Letersi

Tragjedia e pakohë. Thëniet më të famshme të “Makbethit”, bashkë me shpjegime

E konsideruar mes veprave më të mëdha të Uilliam Shekspirit, Makbethi është e mbushur me disa nga thëniet më të fuqishme të shkruara ndonjëherë. Disa prej tyre janë bërë idioma, ndërsa të tjerat shpesh citohen nga njerëzit në biseda të përgjithshme. Më poshtë janë 10 nga thëniet më të famshme nga kjo vepër e errët dhe e fuqishme.

10. “Megjithatë kam frikë nga natyra jote. Është shumë e mbushur me qumështin e mirësisë njerëzore, për të marrë rrugën më të shkurtër.”

– Lady Macbeth (Akti I, Skena V)

Kjo gjë thuhet nga Lady Macbeth pasi ajo lexon një letër nga bashkëshorti i saj, i cili e informon për profecinë e magjistricave, që thonë se Macbeth do të jetë Mbreti. Ajo është e ngazëllyer nga letra, por frikësohet se Macbethi është shumë ‘i mbushur me qumështin e mirësisë njerëzore’ ose një natyrë shumë të mirë, për të marrë rrugën më të shkurtër drejt kurorës, që do të ishte eliminimi i mbretit dhe pushtimi i fronit.

9. “Ngjaj si lulja e pafajshme, por ji gjarpëri poshtë saj”

– Lady Macbeth (Act I, Scene V)

Kjo thuhet nga Lady Macbeth gjatë një fjalimi në të cilin ajo është duke bindur burrin e saj, që të bëjë gjoja sikur është bujtësi i përsosur, kur Mbreti Duncan i viziton në shtëpinë e tyre, me qëllim që të fshehë qëllimin që kanë, për ta vrarë Duncanin. Prandaj ajo i thotë Macbethit të duket si një lule e pafajshme, por të jetë si gjarpri që fshihet nën të.

8. “Ji gjakatar, i guximshëm dhe i vendosur. Qesh për të përbuzur fuqinë e njeriut, sepse askush që ka lindur prej gruas, nuk do të dëmtojë Macbethin”

– Shfaqja e dytë e fantazmave (Akti IV, Skena I)

‘Fëmija i përgjakshëm’ është e dyta nga tre fanepsjet që magjistricat i bëjnë Macbethit dhe ndoshta është më e famshmja. I thotë Macbethit të jetë i sigurt dhe pa frikë, sepse asnjë person i lindur nga një grua nuk do mund ta dëmtojë atë. Kjo bind Macbethin se ai është i pamposhtur, pasi kurrë nuk do të vritet nga një burrë tjetër. Ai vendos të neglizhojë fanepsjen e parë, që e paralajmëroi atë për Macduffin dhe nuk e kupton se ‘fëmija i përgjakshëm’ është në fakt Macduffi i mitur, i mbuluar me gjakun e barkut të çarë para kohe, të nënës së tij.

7. “Në buzëqeshjet e meshkujve ka kama. Të afërmit në gjak, janë më gjakatarë”

– Donalbain (Akti II, Skena III)

Kjo thuhet nga djali i vogël i Mbretit Duncan në një bisedë me vëllain e tij të madh, pas vrasjes së babait të tyre. Donalbain dyshon se njerëzit që i rrethojnë dhe u sillen mirë, kanë mes tyre personin që u vrau babanë. Ai thotë se kamat janë të pranishme në buzëqeshjen e burrave, ndoshta duke iu referuar dhëmbëve që nxjerr njeriu kur buzëqesh, dhe nënkupton se jo të gjithë ata që veprojnë në mënyrë miqësore janë miq. “Të afërmit në gjak, janë më gjakatarë” nënkupton se kini kujdes nga ata që janë në marrëdhënie më të afërta me ju, pasi ata ka më shumë gjasa t’ju tradhëtojnë dhe t’ju vrasin.

6. “Le të bjerë thika jote në zemra të brishta; Unë kam një jetë të bekuar, e cila nuk duhet jepet para një të linduri nga gruaja”

– Macbeth (Akti V, Skena VIII)

Kjo gjë thuhet nga Macbethi, kur Macduffi e sfidon. Ai thotë që, le të bjerë shpata jote mbi zemra që janë të brishta, ose lufto me dikë që mund të mposhtet. Ai shton se ai ka një jetë të bekuar, e cila nuk mund të përfundojë nga një i lindur prej një gruaje. Macbeth e ka këtë iluzion të të qënit i pamposhtur, për shkak të fanepsjes së dytë që thotë se “asnjë grua e lindur nuk do të dëmtojë Macbethin”. Macduff më pas shpall, se ai nuk ka lindur, por është nxjerrë nga barku i prerë i nënës së tij. Kjo thënie i ka dhënë jetë frazës së famshme “jetë e bekuar”. Ndonëse nënkuptonte jetën e magjishme në kohën e Shekspirit, fraza u zgjerua për të nënkuptuar të gjithë ata që janë me fat , e që për pak i shpëtojnë rrezikut.

