Bota

Të gjitha misteret e eleminimit të Soleimanit

Sapo kishte kaluar mesnata, kur një aeroplan nga Siria u ul në Bagdad, kryeqyteti i Irakut i cili isihte tronditur nga protestat për disa ditë me radhë. Ndodheshin dy figura kryesore të politikës së jashtme iraniane në atë avion: gjeneral Qassem Soleimani, komandant i Forcave të Kudsit dhe Abu Mahdi al Muhandis, udhëheqës i milicisë shiite Hashed. Gjenerali ka qenë prej kohësh në shënjestër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Vetëm disa muaj më parë, në gusht, Tel Avivi ishte përpjekur ta eleminonte, por pa sukses. Me sytë tinzarë dhe mjekrën gri të zbukuruar mirë, Soleimani di si të lëvizë me kujdes. Ndonjëherë lëviz pa lënë gjurmë; herë të tjera shfaqet në vijën e parë për t’u dërguar një mesazh armiqve të vendit të tij, siç ndodhi kur u përjetësua në foto në rrugët e Alepos teksa, jo shumë larg prej aty, po zhvillohej beteja kundër milicive xhihadiste të Al Nusras. Gjenerali iranian e dinte se si të përdorte dritat dhe hijet. Ai e njihte fuqinë e imazheve. Dhe propagandës.

Kur ulet në Bagdad ai është i qetë: e njeh mirë Irakun dhe nuk ka frikë prej tij. “Ndoshta”, – shkruan Guido Olimpio në Corriere della Sera – “Soleimani e konsideronte veten të mbuluar nga imuniteti, ai kishte takuar shpesh amerikanët në Irak dhe nuk e kishin prekur”. Natën e kaluar, megjithatë, diçka ndryshoi dhe Soleimani u bë një shënjestër që duhej eleminuar. Menjëherë. Imuniteti i pretenduar që e mbronte atë u hodh në erë. Si ka mundësi?

Vdekja e gjeneralit është ende e mbuluar nga disa mistere. I pari: ende nuk është e qartë se cila ishte detyra e tij e vërtetë në Bagdad, por është e drejtë të supozohet se kishte të bënte me protestat që, në ditët para mbërritjes së tij, kishin shënjestruar Ambasadën Amerikane dhe kishin zhytur Shtëpinë e Bardhë në makthin e një Bengazi të ri, domethënë sulmin ndaj selisë diplomatike amerikane në Libi në vitin 2011, që përfundoi me vdekjen e Ambasadorit Chris Stevens. A ishte Soleimani me të vërtetë atje për të nxitur turmën dhe për të zbatuar një plan për eleminimin e diplomatëve amerikanë, siç tha Presidenti Donald Trump, apo ai po kërkonte një mënyrë, falë ndikimit së tij, për t’u dhënë irakenëve këshilla më të buta?

Dhe më tej: si u bë e mundur pikasja dhe identifikimi i Soleimanit? Me shërbimet e zbulimit, natyrisht. “Rindërtimet supozojnë një mbikëqyrje shumë të ngushtë nga Shtetet e Bashkuara, me përgjime dhe përdorimin e shumë aeroplanëve spiunë që patrullojnë vazhdimisht zonën. Ata e gjurmuan për të siguruar që ai ishte me të vërtetë njeriu në makinë. Ka të ngjarë që ata të kishin konfirmime direkte nga informatorët dhe “sytë në terren”, në afërsi të aeroportit për të shmangur gabimet”, shkruan Corriere. Por të kujt ishin “sytë” që panë të ulej gjenerali dhe lajmëruan amerikanët? Lojtarëve të shumtë dyfishtë në terren? Apo, siç u spekulua, a ka pasur një rrjedhje të brendshme, “nga pala irakene e lidhur me milicitë pro-Hezbollahut, apo edhe nga vetë pala Iraniane”?

Në fund, postimi i parë në Tuiter i Trumpit pas vrasjes së shënjestruar të Soleimanit: një flamur i thjeshtë amerikan, pa asnjë koment. Një sjellje e pazakontë nga ana e presidentit të SHBA, i mësuar me tone më të fortë, dhe ndonjëherë edhe të tepruar. Presidenti tha se “veproi për të ndalur një luftë, jo për ta filluar”. Ajo që do të ndodhë në orët e ardhshme do të konfirmojë ose përgënjeshtrojë Trumpin. Dhe ndoshta do të na ndihmojë të kuptojmë se si – dhe mbi të gjitha përse – u vra Soleimani.

Inside Over – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button