Histori

Tre leksionet e Luftës së Madhe

Nga Ian Lesser

Bruksel – Njëmbëdhjetë nëntori shënoi 100 vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore – “Luftës së Madhe”, luftës që supozohej t’i jepte fund të gjitha luftërave, siç shpresonin shumë njerëz në atë kohë. Vitet e fundit, ne kemi parë lindjen e rreziqeve të reja, ose më mirë rikthimin e atyre të vjetra.

Nga nacionalizmi i ringjallur, tek rilindja e konkurrencës mes fuqive të mëdha, ne po përballemi me jehona shqetësuese nga një epokë më e hershme. Të marra së bashku, ato përbëjnë një paralajmërim të zymtë për rreziqet që vijnë nga vetëkënaqësia, apo edhe brishtësia e rendit botëror.

Tri mësime dalin nga lufta e viteve 1914-1918, dhe pasojat e saj. Së pari, dhe më e dukshmja, është brishtësia e qartë e marrëdhënieve, që në pamje të parë janë të qëndrueshme. Në 1914, rendi evropian – dhe rendi evropian ishte për të gjitha qëllimet dhe synimet, rendi global – kaloi nga stabiliteti relative, në një kolaps të plotë brenda disa javësh.

Dhe ajo ishte në periudhë, kur diplomacia dhe komunikimet, qenë shumë më të ngadalta sesa sot. Në fakt, shenjat e destabilitetit ishin atje, për ata që donin t’i shihnin ato. Udhëheqja dinastike, gjendej nën kërcënimin e forcave liberale dhe të tjera prej të paktën 1 shekulli, dhe këto forca mund të ishin agresivisht nacionaliste.

Rivaliteti i vazhdueshëm në periferinë koloniale, rrezikonte gjithmonë të minonte stabilitetin brenda Evropës. Zhvillimet në teknologjinë ushtarake, dhe mobilizimi nëpër rrjetet e stacioneve hekurudhore, me qëllim rekrutimin masiv, shihen si pengesa.

Në atë rast, ato u dëshmuan teje destabilizuese. Përveç revolucionarëve, udhëheqjet në të gjithë Evropën, disa të angazhuara në ruajtjen e rendit ekzistues, dhe të tjerët të prirura për ta ndryshuar atë, ndanë supozime të ngjashme mbi stabilitetin e brendshëm të sistemit. Ato e kishin gabim. Pakënaqësia, është një faktor i qëndrueshëm i rrezikut në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Leksioni i dytë, ka të bëjë me marrëdhëniet e pasigurta ndërmjet ekonomisë dhe konfliktit. Vitet para luftës, u karakterizuan nga një shkallë e lartë e ndërvarësisë ekonomike, dhe e lirisë relativisht të madhe të lëvizjes përtej kufijve. Ky supozohej gjerësisht se ishte një faktor stabiliteti.

Luftërat nuk “kanë leverdi”, prandaj ato nuk do të zhvilloheshin. Edhe ky hamendësim ishte gjithashtu i gabuar. Lufta shkaktoi kriza ekonomike në të gjithë Evropën, dhe pasojat e saj nxitën perceptimin, se aftësia për t’i shkaktuar të tjerëve dëme ekonomike, dhe për të rezistuar vetë ndaj tyre, ka qenë dhe do të mbetet vendimtare.

Përvoja e bllokadës ekonomike dhe kundër-bllokadës nga ana tjetër, pati një ndikim të madh në mendimin strategjik të pas vitit 1918. Midis dy luftërave botërore, çdo fuqi e madhe, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ngritën institucione e ekonomisë së luftës.

Zhytja në konfliktin e vitit 1914, e bëri të qartë që ndërvarësia ekonomike nuk është një garanci për stabilitet. Por cikli i proteksionizmit ndërmjet dy luftërave botërore, nënvizoi ndërkohë aftësinë e nacionalizmit ekonomik për ta minuar atë.  

Lufta e Parë Botërore, ngriti skenën për një përkeqësim të marrëdhënieve tregtare, politike dhe në fund edhe strategjike. Ajo përbën një leksion rreth rreziqeve të politikës ekonomike, të shkëputur nga gjeopolitika. Së fundmi, 1918-a shënon 100-vjetorin e rolit të veçantë të SHBA-së në Evropë.

Lufta e Parë Botërore, konfirmoi lidhjen thelbësore midis sigurisë evropiane dhe fuqisë amerikane. Hyrja e Amerikës në luftë në vitin 1917, roli i financave amerikane në ekonominë luftarake të aleatëve, dhe roli qendror i Uashingtonit në formimin e paqes, krijuan një lidhje të qëndrueshme strategjike.

Kjo është një lidhje, që i ka rezistuar presioneve izolacioniste, për arsyen e thjeshtë se angazhimet amerikane në Evropë, pasqyrojnë interesin kombëtar të Amerikës për sigurinë e kontinentit.

Këto leksione, ia vlen të merren në konsideratë edhe nga udhëheqësit botërorë, që të dielën u takuan në Paris për të përkujtuar Armëpushimin e vitit 1918. Ato janë një kujtesë e kthjellët për rreziqet e vetëkënaqësisë, nacionalizmit dhe qasjes dinake ndaj njëri-tjetrit në marrëdhëniet e aleancës.

Shënim: Ian Lesser, zv/drejtor i revistës “Foreign Policy”, dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Transatlantike

“German Marshall Fund” – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button