Komplote

TEKNOFERRI / Kujdes, armiku po të vështron

“Nuk e dimë çfarë tipi algoritmi lexon email-et tona e sesi arkivohen ato. Rregulli i pjesëmarrjes tonë në rrjet është fluid dhe i paqartë, kontrolli ka arritur një nivel që nuk ka pararendës në histori”, vazhdon Eggers. Imagjino që “një vajzë shtatzënë që shkëmben email me të fejuarin e saj, e ditën tjetër sheh të shfaqet në kutinë e saj postare reklama drejtuar grave shtatzëna”. Buzëqesh: “Ajo nuk ua kish thënë as familjes së saj, por Google e di. E askush nuk rebelohet. Çfarë do të ndodhte nëse dikush do të lexonte e-mailin tim?”. Durim. Durim. Mëkati orgjinal i internetit, shton duke cituar mikun e tij Jaron Lanier, është që gjithçka duhet të jetë gratis.

TeknoferriAlberto Piccinini
The Circle është emri i kompanisë teknologjike që në të ardhmen e afërt do të zërë vendin e Facebook, Google, Youtube, Pay Pal e gjithçka mbetet. Tek The Circle komunikohet me të tjerët, formohen miqësi e konsumohen dashuri. Kërkohet, blihet, shitet, impenjohesh në punë sociale, indinjohesh nga politika. Po, ekziston. Me çfarë çmimi? Asgjë. The Circle është gratis, i mirë, i dobishëm. Realizon utopinë e një njerëzimi të çliruar nga transparenca absolute. Në sajë të aplikimit të  SeeChange, i cili vendos në rrjet miliona telekamera survejimi të mëdha sa një gisht e të shpërndara në çdo cep të Planetit, mund t’i shikosh të gjithë, duke përfshirë vjedhës e vrasës, terrorristë e diktatorë.  Me TruYou ke një fjalëkalim unik për hyrjen në rrjet, i cili të është dhënë që në lindje. Do të jetë i detyrueshëm, për të ruajtur shtetësinë dhe të drejtën e votës. E, meqë ra fjala, pse të zgjedhurit tanë në parlament nuk  bëhen të dukshëm për të gjithë? Ne i paguajmë, çfarë kanë ata për t’u fshehur? Për çfarë vlen të kërkosh privatësinë, anonimatin, mbajtjen për vete të sekreteve?
Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, përse do të fshihesh? “Sekretet janë gënjeshtra, t’i ndash do të thotë të tregosh kujdes ndaj të tjerëve, privatësia është një vjedhje”. Këtë e gjejmë të shkruar me shkronja kapitale mbi një dërrasë të madhe të zezë, gjatë një mbledhjeje të shkurtër motivuese për punonjësit e kompanisë.
The Circle është romani i ri i Dave Eggers. Pesëqind faqe të shkruara me argëtimin e çmendur për të rishqyrtuar antiutopitë totalitare që kanë shënuar shekujt e kaluar. Swift, Kafka, Philip K. Dick, William Gibson. Dhe natyrisht Orwell, që i shkel syrin lexuesit në mënyrë perverse. I cili përdor sigurisht rrjetin social, klikon “më pëlqen” ose “nuk më pëlqen”, poston video e foto, indinjohet dhe impenjohet. Por këtu, në faqen 300, duhet të dorëzohet përpara provës së gënjeshtrës. “E dua Orwellin. E admiroj rrëshqitjen e tij midis reportazhit, alegorisë, dhe tregimit. Si Joan Didion apo Hemingway, që janë heronjtë e mi në letërsi” më thotë Eggers, që e takoj në Firenze. Shkrimtar, gazetar e skenarist, krijues i shtëpisë botuese Mc Sweeney’s dhe i një shkolle letërsie jofitimprurëse në San Francisco, ajo e “826 Valencia”. Është figurë e rrallë, e ndritshme e xhentile, prej intelektuali radikal amerikan. “Lexoj 1984 çdo pesë vjet”, vazhdon ai, “këtë herë e bëra pasi pata mbaruar The Circle, për të verifikuar se nuk kishte shumë ngjashmëri të pavullnetshme. Shkoi mirë. Ajo që është e tmerrshme tek libri 1984, është se që në faqen e parë libri ka përfunduar. Është një botë që duhet urryer, s’ka diskutim”.
