Bota

Të kërcesh tango me Barack Obaman

Ishte një udhëtim që e meriton përcaktimin “historik”: vizita e Presidentit të SHBA në Havanë dhe në Buenos Aires mund të kontribuojë në përparimin e të gjithë kontinentit amerikan

Screen Shot 2016-03-26 at 15.59.13

Claudia Herrera-Pahl

Ai erdhi për të ndërtuar një urë të miqësisë, për të “varrosur gjurmët e fundit të Luftës së Ftohtë”, siç u shpreh ai vetë, për të nisur një epokë të re të mirëkuptimit reciprok. Dëshira e Barack Obamas për të mbështetur stabilitetin, demokracinë dhe mirëqënien duket e sinqertë.

Shpresë për ndryshim

Fjalët e qarta dhe të hapura për përgjegjësinë e SHBA për politikën e dështuar të dekadave të kaluara ndaj Kubës japin shpresë se është e mundur një kthesë. Edhe në lidhje me Argjentinën, Obama theksoi përgjegjësinë e vendit të tij në trajtimin e historisë së përbashkët, veçanërisht për sqarimin e lidhjeve të SHBA me regjimin ushtarak argjentinas. Kjo duhet të kontribuonte që marrëdhëniet midis dy vendeve të konsolidohen.

Ajo për të cilën mund ta kritikosh Obaman është se ai shkoi në Kubë dhe Argjentinë vetëm tani, pak muaj para përfundimit të mandatit të tij. Ftesa e tij drejtuar të dyja vendeve për t’i përtërirë marrëdhëniet bilaterale dhe për t’i forcuar ato, do të kishte pasur me siguri një të ardhme më të sigurt, po të ishte shqiptuar më parë. Tani i mbetet pasardhësit të tij, qoftë ajo Hillary Klinton apo Donald Trump, të vendosë nëse do t’i vazhdojë përpjekjet për një rrugë të përbashkët, më të drejtë dhe më demokratike në rajon. Natyra karizmatike e Obamas, qendrimi elegant dhe gjuha inteligjente e këtij oratori brilant nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se ai përfaqëson një komb, i cili ndjek interesat e tij më se vetjake.

Trashëgimi e errët e SHBA

Përgjegjësia e SHBA për njërin nga kapitujt më të errët të historisë latinoamerikane nuk është harruar. Në vizitën e tij në Argjentinë, Obama deklaroi se ka urdhëruar deklasifikimin e dokumenteve sekrete të ushtrisë së SHBA dhe të shërbimeve të fshehta të SHBA për diktaturën ushtarake në Argjentinë. Ai theksoi se SHBA po i debatojnë ngjarjet e atëhershme dhe se SHBA është e ndërgjegjshme se çfarë kundërshtish ekzistojnë deri sot, për politikën e jashtme të Uashingtonit të viteve 70 ndaj Amerikës Latine.

Lista e regjimeve ushtarake të Amerikës Latine, të cilat janë trashëgimi e politikës së jashtme amerikane, është e gjatë. Krahas diktaturës në Argjentinë, bëjnë pjesë këtu ato në Kili, në Panama, në Nikaragua dhe El Salvador – po të përmendim vetëm disa prej më të përgjakshmeve. Me pretekstin e “luftës kundër komunizmit”, SHBA mbështetën regjime totalitare dhe penguan kështu për dekada me radhë zhvillimin demokratik të një kontinenti të tërë.

Ftesa e Obamas për të ëndërruar

Deklasifikimi i dokumentave deri tani sekrete ushtarake dhe të shërbimeve të fshehta nga SHBA sigurisht që ndikon në forcimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë dhe në këtë kuadër në përparimin e të gjithë kontinentit. “Ne kemi përgjegjësinë, që duke u përballur me të kaluarën, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe do ta bëjmë këtë”, tha Obama.

Nga goja e Presidentit Obama kjo fjali merr një fuqi magjike dhe tingëllon si një ftesë për të ëndërruar. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo ëndërr të marrë fund me presidencën e Obamas, duke u kujtuar SHBA se tangoja mund të kërcehet vetëm vetë i dytë.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button