Bota

Studiuesi amerikan paralajmëron luftën e tretë botërore: Ja si e “argumenton” ai!

Screen Shot 2015-10-12 at 10.22.13

Në mbarë botën po kërcënojnë konfliktet e hapura apo të fjetura. A mos vallë të gjitha këto janë mesazherë e parashkrues të luftës së tretë botërore?

Studiuesi amerikan i shkencave politike, P. W. Singer, paralajmëron në librin e tij më të ri me titull “Ghost Fleet” (Flota e Fantazmave), se sa shpejt mund të shpërthente një luftë e re botërore në vitin 2015 dhe se si do të dukej ajo.

Singer është ekspert në fushën e nxitjes dhe realizimit të luftërave.

Në një intervistë që ai dha së fundmi për gazetën britanike “The Telegraph”, studiuesi kontrovers rendit me këtë rast katër burime rreziku, siç i cilëson ai ato që mund ta çojnë botën drejt katastrofës:

1. Fuqitë botërore do të konkurronin sërish për të vendosur hegjemoninë. Konflikte të thella ideologjike do të shpërthenin me forcë: do të shihnim rivalitet për zënien e pozicionit në krye të tabelës – Pole Position – në sferën ekonomike e politike botërore, garë të armatimeve dhe lidhje të ngrira diplomatike.

Të tilla përshkrime ndoshta tingëllojnë për shumëkënd si shumë familjare qysh në këtë fazë: bëhet fjalë për zona të nxehta tensioni, që arsyetonin dikur edhe Luftën e Ftohtë mes SHBA-së dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

2. Si shkaktar i kësaj situate do të mjaftonte edhe një shkëndijë e vogël – ndoshta edhe një incident rastësor e fare naiv.

Nuk do të ishte e para luftë, e cila do të shkaktohej nëpërmjet një ngjarjeje me domethënie politike ndërkombëtare relativisht të vogël. Për shembull: atentati i Sarajevës në vitin 1914, në të cilin u vranë mëtuesi i fronit perandorak austriak, duka Franc Ferdinand, dhe e shoqja.

Pasojë e aktit në fjalë ishte më pas edhe shpërthimi i Luftës së Parë, që u kushtoi jetën, sipas përllogaritjeve të mëvonshme, më shumë se 17 milionë njerëzve në mbarë botën.

Singer, sipas të dhënave e studimeve që ka realizuar, arrin të përfytyrojë se diçka e tillë mund të ndodhte edhe në vitin 2015: “Një ndër aeroplanët e shumtë luftarakë rusë, që përgjatë kohëve të fundit po shkelin kufijtë e NATO-s, mund të haste në një homolog të RAF-it britanik të tipit ‘Typhoon’ e të përplasej me të, duke shkaktuar një luftë ajrore të përmasave që bota nuk e ka njohur prej dekadash”.

3. Ngritja e shpejtë e Kinës në rendin e superfuqive botërore, sipas tij, nuk do të vijë dot pa konflikte.

Në vetëm 30 vjet, vendi i madh aziatik e ka gjashtëfishuar pjesën që ai zë në tregjet botërore. Ekspertët vlerësojnë se Kina do ta tejkalojë SHBA-në, në rastin më të vonë, deri në vitin 2035, si fuqia e parë ekonomike botërore.

Ndryshimet e raporteve në pushtet mes fuqive botërore në këtë rend të madh, në historinë e njerëzimit nuk kanë kaluar kurrë pa fërkime, argumenton Singer.

Kjo lidhet me mendimin që ka shprehur edhe profesori i Harvardit, Graham Allison: “Allison ka zbuluar se 11 prej 15 këtyre rasteve qysh nga viti 1500, kanë përfunduar në një konflikt”.

4. Në të njëjtën kohë, recesioni i Rusisë do të mund të shërbejë sipas tij, si një vatër e mirë konflikti.

Sipas një prognoze aktuale të Bankës Botërore, ekonomia ruse në vitet në vijim do të bjerë edhe më tej, përcjellë gazetashqip.

Për momentin, kjo lidhet me sanksionet e Perëndimit, por në terma afatgjatë, në lojë do të hyjnë faktorë të tjerë, sikurse mund të ishin çmimet e ulëta të naftës dhe mungesa e investimeve: Ekspertët përllogarisin me një minus prej të paktën 3,8 për qind për këtë vit.

Me gjithë (ose për shkak) gjendjes së vështirë ekonomike të Rusisë, Putini do të bëhet gjithnjë e më shumë agresiv për të rivendosur në çdo kohë statusin e humbur të vendit të tij. Sa larg ai do të ecë me këtë mendim, deri më tani, sipas Singer, mbetet akoma e paqartë.

Dhe si do të dukej tek e fundit pra vetë lufta e tretë?

Sulmet kibernetike në të gjitha nivelet e fushat, do ta ndryshonin tërësisht mënyrën e zhvillimit të luftës.

Sulmet ruse mbi satelitët e NATO-s, sulmet kibernetike kineze mbi sistemet e transportit publik në Londër, sulmet amerikane mbi dronët ushtarakë rusë – të gjitha këto e të tjera, sipas studiuesit e politologut amerikan, Singer, do të kontribuonin për të qenë një pjesë e qenësishme e luftës së re botërore. /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button