BotaMAIN

Toka e plagosur

Djaloshi biond me një bluzë jeshile, qëndron i frikësuar mes bashkëmoshatarëve të tij. E shtyjnë dhe e godasin me shkopinj të gjatë, të ndrojtur, sikur sapo t’i kenë urdhëruar.

Sa vjeç mund të jenë këta fëmijë? Shtatë? Ndoshta tetë, maksimumi nëntë.

Video tregon një djalë izraelit që mbahet peng dhe ngacmohet nga djem palestinezë të së njëjtës moshë. Ajo qarkulloi në internet të dielën pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Ishte dita e parë e luftës së re.

Mizoria e pamjeve është e vështirë për t’u kuptuar, edhe sepse është kaq e përmbledhur: fëmijët tashmë po vuajnë, fëmijët po torturojnë njëri-tjetrin, duke e parë njëri-tjetrin vetëm si armik të vdekshëm.

Video pak sekondëshe tregon tragjedinë e këtij konflikti mes dy popujve, mes izraelitëve dhe palestinezëve. Një konflikt që ka zgjatur me dekada, ndoshta një shekull. Dhe në të cilin, porosia si të urresh, torturosh dhe vrasësh transmetohet nga një brez në tjetrin.

Ky konflikt është si një plagë që nuk shërohet kurrë. Korja është gjithmonë e freskët dhe herë pas here çahet. Dhe pastaj ka luftë.

Por ajo që Izraeli pësoi më 7 tetor 2023 nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e tij: një sulm terrorist nga Gaza që vështirë se mund të imagjinohej deri atëherë. Më shumë se 1500 terroristë të Hamasit çanë barrierat rreth Rripit të Gazës, pushtuan bazat ushtarake, qytetet, një festival muzikor dhe shkaktuan një gjakderdhje në tokën izraelite.

Ata masakruan gra, fëmijë, foshnja dhe pleq në kibucet përreth dhe në fshatra, vepruan në stilin e terroristëve të “Shtetit Islamik”, duke ekzekutuar njerëz në rrugë dhe në shtëpitë e tyre – dhe duke rrëmbyer të paktën 150 pengje. Për më tepër, mijëra raketa fluturuan nga pozicionet në lagjet e varfra drejt qyteteve të Izraelit, aq shumë sa ndonjëherë e mbizotëruan sistemin e mbrojtjes Iron Dome.

Terroristët përdorën dronë komercialë për të hedhur ngarkesa shpërthyese në kullat e sigurisë dhe radiot përreth Gazës; kështu bllokuan me sinjalet. Asnjë alarm nuk ka mbërritur tek ushtarët në dhomat e kontrollit përtej kufirit.

Qindra burra të armatosur hynë në Izrael përmes të çarave në gardhin kufitar, në këmbë dhe me motoçikleta. Buldozerët hapën rrugën për automjetet më të mëdha si xhipat.

Një pushtim si një film horror, edhe për Izraelin, i cili është i njohur me operacionet luftarake dhe gjakderdhjen. Vrasësit vijnë me motoçikleta dhe skafe, fluturojnë me parashuta dhe mbajnë veshje luftarake. Asgjë nuk mund t’i ndalojë, është urrejtja ajo që i shtyn.

Për një kohë të gjatë askush nuk e kuptoi shtrirjen e plotë të sulmit dhe për momentin nuk pati asnjë reagim të koordinuar. Më pas, njësitë e ushtrisë u desh të çlironin individualisht të gjitha vendet e sulmuara nga Hamasi.

1300 të vdekur nga pala izraelite në ditët e para të kësaj lufte, shumica prej tyre civilë, më shumë se 3000 të plagosur dhe shifra mund të rritet. Presidenti izraelit Isaac Herzog thotë se kurrë, që nga Holokausti, nuk janë vrarë kaq shumë hebrenj brenda një dite.

Kaq mizor, aq brutal ishte ky sulm sa duhet të kthehesh gjysmë shekulli prapa, në të ashtuquajturën Lufta e Yom Kipur në vitin 1973, për të gjetur një ngjarje të krahasueshme. Në atë kohë, Izraeli u sulmua nga Siria dhe Egjipti, dhe më 7 tetor 2023 nga qindra militantë të dhunshëm nga Rripi i rrethuar i Gazës.

Plaga po rrjedh gjak përsëri. E freskët. Dhe dhimbja ndjehet kudo.

Presidenti i SHBA Joe Biden dënoi mizorinë e Hamasit si “të keqe të pastër” dhe një “shkelje të çdo kodi të moralit njerëzor”. Pati shprehje spontane solidariteti për viktimat izraelite dhe minuta heshtje. Kulla Eifel dhe Porta e Brandenburgut u veshën në blu dhe të bardhë, ngjyrat e flamurit izraelit.

Por ka edhe ndryshe: festime gëzimi në rrugë në Kajro, edhe në Berlin-Neukölln. Demonstrata solidariteti për popullin e Gazës në Jemen. Në Doha, kryeqyteti i Emiratit të Katarit, Muzeu Kombëtar është i ndriçuar me ngjyrat kombëtare palestineze.