5. “E drejta është e ligë, dhe e liga është e drejtë”

– Magjistricat (Akti I, Skena I)

Ndër të fundit në skenën I të Aktit I, kjo thënie e famshme del nga goja e shtrigave dhe përcakton tonin e tragjedisë. Mund të deshifrohej thjesht, sikur ajo që është e drejtë apo e bukur do të bëhet e ligë ose e shëmtuar dhe e anasjellta, dmth gjërat do të jenë e kundërta e asaj që duken. Mund të interpretohet gjithashtu që bota e Macbethit do të përmbyset dhe ai do të bëjë gjëra, që i konsideron të shëmtuara ose të padrejta, duke shpërfillur atë që konsideron të drejtë. Kjo pjesë është ndër më të rëndësishmet në tragjedinë Macbeth dhe mund të konsiderohet si më afër përshkrimit të temës së shfaqjes.

4. “Për të njohur veprimin tim, më të mos njoh veten time”

– Macbeth (Akti II, Skena II)

Ky citim i famshëm është thënë nga Macbeth në skenën ku ai kthehet pas vrasjes së Duncanit. Macbethi po thotë se do të ishte më mirë të mos e njihte veten, sesa të ishte i vetëdijshëm dhe të mendonte për krimin që kishte kryer. Ai dyshon nëse e njeh njeriun që ka kryer krimin. Ndonëse Macbeth zgjedh të realizojë ambicien e tij me mjete joetike, ai është gjithashtu i vetëdijshëm që ka bërë keq.

# 3 “Jashtë, jashtë, qiri i shkurtër! Jeta, është veç një hije që ecën, një lojtar i gjorë që kapardiset dhe shqetësohet në orën e tij mbi skenë, dhe pastaj nuk dëgjohet më. Eshtë një përrallë e thënë nga një idiot, plot zhurmë dhe tërbim, pa asnjë kuptim”

– Macbeth (Akti V, Skena V)

Ky është nga një prej monologëve më të njohur të Macbethit. Thuhet nga Macbeth pasi dëgjon se gruaja e tij ka bërë vetëvrasje dhe gjithashtu di se ushtritë po marshojnë kundër tij. Ai thotë se ditët në këtë botë janë të shkurtra, një ‘qiri i shkurtër’ dhe në fund, njeriu mbështillet në errësirë. Ai e krahason jetën me një aktor të parëndësishëm, një ‘hije në këmbë’ për personazhin që luan. Ky aktor i parëndësishëm që “kapardiset në orën tij mbi skenë”, ose është krenar dhe i shqetësuar për pjesën e vogël që ka për të kryer në skenë, dhe pastaj ai nuk dëgjohet më. Më pas, e krahason jetën me rrëfimin e një regjisori, që është plot me zhurmë dhe pasion, por në fund të fundit nuk ka asnjë kuptim. Duke krahasuar jetën me teatrin, Shekspiri jo vetëm që e vë në dyshim qëllimin e jetës, por gjithashtu kujton për natyrën iluzore të teatrit.

2. “Ja tek është ende, era e gjakut. Të gjitha parfumet e Arabisë nuk do ta ëmbëlsojnë këtë dorë të vogël”

– Lady Macbeth (Akti V, Skena I)

Kjo është nxjerrë nga skena e famshme e ecjes nëpër gjumë, pas së cilës Lady Macbeth kryen vetëvrasje jashtë skene. Është pjesë e atij që konsiderohet një nga pasazhet më të mëdhenj që rrokin fajin, në letërsinë angleze. Lady Macbeth është e traumatizuar dhe në faj, dhe thotë se nuk mund ta heqë qafe erën e gjakut nga duart e saj, madje as edhe nëse përdor të gjitha parfumet e Arabisë. Kjo është në kontrast të thellë me atë që ajo i tha Macbethit, kur ai vrau Duncanin, kur i tha: “Pak ujë na pastron nga kjo vepër”. Duke ditur se ajo ishte forca kryesore që udhëhoqi Macbethin në këtë rrugë vrastare, ndjenja e fajit ka pushtuar mendjen e saj, dhe ajo nuk është në gjendje të largohet nga mëkati.

1. “Gjërat që nuk ndreqen, duhet të mos merren parasysh: çfarë është bërë, është bërë”.

– Lady Macbeth (Akti III, Skena II)

Lady Macbeth ia thotë këtë gjë burrit të saj, në një përpjekje për ta bërë atë që të kapërcejë fajin dhe frikën që po përjeton, për shkak të vrasjes që ka kryer. Ajo thotë se gjërat që nuk mund të ndreqen nuk duhet të merren parasysh, ose nuk duhet të mendosh për gjëra të cilat nuk mund t’i korrigjosh. Ajo shton “çfarë është bërë, është bërë” duke nënkuptuar se “nuk ka ndryshim të së kaluarës, prandaj harroje dhe vazhdo përpara”. Megjithëse Shekspiri nuk ishte ai që pagëzoi frazën “ajo që është bërë, është bërë”, Macbeth mbetet një nga regjistrimet e para ku ajo është përdorur dhe patjetër që e ka bërë atë shumë të përhapur. / Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button