Bota

Të ruajmë vigjilencën, po ky nuk është virusi Ebola

Sergio Harari

A e kanë gabim partnerët socialë dhe sindikatat, kur kërkojnë një kthim gradual në normalitet apo gabon qeveria në ndjekjen e një linje shumë të ngurtë, për administrimin e infeksionit Covid-19? Përgjigjen mund ta gjeni në një intervistë shumë të mirë, të dhënë nga redaktori i revistës më të rëndësishme mjekësore në botë, “Neë England Journal of Medicine”, Eric Rubin, një specialist i mirënjohur i sëmundjeve infektive, i cili, kur u pyet për mënyrën sesi duhet të sillen institucionet shëndetësore të vendeve të ndryshme për të kundërshtuar përhapjen e virusit, u përgjigj duke treguar se gjëja më e rëndësishme është të ketë fleksibilitet dhe shpejtësi veprimi, në miratimin e zgjidhjeve që ndryshojnë me modifikimin e shpejtë të situatave epidemiologjike.

Jo të gjitha vendet evropiane kanë ndjekur të njëjtën strategji të shqyrtimit të rasteve të dyshimta; në Gjermani, një shtet që tashmë ka akorduar 23 milion euro për të përballuar emergjencën, politika e mbikëqyrjes është shumë e ndryshme nga ajo italiane. Me fjalë të tjera, sa më shumë të kërkojmë virusin, aq më shumë njerëz pozitivë do të gjejmë, por kjo ka një kuptim të kufizuar të shëndetit publik, duke qenë se sipas indikacionet e reja duhet t’u nënshtrohen tamponëve diagnostikues vetëm rastet e dyshimta, e jo më subjektet asimptomatikë.

Edhe vallja e shifrave, për të cilat po bëhemi dëshmitarë, po ushqen një rritje të tensioneve vetëm pjesërisht të justifikuar, veçanërisht sepse besueshmëria e testit të tamponit të faringut nuk është 100% dhe ka shumë të ngjarë që vlerësimet tona për numrin e personave pozitivë, nuk janë plotësisht të sakta. Askush në këtë moment nuk ka përgjigjen e duhur se si të përballojë situatën, qeveria italiane është përpjekur të ruajë shëndetin publik sa më shumë që të jetë e mundur, dhe nëse ka pasur ndonjë tepricë skrupujsh, veçanërisht në nivelin e disa rajoneve që kanë shfaqur lokalizma, ky ka qenë pjellë e emergjencës dhe jo ngacmimeve pa bukë.

Siç e kam shkruar në këto reshta edhe përpara se infeksioni të përhapej në Itali, modeli kinez nuk është i zbatueshëm pikë për pikë, dhe për një kohë të gjatë për realitetin tonë. Për më tepër, nuk do të kishte kuptim. Nëse në ditët e para ishte më se e arsyeshme të merreshin masa shumë të rrepta, edhe tani nuk duhet të ulim aspak vigjilencën, por mbase mund të mendojmë për ndërthurjen e nevojave të shëndetit publik, të cilat vijnë para gjithçkaje, me nevojën që të mos fundoset në mënyrë të pakthyeshme ekonomia e vendit.

Covid-19 është një virus që mund të ketë një kurs klinik tinëzar, me përkeqësim të papritur, për këtë arsye vëmendja duhet të mbetet e lartë. Por nuk është virusi Ebola dhe Shërbimi ynë Shëndetësor Kombëtar po përgjigjet shumë mirë ndaj nevojave të reja, me një bujari të jashtëzakonshme e cila duhet t’u njihet të gjithë profesionistëve të shëndetit. Sigurisht që hetimet siç janë ato të hapura nga Prokurori Publik i Lodit nuk i ndihmojnë ata që tashmë janë në llogore, të punojnë qetësisht. Vendi është i fortë dhe do t’ia dalë, por Covid-19 nuk do të ikë nesër, është mirë ta pranojmë dhe të armatosemi në kohë. / Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button