Të ndjesh rritjen e rrahjeve të zemrës në takimin e parë me dikë që e pëlqen apo gjatë një interviste pune, është diçka normale. Trupi aktivizohet për të pasur më shumë energji dhe gjak, ndaj i përshpejton rrahjet e zemrës. Edhe pse takikardia është shpeshherë e padëmshme, ka raste kur ajo mund të jetë shenjë e një sëmundje kronike, madje edhe serioze.
Dhe mosnjohja e këtyre rasteve mund të ketë pasoja të rënda. Për shembull, takikardia mund të tregojë praninë e aritmive, gjendje të rënda që ju ekspozojnë ndaj rrezikut serioz për jetën.Takikardi quhet një rritëm i zemrës prej më shumë se 100 rrahje në minutë në gjendje qetësie.
Zakonisht në qetësi, zemra e një të rrituri rreh 60–100 rrahje në minutë. Ndërkohë gjatëaktivitetit fizik, në një gjendje irritimi, kur përjetoni ankth apo frikë, pra jeni të kushtëzuar nga emocionet, zemra rreh shpejt, por sërish në intervale të rregullta. Në përgjithësi, rrahjet e zemrës mund të rriten nga shumë faktorë, përfshirë nikotinën, alkoolin, kafeinën e tepërt dhe temperaturën.
Në rastin e fundit, pulsi rritet me rreth 8 rrahje në minutë për çdo shkallë të temperaturës mbi 37°C dhe metabolizmi përshpejtohet. Por takikardia mund të varet nga kushtet patologjikeekzistuese si hipertiroidizmi (zmadhim i gjendrës tiroide), sëmundjet e zemrës, disa lloj ilaçesh apo përdorimi i drogës.
Takikardia dallon nga ekstrasistola, ose e ashtuquajtura “kërcim i zemrës”. Në rastin e fundit, perceptohet si një rrahje e munguar. Në rastin e takikardisë, rrahjet e zemrës janë ritmike dhe të rregullta dhe zakonisht shqetësuese vetëm kur ajo ka një fillim dhe fund të papritur.
Ndërkohë, nëse rrahjet janë gjithnjë të ndryshme dhe kaotike, mund të jetë një aritmi, e cila ndodh për shkak të një anomalie me impulset elektrike të zemrës. Simptomat janë gulçim, ndjesi të fikëti dhe palpitacione. Nëse nuk trajtohen, aritmitë mund të përkeqësojnë gjendje të rënda mjekësore, të tilla si infarkti i zemrës, goditja në tru, sulmi në zemër dhe arresti kardiak.
Fibrilacioni atrial është ndër aritmitë më të shpeshta, sidomos pas moshës 60 vjeç dhe në prani të patologjive kardiovaskulare dhe pulmonare. Takikardia ventrikulare, është edhe më e rëndë. Ajo e detyron zemra të rrahë shumë shpejt, dhe mund të shkaktojë vdekje të papritur.
Kjo lloj aritmie shoqërohet me sëmundje të zemrës dhe mund të zhvillohet gjatë ose edhe shumë kohë pas një infarkti të miokardit. Aritmia diagnostikohet nga specialisti kardiolog përmes elektrokardiogramës. Ndonjëherë ajo është paroksizmale, pra që shfaqet në periudha të caktuara të ditës.
Në këto raste, rekomandohet mbajtja e aparatit Holter, një elektrokardiogram portativ që regjistron çdo rrahje dhe që pacienti e mban për 24 orë. Nëse aritmia është e tipit hiperkinetik, pra me rrahje të shpejta, i sëmuri mund t’i nënshtrohet terapive farmakologjike ose elektrike, p.sh. me vendosjen e defibrilatorit në trup.
Ndërkohë në rastin e bradikardisë (rrahje më të ngadalta nga norma), mund të jetë i nevojshëm një stimulues kardiak. Disa forma takikardie nuk kërkojnë trajtim, në raste të tjera është e rëndësishme që të ndërhyhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Palpitacionet nuk duhet të nënvlerësohen, sidomos ku ka dyshime për një sëmundje të mundshme të zemrës.
Një nga faktorët e rrezikut është prania në familje e rasteve të të fikëtit apo vdekjes për arsye kardiake. Aktualisht nuk ka ende një terapi parandaluese kundër aritmive. Në përgjithësi, një mënyrë jetese e ekuilibruar e zvogëlon rrezikun e tyre.
Për shembull, një nga zakonet e lidhura me rrezikun kardiovaskular është një dietë e pasur me yndyrnna të ngopura, por edhe pirja e duhanit dhe jeta sedentare. Megjithatë, rreziku zvogëlohet me një dietë të ekuilibruar, të pasur me bishtajore dhe perime dhe me aktivitet sportiv, edhe pse të butë, por të rregullt. / Il Giornale – Bota.al