilat lehtësojnë sinjalet e stresit në tru, si ushtrimet fizike dhe joga. Në fakt, i njëjti ekip zbuloi gjithashtu në një studim të mëhershëm, se ushtrimet fizike kanë një efekt shumë të ngjashëm në aktivitetin e trurit.

Studiuesit paralajmërojnë ndërkohë se përdorimi i alkoolit, nga ana tjetër, mund të sjellë disa efekte anësore negative.

“Studimi aktual sugjeron që konsumi i moderuar i alkoolit ndikon dobishëm në lidhjen trur-zemër. Por ai ka disa efekte anësore të rëndësishme, përfshirë një rrezik në rritje të kancerit, dëmtimit të mëlçisë apo varësisë prej tij. Prandaj duhen ndërhyrje të tjera që kanë më pak efekte anësore, dhe që ndikojnë në mënyrë të dobishme në tru dhe zemër”- paralajmëron Mezu.

Po si përfiton nga alkooli truri dhe zemra? Nga 53.064 pjesëmarrës në studim, studiuesit vërejnë se pak më pak se 60 për qind ishin gra, dhe grupi kishte një moshë mesatare prej 57.2 vjet. Përveç monitorimit standard shëndetësor, 752 pacientë iu nënshtruan tomografisë ose imazheve PET.

Këto skanime janë të zakonshme në shqyrtimet e kancerit, por ato mund të zbulojnë aktivitetin e trurit . Kjo gjë i dha mundësi shkencëtarëve të matnin aktivitetin në rajone që kanë lidhje me stresin. Studiuesit vëzhguan aktivitetin e trurit në amigdalë, rajoni i trurit i lidhur me frikën dhe stresin.

Të dhënat shëndetësore treguan se 7.905 pjesëmarrës (15 për qind), kishin përjetuar një ngjarje të madhe kardiovaskulare gjatë kohëzgjatjes së sondazhit. Nga këta pacientë, 17 për qind hynin në grupin e atyre që konsumonin shumë pak alkool, pra më pak se 1 gotë në javë.

Vetëm 13 për qind vinin nga grupi i konsumatorëve të moderuar, të cilët pinin nga 1 në 14 gota në javë. Rezultatet treguan se konsumatorët e moderuar të alkoolit, kishin një shans 20 për qind më të ulët për një ngjarje të madhe kardiake, në krahasim me ata që konsumojnë pak apo fare alkool.

Këta pjesëmarrës gjithashtu kishin aktivitet më të ulët të trurit në lidhje me stresin sipas skanimeve PET. “Studimet e mëparshme nga grupi ynë dhe të tjerët, kanë treguar një lidhje të fortë midis aktivitetit të rritur të amigdalës, dhe një rreziku më të lartë të efekteve të mëdha anësore kardiovaskulare, të tilla si sulmi në zemër, goditja në tru apo vdekje.

Në studimin aktual, analizat treguan se lidhja midis konsumit të moderuar të alkoolit dhe rrezikut të ulur të ngjarjeve kardiovaskulare, varet në mënyrë të konsiderueshme nga reduktimi i aktivitetit në amigdalë”- shpjegon Mezu./ StudyFinds – Bota.al

Back to top button
Close
Close