Ish Kryeministri laburist anglez, Toni Bler, kërkonte 460 mijë Euro (330 mijë stërlina) për të hapur një konferencë botërore mbi urinë në botë, me një fjalim 20-minutësh. Tratativat vazhduan për disa muaj dhe organizatorët e aktivitetit në Stokholm kishin ofruar 174 mijë dollarë, por nuk ishin të mjaftueshëm. Dhe organizatorët tërheqin ftesën
Ish Kryeministri laburist anglez, Toni Bler, kërkonte 460 mijë Euro (330 mijë stërlina) për të hapur një konferencë botërore mbi urinë në botë, me një fjalim 20-minutësh.
Bëhet fjalë për 380 Euro në sekondë, për të folur për ata që nuk kanë asgjë për të ngrënë. Kërkesa e Blerit është zbuluar nga tabloidi britanik, Daily Mail, i cili ka specifikuar se paratë do të përfundonin në arkat e Fondacionit të bamirësisë së bashkëshortes së ish kryeministrit, Sheri Bler.
Agjencia “Krugër Kraun” kishte nisur kontaktet për të ftuar mysafirin e famshëm. Për diskutimin e hapjes të konferencës botërore mbi urinë në botë në Stokholm, Bleri ka kërkuar 348 mijë Euro, si dhe 111 mijë Euro të tjera shpenzime. Në vitin 2014, ish presidenti i SHBA, Bill Klinton kishte kërkuar 456 mijë Euro për edicionin e parë të samitit.
Od Arvid Stromshtad, drejtor ekzekutiv i forumit mbi urinë, që organizohet në Suedi, ka konfirmuar për Daily Mail: “Shuma që kërkonin ishte shumë e lartë dhe kështu ne nuk vazhduam me negociatat”. Zyra e Blerit ka përgënjeshtruar që problemi kishin qenë paratë, duke thënë se ish kryeministri kishte angazhime të tjerë, dhe kështu iu desh të heqë dorë. Në të vërtetë, tratativat vazhduan për disa muaj dhe organizatorët e aktivitetit në Stokholm kishin ofruar 174 mijë dollarë, por nuk ishin të mjaftueshëm.
Pasi qeverisi Anglinë si Kryeministër i qendrës së majtë, Bleri u shndërrua në miliarder përmes konsulencave dhe konferencave të rangjeve të lartë. Në vitin 2007, për një fjalim të tij para 600 funksionarëve të partisë komuniste, sipërmarrësve dhe bankierëve kinezë, u paguan 456 mijë Euro. Kompania e tij për konsulenca strategjike ka patur marrëdhënie me qeverinë e Kazakistanit, kundrejt një pagese prej 22 milionë dollarësh për dy vjet. 37 milionë dollarë të tjerë kanë ardhur nga Kuvaiti, për këshilla mbi reformat ekonomike dhe politike.
Bleri nuk është i vetëm. Në 29 maj u bë e ditur se në vitin 2014, Fondacioni Klinton ka përftuar një donacion prej 459 mijë dollarësh. Sipas të përditshmes amerikane Nju Jork Tajms, shuma bujare ka ardhur në këmbim të pranimit të një cmimi të karrierës, nga ana e ish presidentit të SHBA. Ceku është firmosur nga Hippy Hearts fund, një shoqatë bamirëse e krijuar për të ndërtuar shkolla në pjesë të prapambetura të botës. Ideja i erdhi modeles Petra Nemcova, e cila pasi shpëtoi prej mrekulli nga cunami, i hyri rrugës së bamirësisë. Kritikët nxituan të theksojnë se me shumën që i ka dhënë Klintonit, ajo do të kishte ndërtuar dhjetë shkolla në vendet e goditur nga fatkeqësitë.
Ish udhëheqësit e qendrës së majtë duket se i bashkojnë shumat e mëdha që marrin për konferenca dhe konsulenca. Jo në nivelet e Blerit, por edhe ish Kryeministri i Italisë, Romano Prodi, nuk i refuzonte ftesat nga Kazakistani. Në Forumin Ekonomik të Astanës në vitin 2013, themeluesi i Ulivo-s foli për krizën ekonomike. Prodi ka qenë pjesë e komitetit ndërkombëtar të konsulentëve të presidentit Nursultan Nazarbajev, ati/padroni i vendit. E përjavshmja gjermane Der Spiegel ka zbuluar se bashkë me ish kryeministrin italian, nga ana e udhëheqësit të Kazakistanit paguheshin edhe “ish kancelarët gjerman dhe austriak, Gerhard Shrëder dhe Alfred Gusenbauer, ashtu si dhe ministri i brendshëm gjerman, Oto Shili”. Pesha të rënda të politikës ndërkombëtare, të gjithë eksponentë të lartë të qendrës së majtë, që i bashkon “pecunia non olet” – (paraja nuk mban erë). /IlGiornale-Bota.al