Konflikti në Lindjen e Mesme e ndan botën në kampe, siç ka bërë gjithmonë.

Atë të shtunë, e cila tani krahasohet me momente kthesash historike, si Pearl Harbor i Izraelit ose 11 shtatori i Izraelit, konflikti izraelito-palestinez shpërtheu si një bombë thërrmuese para syve të pjesës tjetër të botës. Përsëri. Tani lufta po shkon në Gaza – dhe mund t’i vërë flakën gjithë Lindjes së Mesme.

Të hënën në mbrëmje, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant njoftoi një bllokadë totale të Rripit të Gazës: “S’ka ushqim, s’ka ujë, s’ka karburant”.

Natyra e sulmit ndaj shtetit hebre është e re, por logjika dhe konflikti janë të vjetra. Dy popuj pretendojnë të njëjtën tokë. Dhe që atëherë: luftë, dhimbje, rrënim.

Në ditën e pestë pas katastrofës, Noa Kan shikon mbi Detin e Vdekur dhe Shkretëtirën e Judesë. Zëri i saj tingëllon i tendosur: “Pse ne jemi këtu në këtë vend të mrekullueshëm dhe kaq shumë të tjerë kanë vdekur?” Kan dhe i fejuari i saj Yoav i mbijetuan i masakrës në Kibbutzin e Beeri. Thuhet se 110 persona janë vrarë vetëm aty, nga banditët e Hamasit. Terroristët kryen masakra në të paktën shtatë kibbutze përreth Rripit të Gazës; ata vranë prindër, gjyshe dhe foshnja.

Çifti u fsheh në strehën e shtëpisë së tyre për dymbëdhjetë orë para se të dilnin. Ndërsa prisnin, frika e të tjerëve, fqinjëve dhe miqve, depërtonte në muret e trasha të bunkerit. Grupi i chat-it të banorëve të Beerit është një rrëfim tmerri: “Terroristët po hyjnë.” – “Po na qëllojnë.” – “Po na djegin në shtëpinë tonë.” – “Na kanë marrë vajzën. “

Noa Kan është 30 vjeçe. Në prag të masakrës, pati një festë të madhe për të shënuar 77 vjetorin e kibbutzit: “Njerëzit ishin shumë të lumtur”, thotë ajo. Tani shumë nga miqtë dhe fqinjët e tyre kanë vdekur.

Ajo sapo ka marrë lajmin se ka vdekur edhe babai i të fejuarit. Ajo nuk e di nëse terroristët e qëlluan menjëherë apo e torturuan paraprakisht.

Të mbijetuarit janë akomoduar në Kibbutzin Ein Gedi, në Detin e Vdekur, ku ka një hotel elegant me një kopsht botanik, pishinë dhe trajtime spa, ku për ta po kujdesen psikologë dhe punonjës socialë.

Kan e konsideronte veten politikisht më të majtë. Deri tani. Që kur pa fotot nga Gaza, ku njerëzit në rrugë po festonin sulmin terrorist dhe izraelitët e vdekur, kjo ka ndryshuar. “Uroj që Gaza të mos ekzistojë më.”

“Shpresoj që vendi ynë të bashkohet sërish, të kemi një qeveri të re që përfaqëson unitetin tonë”, thotë Kan. Ajo thotë se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe njerëzit e tij e çuan Izraelin në këtë fatkeqësi.

Tre ditë pas sulmit, zona përgjatë barrierës midis Izraelit dhe Gazës i ngjante një hapësire ndërmjetëse të çuditshme. Në një rrethrrotullim në qytetin e Sderotit, mizat gumëzhinin mbi gjakun e tharë pranë një minibusi, ndërsa, siç ndodh shpesh, binte alarmi. Zeva Adom. Zeva Adom. Alarmi i kuq.

Sderoti është i njohur në të gjithë vendin për shkak të granatimeve të shpeshta nga Rripi fqinj i Gazës.

Disa sekonda më vonë, raketat fërshëllejnë në ajër. Sistemi i mbrojtjes Iron Dome i godet dhe shpërthen që në qiell.

Në një rrugë hyrëse më në jug ka dhjetëra makina të djegura, shoferët dhe pasagjerët e të cilave ndoshta janë vrarë nga terroristët. Pak kilometra më tutje, makinat e shkatërruara po tërhiqen nga burra me jelekë vezullues; pronarët, nëse janë ende gjallë, njoftohen menjëherë me telefon se ku ndodhen makinat e tyre. Të paktën pak rregull në shkatërrim.

Më tutje, drejt bregut, ka tym të zi në qiell: Gaza. Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka filluar. Por ky është vetëm fillimi.

Avionët luftarakë F-16 gjëmojnë në ajër, mund të dëgjosh edhe zhurmën e helikopterëve Apache, shpërthimet, kërcitjen shurdhuese të artilerisë. Tani ka më shumë bombardime sesa në luftërat e mëparshme të Gazës, strategjia dhe qëllimi i Izraelit nuk dihen ende.

