Covid19 AnalizaMAIN

Trazirat sociale, trashëgimia e pashmangshme e pandemisë së Covid-19

Nga Andreas Kluth

“Pra, kur sëmundja dhe varfëria arriti kulmin; urdhrat më të rrepta nga ana e autoriteteve, e thelluan me shumë zemërimin dhe pikëllimin tonë, duke penguar lehtësimin e situatës”.

Kështu e shpjegonte dikur poeti britanik George Wither, një rebelim të përhapur kundër rregullave të distancimit social.

Duke i cilësuar karantinat dhe bllokimet si ndëshkime të padrejta dhe tiranike ndaj tyre, njerëzit nisën të sfidonin autoritetet duke dalë nëpër rrugë. Ishte vitit 1625, vendi ishte Londra, dhe sëmundja ishte Murtaja.

E njëjta psikologji nxori rreth 20.000 njerëz në rrugët e Lajpcigut të shtunën e një jave më parë. Sipas policisë, duke hedhur poshtë të gjitha rregullat, rreth 90 për qind e marshuesve refuzuan të mbanin maska. Ata përfaqësonin një spektër të larmishëm të teoricienëve të konspiracionit  dhe adhuruesve të lirisë, të ekstremistëve të djathtë, dhe atyre që janë thjesht nostalgjikë për revolucionin paqësor të Gjermanisë Lindore 31 vjet më parë.

Dhe kjo ishte vetëm e fundit nga shumë demonstrata të tilla të zhvilluara këtë vit në Gjermani dhe në dhjetëra vende të tjera të botës. Njerëzit kanë marshuar ose protestuar nga Sheshi Trafalgar në Londër Michigan Statehouse në SHBA, ndonjëherë të armatosur me armë.

Carnegie Endowment for International Peace”, ka numëruar më shumë se 30 protesta të mëdha në 26 vende midis marsit dhe tetorit të këtij viti vetëm kundër masave kufizuese për shkak të koronavirusit.

Por protestat në Lajpcig,Miçigan, Britani apo Australi, përfaqësojnë vetëm një kategori trazirash, thonë Thomas Carothers dhe Benjamin Press të “Carnegie” . Këto tubime shfryjnë zhgënjimet e njerëzve që jetojnë relativisht mirë në demokraci të zhvilluara dhe funksionale.Në një kategori tjetër, po ndodhin shumë protesta kundër qeverive apo udhëheqësve që dyshohet se janë të korruptuar (si në Bullgari), të paaftë (në Brazil) apo demagogjikë, jo-liberalë dhe madje anti-demokratikë.

Për shembull, izraelitët protestuan kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu pasi ai mbylli gjykatat, shpërndau parlamentin dhe kërkoi mbikëqyrje dixhitale të qytetarëve, që të gjitha këto në emër të luftës ndaj pandemisë.

Serbët dolën në rrugë kundër presidentit të tyre Aleksandar Vucic. Ai hoqi bllokimin për të lejuar mbajtjen e një palë zgjedhjeve që ishin në interesin e tij, por që në fund ndihmoi në një ringjallje të valës së infektimeve nga koronavirusi. Më pas vendosi një bllokim të dytë, të cilin serbët e interpretuan si një goditje ndaj mendimit ndryshe.

Një lloj i tretë i protestave, është më i zakonshëm në vendet e varfra. Ai i mobilizon njerëzit jo aq shumë për shkak të shqetësimit mbi virusin apo demokracinë, por pasi kanë frikë mbi jetesën e tyre. Në Malavi, shitësit ambulantë kanë marshuar me parulla që thonë “Më mirë të vdesim nga korona, sesa nga uria!”.

Qytetarët e Ekuadorit, kanë protestuar kundër politikave mbi koronavirusin, që kërcënojnë t’i varfërojnë ata, duke përfshirë mbylljen e ndërmarrjeve shtetërore dhe uljen e pagave. Dhe pastaj janë shumë protesta të tjera, që thuhet se kanë pak të bëjnë me Covid-19, por ndoshta bëhen më urgjente apo më të ashpra në kontekstin e pandemisë.

Black Lives Matter”, është një kryengritje kundër padrejtësisë racore që rifilloi në SHBA pas vrasjes nga policia të afro-amerikanit George Floyd. Pastaj u përhap në të paktën 16 vende të tjera, nga Franca dhe Britania, në Brazil dhe Afrikën e Jugut. Në librat e historisë, ikonografia e turmave me maska në fytyrë, ​​do të ftojë gjithnjë lidhjen me trazirat sociale.

Në muajin prill, unë parashikova se “kjo pandemi do të çojë në revolucione sociale”. Dhe ajo që kemi parë deri më tani është vetëm fillimi. Pavarësisht shpresave të reja për një vaksinë, Covid-19 do të hyjë tani në fazën e tij më vdekjeprurëse, në shumë rajone që po hyjnë në stinën e ftohtë të dimrit.

Edhe pasi ta kemi mundur virusin, shumë prej efekteve të tij do të zgjasin për vite të tëra.

Ashtu si benzina kur hidhet mbi flakë, Covid-19 ka ringjallur përçarjet, pakënaqësitë dhe pabarazitë e vjetra në të gjithë botën. Në SHBA, afro-amerikanët vuajnë në mënyrë disproporcionale nga brutaliteti i policisë, por edhe nga koronavirusi.

Tani këto dy trauma po bëhen bashkë. Dhe kudo, të varfrit po vuajnë më keq se të pasurit.

Në mars, ende në fillim të pandemisë, disa analistë po vërenin se ne po hynim në një “epokë të protestave masive” – numri i rebelimeve në të gjithë botën është rritur mesatarisht 11.5 për qind në vit që nga viti 2009.

Covid-19, ashtu si shumë plagë të tjera më parë, do të veprojë tani si një përshpejtues i zjarrit.Disa lëvizje do të rrëzojnë qeveritë, të tjerat do të shtypen prej këtyre të fundit. Disa do të shpërthejnë së shpejti, të tjerat do të zgjasin me vite.

Në vitin 1381, të varfrit rurale të Anglisë u ngritën në revoltë në të ashtuquajturën Revolta e Fshatarëve, duke vrarë, plaçkitur dhe djegur. Ata e bënë këtë,pasi jeta e tyre ishte bërë e pajetueshme që kur Vdekja e Zezë kishte goditur 33 vjet më parë. Dhe elitat e kohës nuk kishin bërë asgjë për t’i përmirësuar gjërat. / BLOOMBERG

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close