Analiza

A do të përhapet lufta në Ukrainë?

Jean-Marie Colombani
A man clears debris as the Ukrainian army retakes a villageEshtë një pyetje ngacmuese që mund të gjejë një përgjigje, nëse përpiqesh të kuptosh cili është Vladimir Putini. Duke filluar nga objektivi i tij politik
Muaji gusht ecën me ritmin e përkujtimoreve të Luftës së Parë Botërore, vetëvrasja e parë e Europës, dhe ne të gjithëve po na mundon një pyetje ngacmuese: a ka ndonjë mundësi, sado të vogël, që situata në Ukrainë të paralajmërojë një konflikt më të gjerë në zemër të Europës? Pjesa më e madhe e ekspertëve, si për shembull ish ministri francez Hubert Vedrine, kanë mendime që ofrojnë siguri: sipas tyre, asnjëri prej konflikteve aktualë – Ukraina, Iraku, Siria, Izrael/Palestina – nuk do të mund të përhapej, pasi nuk ka në vetvete “viruse” të një ekspansioni tragjik.
Këtij mendimi mund t’i kundërvihesh, duke thënë se europianët në vitin 1914, as nuk e kishin idenë që vrasja e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, nga dora e një nacionalisti të panjohur serb do të kishte sjellë, një muaj e gjysmë më vonë, një efekt zinxhir fatal të ngjarjeve. As nuk mund të jesh i sigurtë për një mbrojtje që vjen nga ndërvarësia ekonomike, e cila do të shmangte luftën, për shkak të interesave kombëtarë. Edhe vëzhguesit e epokës, 100 vjet më parë, ishin të bindur për dobinë e kësaj ndërvarësie, e cila duhet thënë se sot është shumë më e zhvilluar.
Shqetësime të tillë rinxjerrin në pah problemin e qasjes sonë ndaj Rusisë. Nëse duam të shmangim rrezikun e një shtrirjeje të konfliktit, thonë disa, duhet të sforcohemi që të kuptojmë Vladimir Putinin. E megjithatë, sapo kemi parë, të pafuqishëm para një akti barbarie, raketat që kanë shkatërruar avionin e Malaysia Airlines, ku nuk mbeti gjallë asnjë pasagjer. Të gjithë treguesit të lënë të mendosh se atentati është vepër e militantëve filorusë, të armatosur, financuar dhe mbështetur nga Putini. Ky i fundit po bën gjithçka, në mënyrë gjithnjë e më të qartë pas operacioni që përfundoi me sukses për të në Krime, që t’i shkëpusë Ukrainës një pjesë të rëndësishme të territorit të saj.
Sanksionet
Amerikanët dhe europianët janë përgjigjur me një përshkallëzim të sanksioneve ekonomikë, që me sa duket kanë goditur në shenjë, duke qenë se Putini ka mbyllur menjëherë kufijtë për produktet agro-ushqimorë europianë dhe amerikanë. Por kërcënimi më autentik mbetet ai ushtarak, duke parë që shërbimet e fshehtë ndërkombëtarë këmbëngulin që janë 20 mijë ushtarë rusë të forcave speciale në kufirin me Ukrainën
Sanksionet, thonë disa, nuk do të bënin gjë tjetër, përveçse do të detyronin Putinin që të gjunjëzohet, ose të luftojë. Duke e njohur personazhin, e vështirë të besohet që do të bëjë të parën. Megjithatë, mungesa e reagimit dhe e vendosmërisë ndaj tij, do të na çojë pa asnjë dyshim në përballjen me vështirësi edhe më të mëdha. Duhet kompletuar arsenali i sanksioneve, me një informim të përshtatshëm mbi figurën e Putinit, ideologjinë e tij, objektivin e tij politik (Bashkimi Euraziatik), nacionalizmin e tij gjithnjë e më agresiv…
Janë gjëra të cilat jo të gjithë i dijnë, duke parë që ka ende nga ata që besojnë se për ta qetësuar, do të mjaftonte ta respektonim më shumë. Veç kësaj, do të ishte shumë e rëndësishme të vinim në zbatim masa për t’i lejuar Ukrainës që të dalë prej vështirësive të saj ekonomike dhe sociale. Duhen masa të plota, që i lejojnë vendit të bëhet një aktor besnik, në gjendje të ruajë marrëdhëniet e saj si me Lindjen, ashtu edhe me Perëndimin. Duket si një përplasje kokë-më-kokë mes përpjekjeve të Putinit për të mbajtur kontrollin e lindjes së Ukrainës dhe qeverisë së Kievit, që përpiqet të bindë popullsinë se është në gjendje të garantojë një të ardhme të përbashkët për të gjithë. Nuk e di nëse duhet menduar që një përhapje e mundshme e këtij konflikti dhe zgjerimi i tij, që do të ishin të tmerrshëm, janë të lidhur me rrezikshmërinë e situatës në vend. Kjo rrezikshmëri vetëm rritet. Sigurisht, Putini e di që në Europë dhe në SHBA, ajo ushtarakë nuk është një rrugë që mund të ndiqet. Pra, për momentin, do i përmbahemi mendimit të Hubert Vedrine… /Sette/
Përshtatur në shqip nga BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button