Të gjithë duhet të kujdesemi për shëndetin, pasi është një element thelbësor i jetës sonë. Kur e ndiejmë se diçka nuk po shkon mirë, duhet të shqetësohemi dhe të kërkojmë ndihmën e duhur mjekësore për ta zgjidhur problemin. Çdo person në botë kujdeset jo vetëm për shëndetin e vet, por edhe të njerëzve të dashur. Një nga mënyrat se si të kujdesesh për shëndetin, është edhe matja rutinë e tensionit arterial, sidomos tek ata që vuajnë nga tensioni i lartë.
Matja e tensionit arterial është një teknikë shumë e thjeshtë. Mjafton të lidhësh manshetën, të vendosësh stetoskopin dhe të dëgjosh tonin e parë dhe të fundit më të fortë. Dy vlerat e matura përbëjnë vlerën e tensionit sistolik dhe diastolik. Mirëpo sot shumica e njerëzve kanë edhe matës elektronik, ku nuk nevojitet të mbahet një stetoskop për të dëgjuar tonet. Mjafton të lidhësh manshetën në krah, të shtypësh butonin e ndezjes dhe mansheta shtrëngohet dhe lirohet automatikisht. Në fund, të shfaqen vlerat e tensionit sistolik dhe diastolik në aparat.
Matja e tensionit arterial kërkon të plotësohen fillimisht disa kushte. Duhet që personi të jetë shtrirë, ose i ulur me këmbët të mbështetura në tokë. Duhet që matja të bëhet në një ambient tepër të qetë, pasi stresi dhe emocionet përreth ndikojnë tek vlerat e tensionit arterial. Gjithashtu, konsumi i alkoolit, kafes apo duhanit mund të ndikojnë tek këto vlera.
Matjet është e mira të bëhen në një orar të caktuar të ditës, pra përditë në të njëjtin orar. Duhet të dini se tensioni tenton të rritet në mëngjes herët dhe arrin pikun gjatë pasdites. Më pas tenton të ulet dhe arrin minimumin kur personi është duke fjetur. Ndjekja e rregullave të tilla mund të shmangë shumë surpriza të pakëndshmë, pasi matjet sipas këtyre rregullave do t’ju bëjnë të kuptoni nëse një person vuan apo jo nga hipertensioni.