The Circle vë në lojë të gjithë këto lloj joshjes: është horror, plus fantashkencë, plus satirë, plus frikë alla Gogol (ose alla Fantozzi, por në një epokë tjetër, më shumë delikate, të pastër, kaliforniane, pa sindikata të hekurave për skrap, statute të punëtorëve, nenin 18, as shërbëtorë, as padronë). Hyjmë me sytë e Mae Holland, njëzetvjeçare e sapo diplomuar, në mega-ndërmarrjen hi-tech (teknologji e lartë), më e dëshirueshmja nga të gjitha. Sektori “Eksperienca e Blerësit”: Mae i përgjigjet në mail përdoruesve, qindra në ditë, dhe përdoruesit – si e di mirë kushdo që ka përdorur ndonjëherë një call center – votojnë rendimentin e saj. Ne ndjekim rrugën e saj në vizionin, misionin, vlerat dhe strategjitë. Karriera e saj në vende të rehatshme e të ndriçuara, midis kolegësh nën moshën 30 vjec, si ish-shoqja e kolegjit Annie, e sapo hyrë në “grupin e 40-shave”, pranë tre shefave themelues. Pak ekscentrikë këta të fundit, por të frymëzuar, të tipit revolucionarë të shenjtë. Shton Eggers: “Ajo çfarë është e rëndësishme është se The Circle fillon Brenda një utopie. Është dita më e bukur në jetën e një vajze, që do të zbarkojë në parajsë, pastaj zbulojmë atë që mbetet. Nuk kisha shkruar kurrë një libër kështu, por kam qenë një autor për suspense”.
Përpara se të duam të përmirësojmë jetën e njerëzimit në tërësi, ndërmarrja ka për zemër punonjësit dhe familiarët e tyre. Këta janë të zhveshur nga çdo gjë duke filluar nga kompjuteri, të matur në rendimentin në punë, por edhe në shoqërizim. Dhe kanë kurse për yoga, mensa bio, transport të përkushtuar, kura mjekësore private, një hotel të brendshëm. Pallati kryesor i kampusit quhet Iluminizëm. Përfitimi është një gjë e largët, vulgare. “The Circle nuk është Google, as edhe Facebook” vazhdon shkrimtari. Asnjëra nga këto dy ndërmarrje nuk do të ishte tani në gjendje të drejtojë lojën siç e ka imagjinuar. Por sot është sikur të ishim në një terren të pjerrët. Për shembull kjo ideja e: “thuaj për veten”, e: “përse nuk hapesh?” i ka rrënjët në shumë regjime të frikshme të historisë, që në një pikë të caktuar u thoshin qytetarëve të vet: “Nëse nuk ke gjë për të fshehur, përse nuk mundemi të kontrollojmë në shtëpi, ose të lexojmë letrat e tua?”. E nëse fuqia e teknologjive të reja përfundonte në duar të gabuara do të kishte një efekt shkatërrimtar”.
Nuk e dimë nëse Mae, në fund, do të bjerë në tundim për t’u rebeluar e për t’ia mbathur. Do ta shohim përkundrazi të nënshtrohet në emër të besnikërisë ndaj kompanisë – dhe të mundësisë së vetme për të paguar kurat e të atit me sklerozë – të torturës neo Kafkiane, si ajo e transformimit të jetës së saj në një autotregim të transmetuar në rrjet, me opsionin për ta fikur kameran që mban në trup vetëm gjatë vajtjes në banjo. Egger luan si një fëmijë me aplikacionet e me shpikjet që janë trashëgimi të ruajtura e të kuruara me xhelozi nga ndërmarrjet kaliforniane. Ndoshta ekzagjeron, ose është fajtor për pakujdesi, siç ia kanë vënë në dukje shumë kritika të sapoardhura nga fusha e kompanive teknologjike. Nuk e vret mendjen: “Në Kaliforni, çdo ditë gjendet një zgjidhje për diçka”, vëren. “Është kjo ngarkesë idealizmi, zgjidhjeje digjitale. Mjafton të mendosh vetëm se sa fëmijërore janë faqet e facebook-ut: buzëqeshja, varja e buzëve… E askush ndonjëherë nuk provon të eksplorojë anën e errët të këtij optimizmi”.
Ose ka kohë që skepticizmi në lidhje me rrjetin nuk është më një tepricë anti-teknologjike, por ka gjetur argument të rinj në punën e autorëve si Jaron Lanier ose Evgeny Morozov dhe një jehonë planetare falë zbulimeve të ish teknikut të CIA-s, Edward Snowden. Një shkrimtar i shquar në të gjithë botën si Jonathan Franzen u bë kampion i një beteje personale kundër rrjetit social. “Jonathan është i zënë me konfliktin midis realitetit dhe ushtrimit të rrjetit, qëllimi i tij është ai i të bindurit të njerëzve që të marrin kontakt fizik midis tyre, besoj” komenton Eggers. “Jaron Lanier është një miku im, për këto tema është më i miri. Unë nuk besoj të jem veçanërisht i mirë si polemizues, por shqetësimet e tij janë edhe të miat, pra që përmes këtyre teknologjive mund të krijohet një regjim totalitar privat”.
