Psikologji

Të harrosh nuk është më një problem me këto këshilla

Të gjithë e kemi provuar që të harrojmë gjëra apo aktivitete nga jeta jonë e përditshme. Shkojmë në supermarket dhe kur nuk kemi një listë të përgatitur që në shtëpi me produktet që na duhen, harrojmë diçka dhe detyrohemi të kthehemi nga rruga, apo të shkojmë sërish nga shtëpia për ta blerë. Mirëpo sipas studimeve të kryera në Universitetin e Harvardit, mjafton që të kemi parasysh këto pesë këshilla për të përforcuar kujtesën tonë.

  1. Ruajtja e kontakteve me miqtë.

Kjo gjë jo vetëm që ju ndihmon për jetën tuaj shoqërore, por është gjetur se ndihmon edhe për kujtesën tuaj. Studimet tregojnë se personat që ndërveprojnë me shumë me të tjerët, paraqesin më pak se 50% dobësim të kujtesës, krahasuar me pjesën tjetër.

  1. Konsumi i perimeve jeshile.

E dimë që perimet jeshile nuk preferohen shumë, sidomos nga të rinjtë, por në një nga testet e kujtesës, njerëzit që konsumuan një gjysmë filxhani me perime si brokoli, u vlerësuan me rezultate 10% më të larta në krahasim me ata që nuk konsumuan perime.

  1. Lëvizjet horizontale të syve.

Mos u shqetësoni! Kjo gjë nuk e dëmton shikimin tuaj, por ndihmon shumë për kujtesën tuaj. Sipas studimit të Brain and Recognition lëvizja e shpejtë horizontale e syve për 30 sekonda, e përmirëson me 10% kujtesën tuaj. Kjo ndodh në sajë të vendosjes “në punë” të të dyja hemisferave të trurit, sepse rrugët optike kryqëzohen nga truri drejt nervit optik në sy. Duke lëvizur të dy sytë, aktivizohen të dyja rrugët nervore dhe rrjedhimisht aktivizohen të dyja hemisferat trunore për të qëndruar në punë.

  1. Mos anashkaloni aktivitetin fizik.

Dihet tashmë se çdo aktivitet që ndihmon punën e zemrës suaj, ndihmon edhe aktivitetin e trurit. Duke qenë se gjatë aktivitetit fizik, qoftë edhe gjatë një ecjeje të ngadaltë, përmirësohet qarkullimi i gjakut në të gjithë organizmin, përmirësimi i qarkullimit të gjakut edhe në tru, i siguron atij më shumë oksigjen dhe lëndë ushqyese të nevojshme për të të rezervuar dhe magazinuar më shumë informacione.

  1. Jepini mundësi trurit “të stërvitet”.

Ushtrime të mira për kujtesën nuk konsiderohen ato që ju i keni të mësuara dhe i bëni me lehtësi. Psh, nëse jeni të mirë në zgjidhjen e ushtrimeve të matematikës, zgjidhja e tyre nuk do t’jua forcojë shumë kujtesën, sepse ju thjesht vendosni në punë atë që është konsoliduar si informacion në tru. Por nëse ju filloni të mësoni diçka të re, zona të tjera në tru do të aktivizohen për të magazinuar më shumë informacione duke e përforcuar akoma më shumë kujtesën tuaj.

Filloni t’i përdorni këto këshilla dhe do ta shihni se sa shumë do të ndryshojë kujtesa dhe përqendrimi juaj. Truri juaj do t’ju falenderojë për to.

Leave a Reply

Back to top button