BotaMAIN

Të heshtur dhe vdekjeprurës: “dronët fantazmë” X15 të Kinës

Hangzhou Qifei është një prodhues kinez dronësh civilë, modeli X15 i të cilit, megjithëse i konceptuar për përdorim civil, po përdoret në mënyrë të heshtur në skenarë ushtarakë nga Rusia, Libia dhe juntat e Sahelit

Modeli X15 i dronit të prodhuar nga kompania kineze Hangzhou Qifei

Quhet Hangzhou Qifei Intelligent Technology dhe zyrtarisht paraqitet si prodhuese dronësh bujqësorë dhe platformash për bujqësi. Megjithatë, në një kohë shumë të shkurtër duket se Qifei është shndërruar në një kompani kyçe në tregun e ri të dronëve për përdorim ushtarak. Sipas portalit Intelligence Online, kompania ka furnizuar avionë pa pilot dhe sisteme të përdorimit të dyfishtë Rusinë, fraksione të Libisë lindore dhe juntat ushtarake të Sahelit, duke i maskuar eksportet e saj si shitje civile. Produkti kryesor? Droni i palosshëm X15, i përdorur për patrullim, vëzhgim, monitorim detar, pyjor dhe të zonave malore.

Dronët kinezë, tek të cilët askush nuk dyshonte

E themeluar me misionin për të zhvilluar teknologji për bujqësinë inteligjente, Qifei e ndërtoi reputacionin mbi efikasitetin e dronëve të saj të dizajnuar për operacione si mbrojtja e kulturave, hartimi i terreneve ose monitorimi mjedisor. Por zhdërvjelltësia, rezistenca dhe aftësia për të integruar ngarkesa të ndryshme i bëjnë ato lehtësisht të konvertueshëm në sisteme ushtarake. Modeli X15, në veçanti, i lindur si dron bujqësor, është rikonfiguruar në shumë skenarë si platformë për zbulim, vëzhgim të fushëbetejave dhe operacione sulmi në distancë të shkurtër.

Në luftën në Ukrainë, X15 është shfaqur në disa raste, i përdorur nga forcat ruse si alternativë e lirë ndaj dronëve tradicionalë ushtarakë. Prodhimi i tyre me kosto të ulët dhe mundësia e adaptimit të shpejtë i bëjnë mjete perfekte në një konflikt ku logjistika luan një rol vendimtar. I njëjti model përsëritet në Libi, ku milicitë e lindjes kanë zgjeruar arsenalin e tyre me dronë jo konvencionalë: mjetet e Qifei-t, pasi rikonfigurohen, përdoren për të survejuar zona të mëdha shkretëtire, për misione shënjestrimi ose si bartës të improvizuar municionesh.

Edhe më tipik është rasti i Sahelit, ku Mali, Nigeri dhe Burkina Faso po kalojnë një fazë tranzicioni politik e ushtarak, të drejtuar nga junta që kërkojnë armatime fleksibile dhe të lehta për t’u mirëmbajtur. Në territore të gjera, pa infrastrukturë dhe të shënuara nga konflikte asimetrike, dronët e lehtë dhe të adaptueshëm të Qifei-t përfaqësojnë një zgjidhje ideale: të lirë, të riparueshëm në vend, të vështirë për t’u gjurmuar dhe të aftë të operojnë në kushte ekstreme mjedisore.

Ndikimi i X15

Megjithëse Kina mohon çdo përfshirje të drejtpërdrejtë, kjo mënyrë eksporti – përmes kompanive të paraqitura si “civile” – sipas disa analistëve i lejon Pekinit të ruajë një shkallë të caktuar paqartësie. Nuk ka prova të mbështetjes së drejtpërdrejtë shtetërore, por mungesa e kontrolleve të forta mbi eksportet dual use (përdorim të dyfishtë) dhe natyra gjysmë private e Qifei-t lehtëson përhapjen e këtyre teknologjive në zonat më të paqëndrueshme.

X15 i Hangzhou Qifei është një dron me krahë fiks, i zhvilluar zyrtarisht për aplikime civile si monitorimi i territorit, hartografia dhe mbikëqyrja bujqësore, por struktura e tij modulare e bën lehtësisht të adaptueshëm edhe për përdorime më të ndjeshme. I vogël në përmasa dhe transportues falë krahëve të palosshëm, ai mund të mbajë një ngarkesë prej rreth 5 kilogramësh dhe sensorë elektro-optikë për misione vëzhgimi. I pajisur me sisteme GNSS me funksione kundër-ndërhyrjes, X15 është projektuar për të operuar në mjedise të vështira, edhe në prani të pengesave apo ndërhyrjeve ndaj sinjalit.

Pikërisht kombinimi i lehtësisë, kostos së ulët, thjeshtësisë së modifikimit dhe aftësisë së fluturimit të qëndrueshëm e ka bërë X15 veçanërisht tërheqës në skenarë lufte, ku shpesh është ripërdorur si platformë zbulimi ose, në disa raste, si bartës i improvizuar për sulme të lehta. Edhe pse i lindur si dron “civil”, profili i tij teknik e vendos sot mes sistemeve më fleksibile dhe më të diskutueshme të gjeneratës së re të UAV-ve kinezë. / bota.al

Back to top button