Në #Gjirokastër është zhvilluar në një takim të zgjeruar me praninë e Ambasadorit të BE në Shqipëri, Z. Luigi Soreca, kryebashkiakë, shoqërinë civile dhe mediat, ku janë prezantuar dhe ësht ë sh ënuar fillimi zyrtar i tre projekteve: “Bashkitë për në Evropë 2.0”, “BE për Bashkitë” dhe “STAR III”.
Të tre këto projekte që financohen nga Bashkimi Evropian,mbështesin bashkitë shqiptare në procesin e pranimit në BE. BE po mbështet fuqishëm Shqipërinë drejt përmirësimit të shërbimeve publike, decentralizimit dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal – ku integrimi në BE ndodh çdo ditë.
“Kënaqësi të ritakohesha sot në Gjirokastër me kaq shumë kryetarë bashkish. Sjellja e qeverisjes vendore dhe qytetarëve shqiptarë më pranë BE-së është thelbi i ndihmës që BE-ja i jep Shqipërisë. Shkëmbim shumë i frytshëm mbi rolin e qeverisjes vendore në procesin e integrimit në BE.
Pata gjithashtu kënaqësinë të informoja kryetarët e bashkive se si BE po rrit mbështetjen e saj drejt infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendore, zhvillimit ekonomik lokal, inovacionit, krijimit të vendeve të punës, mbrojtjes së mjedisit dhe fuqizimit të të rinjve në #Shqipëri,” deklaroi Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
Kryetari i Bashkisë Gjirokastër që ishte dhe bashkëorganizatore e aktivitetit, Z. Flamur Golemi u shpreh se “fillimi i këtyre tre projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian janë një lajm i mirë për qytetarët që ne përfaqësojmë, ashtu sikurse janë një mundësi më shumë për qeverisjen lokale në Shqipëri”.
“Sa më shumë thellohemi në këtë proces, aq më shumë kthjellohemi se integrimi real i Shqipërisë në BE ka të bëjë me standartet, të cilat duhet të zbatohen në radhë të parë në nivel vendor”, deklaroi ZvMinistri i Brendshëm, Andi Mahile.
Kryenegociatori i Shqipërisë, Ambasadori Zef Mazi vuri theksin në faktin se 70% e korpusit legjislativ të Unionit, zbatohet në nivel lokal. Sipas tij, “është shumë e rëndësishme që kapacitetet administrative dhe financiare të bashkive të zhvillohen në mënyrë që të përputhen me detyrimet aktuale, por edhe ato të së ardhmes”.