Bota

Sulmet e Brukselit dhe terrorizmi si “normaliteti” i ri në Evropën Perëndimore

Screen Shot 2016-03-23 at 20.25.26

Nga Cas Mudde

Teksa shërbimet e emergjencës, janë duke gërmuar ende nëpër rrënojat e Aeroportit ‘Zaventem’ dhe stacionit të metrosë ‘Maelbeek’ në Bruksel, është e qartë se shkalla e plotë e shkatërrimit do të kërkojë disa ditë, nëse mos disa javë për t’u vlerësuar. Ndërsa ISIS-i ka marrë përsipër këto sulme, ato duken se lidhen edhe me arrestimin pak ditë më parë të Salah Abdeslam, organizatorit të sulmeve të përgjakshme të Parisit në nëntor të vitit të kaluar.

Në fakt, vetëm një ditë para ngjarjeve tragjike, ministri belg i Punëve të Brendshme, Zhan Zhambon, artikuloi një fjali që do të rezultonte profetike:”Ne e dimë se shkatërrimi i një celule mund t’i shtyjë të tjerët në veprim. Ne jemi të shqetësuar për këtë skenar”. Duke pasur parasysh se të dyja sulmet duken si shpërthime vetëvrasëse, dhe përfshijnë objektiva lehtësisht të arritshëm, ato ngjajnë si akte brutale të dëshpëruara nga individë, të cilët pritet të arrestohen nga ditë në ditë (si pasojë e kapjes së Abdeslam), sesa si një sulm i planifikuar terrorist, si ai i Parisit, nëntorin e kaluar.

Sulmet terroriste të Brukselit, ashtu si ai në Paris, tregojnë shumë gjëra, disa më të rëndësishme se të tjerat. Para së gjithash, ato dëshmojnë se terrorizmi është shndërruar tashmë në “normalitetin” i ri për Evropën Perëndimore, të paktën tani për tani. Qytetarët dhe politikanët duhet ta njohin, në vend se thjesht ta pranojnë atë.

Për të qenë të qartë, kjo nuk është hera e parë e situatave të tilla – mendoni për terrorizimin e ekstremit të majtë të viteve ’70 të shekullit të shkuar, apo fushatat terroriste të organizatave separatiste si ETA në Spanjë dhe IRA në Mbretërinë e Bashkuar, që zgjatën me dekada të tëra. Dallimi kryesor është se terrorizmi tanimë po ndikon shumë vende dhe njerëz.

Së dyti, sulmet provojnë se edhe masat më të forta emergjente dhe të sigurisë, nuk mund ta bëjnë 100 përqind të sigurtë një shoqëri demokratike! Si Bruksel dhe Parisi janë qytete në gjendjen më të lartë të gatishmërisë, plotësisht të vetëdijshme se janë shënjestra kryesore e terroristëve xhihadiste, dhe gjithësesi u goditën.

Së treti, edhe pse disa sulme terroriste kanë shkaktuar shkatërrime masive të jetës dhe të pronës, shumica e tyre tregojnë në rastin më të mirë një nivel modest organizimi – pra përdorimin pothuajse ekskluziv të shenjestrave lehtësisht të arritshme. Ndërsa kjo i bën terroristët në përgjithësi më pak vdekjeprurës, ajo gjithashtu i bën ata edhe më të vështirë për të zbuluar.

Së katërti, shumica e terroristëve xhihadistë kanë një profil relativisht të qartë socio-demografik, që përshkruan vetëm një nën-grup të vogël të popullsisë myslimane evropiane:’emigrantët’ e gjeneratës së dytë dhe ‘vendasit’ e konvertuar, disa prej të cilëve kanë luftuar së fundmi në Lindjen e Mesme (ose janë përpjekur të shkojnë në atë rajon) dhe kanë një sfond kriminal, pa lidhje dhe shpesh në kundërshtim me rrugën e tyre të mëvonshme terroriste.

Shumë prej tyre kanë radikalizuar dhe rekrutuar në burg, ose shumë shpejt pasi u liruan. Por terroristët nuk janë vetëm ‘dështakët e integrimit’; disa vijnë nga familje të shtresës së mesme dhe kanë një nivel relativisht të lartë arsimimi.

Së pesti, dhe më kryesorja, terrorizmi xhihadist ka si rrënjë vendase ashtu dhe të huaja. Ai nxitet ose frymëzohet nga grupe të huaja terroriste, kryesisht grupe si ISIS-i në Lindjen e Mesme, por pothuajse ekskluzivisht të menaxhuar nga terroristët vendas, me pakënaqësi të mëdha lokale. Sikurse ka argumentuar Olivier Roy ‘problemi i Xhihadit’ nuk ka të bëjë aq shumë me fenë apo politikën, ai është një ‘revoltë e gjeneratave’.

Terroristët vendas xhihadistë, ndjehen të shtrydhur ndërmjet ‘vendasve’ (jo-myslimanë) dhe establishmentit mysliman, kryesisht emigrantët e moshuar të gjeneratës së parë, të cilët për

ironi i trajtojnë ata si “mysafirë” në vendin e tyre të lindjes. E gjitha kjo nuk është e qartë për të thënë se Evropa është përgjegjës për problemin e saj të terrorizmit.

Ajo ka krijuar kushtet për pakënaqësinë që nxit terroristët, por shumica e njerëzve në këto kushte nuk joshen nga terrorizmi. Por kjo gjithashtu nuk do të thotë që thjesht eleminimi i kërcënimeve terroriste të huaja si Shteti Islamik, do ta shpëtojë Evropën nga “kërcënimi xhihadist”.

Politikanët nga i gjithë spektri politik do të apelojnë për një reagim të fortë dhe të shpejtë, dhe do të thonë se ky “kërcënim i ri”, kërkon më shumë kompetenca për shërbimet e sigurimit. Ata do të premtojmë për të “na mbajtur neve të sigurtë”, edhe pse e dinë se s’mund të garantojnë sigurinë e plotë.

Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që tani, në kulmin e tronditjes dhe traumës, qytetarët liberalë e demokratë si dhe politikanët të mbeten në alarm dhe vigjilentë, si dhe të refuzojnë utopitë e ofruara nga politikanë oportunistë. As autoritarizmi dhe as nativizmi nuk mund të shpëtojë demokracinë liberale në Evropë!

Një gjendje e sigurisë minon direkt sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm të ‘fajtorëve’ apo ‘të tjerëve’. Ngjashëm, mbajtja e emigrantëve dhe refugjatëve jashtë Evropës, bën pak për të minuar furnizimin e terroristëve, të cilat janë thuajse të gjithë të lindur dhe rritur në truallin evropian.

Në fakt, kjo vetëm sa do të forcojë pakënaqësinë e tyre, si edhe rrisë diskriminimin e tyre nga një popullsi ‘vendase’ gjithnjë e më shumë e frikësuar. Vetëm nëse ne pranojmë se shoqëritë tona multi-etnike, ashtu si shumë shoqëri monoetnike para tyre, që përballen me ndarje brenda secilit grup etnik, dhe jo vetëm ndërmjet tyre, mund të mësojnë të jetojmë me të, duke shpresuar që një ditë të kapërcejnë normalitetin e ri të terrorizmit. Ne duhet të shikojmë brenda dhe jo vetëm jashtë, shohim problemet në ‘ata’ dhe ‘ne’, dhe të kuptojmë se demokracia liberale mund të lulëzojë, vetëm nëse njerëzit besojnë tek sistemi politik dhe njëri-tjetri.

Shënim: Cas Mudde, Profesor në Shkollën e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhias në SHBA.

“Huffingonpost.com”

Leave a Reply

Back to top button