Kryeministri Netanyahu ka shpallur “hakmarrje të jashtëzakonshme”. Izraeli ndërmerr një kundërsulm ushtarak dhe mbrohet. Pyetja e vetme është se sa e madhe do të jetë lufta: A do të ketë një ofensivë tokësore të shoqëruar me sulme ajrore? Mbyllja dhe granatimi i bregut nga marina si në 2014?

Apo duhet të shkatërrohet plotësisht Hamasi dhe brezi bregdetar të pushtohet sërish nga ushtria izraelite, siç ishte deri në tërheqjen në vitin 2005? Dhe a është e mundur kjo?

Deri të enjten, ditën e gjashtë të luftës, më shumë se 1,400 palestinezë kishin vdekur dhe më shumë se 6,000 ishin plagosur në sulmet ajrore. Hamasi vepron mes civilëve në qytetet e ndërtuara dendur. Si mund ta dallojë ushtria izraelite popullsinë civile nga Hamasi dhe pasuesit e tij? Ekstremistët shpesh përdorin civilët si mburoja. Një çerek milion njerëz janë në arrati brenda Rripit të Gazës. Por ata nuk kanë ku të shkojnë.

Edhe në kohë më paqësore, banorët e Gazës nuk mund të largohen nga mjerimi. Edhe në kohë më paqësore, Izraeli dhe Egjipti bllokojnë pikat kufitare. Rripi i ngushtë me më shumë se dy milionë banorë është i rrethuar.

Pak kilometra nga Rripi i Gazës, në Netivot, një tank izraelit Merkava futet në pozicion. Ekuipazhi ndalon automjetin mes një reje pluhuri. Ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë, thotë një nga tre ushtarët pasi futet brenda në çatinë e tankut. Ata vijnë nga Tel Avivi dhe janë mobilizuar tre ditë më parë. Nuk duan të zbulojnë asgjë më shumë.

Asnjë ushtar që takon këtu në zonën e fatkeqësisë nuk flet për atë që do të ndodhë më pas.

Në një pikë karburanti jo shumë larg nga Re’im, ku komandot e Hamasit vranë qindra pjesëmarrës të festivalit të së shtunës, ka erë viçi të skuqur. Vullnetarët përgatisin hamburgera kosher dhe ofrojnë ujë të ftohtë dhe pije freskuese. Një ushtar ndoshta 20-vjeçar me vetulla të pluhurosura mërmërit për “betejat e vështira” në të cilat ka marrë pjesë. Ai i përket Brigadës Golan, një njësi këmbësorie e ushtrisë. “Shumë nga miqtë e mi kanë vdekur,” thotë dhe largohet.

Ekziston një paralele tjetër me Yom Kippur 1973: Pas një Lufte Gjashtë-ditore të fituar triumfalisht në 1967, me pushtimet tokësore, Izraeli u ndje i pamposhtur.

E njëjta gjë ishte e vërtetë, në një farë mënyre, deri në atë të shtunë të zezë. Njerëzit në Jeruzalem mendonin se ishin shumë të sigurt, se kishin gjithçka nën kontroll, përfshirë çështjen palestineze. Vitet e fundit është folur shumë për një Lindje të Mesme të re: Izraeli firmosi marrëveshje diplomatike me disa shtete arabe, me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Bahreinin, me Marokun dhe Sudanin. Pritej madje një marrëveshje me Arabinë Saudite. Ideja gjeopolitike ishte: Izraeli dhe kombet arabe bashkohen kundër armikut të përbashkët, Iranit. Palestinezët dhe pretendimi për shtetin e tyre nuk luajtën pothuajse asnjë rol: të mbyllur pas gardheve, mureve, barrierave, në Rripin e Gazës, por edhe në Bregun Perëndimor.

Ky i ashtuquajtur normalizim ndoshta ka marrë fund tani për tani. Në ndryshim nga sundimtarët, solidariteti me palestinezët mbetet i fortë në mesin e popullatës arabe.

Në vend të bashkëpunimit paqësor, tani ekziston frika nga një konflikt. Një luftë midis Gazës dhe Izraelit ka pasur gjithmonë potencialin për t’u përhapur në rajon. Edhe sepse është ende e paqartë se kush tjetër mund të qëndrojë pas saj. A mund të ketë sukses vetëm Hamasi në një sulm të këtyre përmasave? Apo është një nga sponsorët e tyre, përkatësisht Irani, përgjegjës për këtë? Nëse Izraeli tani sulmon Hamasin në Gaza, Hezbollahu në Liban dhe milicitë iraniane në Siri mund të kundërpërgjigjen – dhe kjo mund të bëhet një luftë e madhe në Lindjen e Mesme. Si masë paraprake, SHBA ka dërguar një grup aeroplanmbajtësesh në rajon. Në realitet, asnjë nga fuqitë rajonale nuk është e interesuar për një përshkallëzim gjithëpërfshirës. / Me shkurtime nga Der Spiegel – Bota.al

Back to top button