Kërkon ta theksojë me forcë Eggers, për të cilin The Circle është tërësisht një vepër letrare, nuk fsheh intervista, kërkime, teknika të tjera prej reporteri. Siç kërkohet nga zhanri, argumentat shfaqen në dialogjet e personazheve kryesore dhe në shtojca. Këtu është i fejuari i largët i Maes, Mercier, që interpreton njërin nga të “egrit”: ideja konfuze e rebelimit të tij ndaj ekzistencës vetëm në rrjet do të ketë të rënda.
I kujtojmë në këtë pikë Eggersit, që jeton në San Francisko, blloqet rrugore e protestat kundër autobusit të Google, autobusët e kompanise që sjellin të punësuarit në punë: “Kjo protestë është zhvilluar përballë dritareve të shtëpisë time, ka qënë një përplasje e vërtetë kulturash. Thuhej: por 28 janë djemtë e zotët, nga familje të mira, idealistë e të lumtur që kanë gjetur punë. Për mua edhe ky viktimizim është i gabuar. Ky autobus është një simbol: dëgjon një ulurimë të madhe, arrin një makinë gjigande hapësinore që nuk prisje ta shikoje në ato rrugë, e përsipër nuk është shkruar të paktën as Google”.
Fakti është që Eggers ka jetuar gjithmonë në kulturën hi- tech (teknologji e lartë): “Jam  transferuar në San Francisko në 1992, kur interneti sapo kishte lindur” kujton ai. “Banoja në një pallat të South Park, ku ishte qëndra  për gjithçka, kisha në katin e sipërm redaksinë e Wired dhe Boing BOING. E ndërsa kërkoja të kuptoja si t’i përdorja teknologjitë e reja në aktivitetin tim si shkrimtar dhe si botues, i vëzhgoja. Kam vënë re për vite për dyshimet dhe shqetësimet për kulturën digjitale, para se t’i tregoja përmes syve të një njëzetvjeçareje”. Të gjitha këto shqetësime, një term si privatësia mezi arrin ta kuptosh. “Nuk ka tiranë që rrëmbejnë kamzhikun në këtë Amerikë imagjinare, ku harxhon shumë energji për të përmirësuar botën”, ka vëzhguar shkrimtarja Margaret Atwood.
S’ka tiranë, s’ka padronë. Vetëm ne. Kaq shumë banale është për ta thënë? “Nuk e dimë çfarë tipi algoritmi lexon email-et tona e sesi arkivohen ato. Rregulli i pjesëmarrjes tonë në rrjet është fluid dhe i paqartë, kontrolli ka arritur një nivel që nuk ka pararendës në histori”, vazhdon Eggers. Imagjino që “një vajzë shtatzënë që shkëmben email me të fejuarin e saj, e ditën tjetër sheh të shfaqet në kutinë e saj postare reklama drejtuar grave shtatzëna”. Buzëqesh: “Ajo nuk ua kish thënë as familjes së saj, por Google e di. E askush nuk rebelohet. Çfarë do të ndodhte nëse dikush do të lexonte e-mailin tim?”. Durim. Durim. Mëkati orgjinal i internetit, shton duke cituar mikun e tij Jaron Lanier, është që gjithçka duhet të jetë gratis.
Nuk mbetet veçse te recitojmë së bashku thënien e epokës internetiane: “Nëse produkti është gratis atëherë produkti je ti”. Zbuloni një debatues të apasionuar e efikas për këto tema. Por duke gjetur në fund të kësaj bisede Zen-in e qetë të atij që vëzhgon çdo ditë djemtë. Eggers është mësues dhe babai i dy fëmijëve të vegjël, që tani vrapojnë me shpejtësi rreth e rrotull: “Shoh që nxënësit e mi përdorin median sociale me lehtësi e nuk konsiderohen veçanërisht të lezetshëm. Për ata që janë 18 vjeç sot, këto platforma janë prindër, dhe mendoj që kjo botë mund të bjeri me shpejtësi”, konkludon. (Pas The Circle ka publikuar tashmë një roman tjetër, Baballarët tuaj, Ku Janë Ata? Dhe Profetët, jetojnë për gjithmonë?). Tregon rënien e ëndrrës amerikane dhe ka midis protagonistëve një astronaut të vjetër. Kështu ai vizitoi bazën e lashtë në Kepin Kennedy, ëndrra e çdo fëmije të viteve gjashtëdhjetë. Shkoni atje, nëse mundeni, ia vlen ta vizitoni”, më thotë “është e gjitha shkollë e vjetër, pothuajse nuk shihen kompjutera,  inxhinierët kanë theks jugor dhe çdo gjë është aq e ndyrë, popullore …” E ardhmja e mirë e plakut të njëherë e një kohe? Po tamam kështu”. /Il Venerdi/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button