Analiza

Tre rrugët që ka Amerika për krizën e Ukrainës

Roger Myerson (Ekonomist, fitues i Cmimit Nobel, Universiteti i Cikagos)
John E. Herbst (Ambasador i SHBA në Ukrainë, 2003-2006)

Russia Avoiding Armageddon

Me mijëra trupa të rregullt ruse në Ukrainë dhe dhjetëra mijëra të grumbulluara në kufi, rreziku i një agresioni të mëtejshëm të Kremlinit në Ukrainë është i lartë. Amerika duhet të punojë urgjentisht me aleatët e saj europianë për një reagim më të fortë dhe efektiv për të frenuar këtë rrezik. Bazuar në analizën strategjike dhe një përvojë të gjatë diplomatike, ne ofrojmë këta tre parime bazë që duhet të udhëheqin reagimin e Amerikës ndaj kësaj krize ndërkombëtare.
Së pari, ne rekomandojmë që Amerika duhet të pranojë detyrimet e saj kundrejt Ukrainës, sipas Memorandumit të Budapestit për Garancitë e Sigurisë, firmosur në vitin 1994.
Në këtë marrëveshje, Rusia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar u angazhuan të mbështesin sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial, në këmbim të largimit të armëve bërthamore sovjetike nga territori i Ukrainës. Kauza e mospërhapjes bërthamore do të pësojë një goditje kudo në botë, nëse garancitë për sigurinë të ofruara nga Amerika, të cilat u dhanë në këmbim të heqjes dorë nga ana e një shteti, prej armëve bërthamore, do të rezultojnë të pavlera kur ky vend përballet me një agresion. Ne duam që bota të shohë se dorëzimi paqësor i armëve bërthamore nga Ukraina i ka sjellë asaj akses në armët konvencionale, kur ajo ka vërtetë nevojë për to, për të mbrojtur kufijtë e vet.
Amerika duhet të bëjë të qartë se ndihma e saj në kuadrin e Memorandumit të Budapestit përfshin furnizimin me armë mbrojtëse, për arsye se kufijtë e Ukrainës u shkelën ndërkohë që ka rrezik për një agresion të mëtejshëm. Një ndihmë e tillë do të ofrohej menjëherë dhe do të përfshinte antitanke, antiajrorë si dhe pajisje për mbledhje informacioni. Një ndihmë e tillë do të rriste koston enjë pushtimi të mundshëm prej Kremlinit apo marionetave të tij, të portit të Mariupolit, apo territoreve shtesë në Luhansk dhe Donetsk. Këtu, Putini është i cënueshëm. Sondazhet e Levada Center në Moskë gjatë muajve të fundit tregojnë se më shumë se dy e treta e rusëve nuk duan që ushtarët rusë të luftojnë në Ukrainë. SHBA duhet të informojë Moskën se furnizimi me këto armë do të ndalet vetëm kur Rusia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj në kuadër të procesit të Minskut: tërheqje e luftëtarëve rusë (ushtarët e rregullt dhe “vullnetarët”) dhe armatimeve nga Ukraina; si dhe respektim i kontrollit të plotë prej Kievit, të rajonit të Donbassit, duke përfshirë anën e tij të kufirit ruso-ukrainas.
Së dyti, për të siguruar solidaritetin e Aleancës dhe për të nxitur më tej Putinin që të ndalë agresionin e tij, Amerika duhet të bëjë një ofertë të fortë të kushtëzuar që, pasi Kremlini të ketë zbatuar plotësisht angazhimet e tij në kuadër të procesit të Minskut dhe pasi Ukraina të ketë kontrollin e plotë të DOnbassit, SHBA do të premtonte që të mos mbështeste anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ky kusht duhet të kërkojë mirëkuptimin e Kremlinit që Ukraina ka të drejtën të vendosë çdo lloj marrëdhënieje joushtarake me Bashkimin Europian që të dy palët do ta gjenin të pranueshme, si dhe respektim nga ana e Rusisë të zgjedhjeve sovrane të Ukrainës si dhe integritetit territorial të saj.
Kjo ofertë do të qetësonte drejtpërdrejtë shqetësimet ruse për sigurinë, që lidhen me zgjerimin e NATO-s. Por duke kërkuar respektimin e kufijve të Ukrainës nga Rusia, ajo do të rriste me shpejtësi sigurinë e Ukrainës në mënyra që, premtimi teorik për anëtarësim në NATO nuk do ta bënte dot. Ne mund të kuptojmë që Moska do të kundërshtonte me forcë zgjerimin e NATO-s pranë kufijve të saj, por ky propozim do të garantonte Moskën për sigurinë e saj, pa i rënë në qafë sigurisë së fqinjëve të Rusisë.
Forca më e rëndësishme për mbrojtjen e Ukrainës është guximi patriotik i popullit të saj, që ka besim se mundet të shërbehet më mirë prej një Ukraine të pavarur dhe sovrane. Reformat politike që forcojnë besimin e tyre bëjnë më shumë për pavarësinë e Ukrainës në të ardhmen se sa pajisjet ushtarake.
Kështu që, rekomandimi ynë i tretë është që SHBA duhet të nxisë udhëheqësit e Ukrainës që të implementojnë plotësisht reformat që kanë premtuar në manifestet e tyre elektoralë, dhe t’u japin ukrainasve një qeveri më të përgjegjshme që do u shërbejë më mirë në të ardhmen.
Eshtë shqetësuese që ka patur kaq pak përparim drejt reformave, edhe pasi një shumicë komanduese votoi për reforma themelore në zgjedhjet e fundit parlamentare. SHBA dhe partnerët e saj europianë duhet t’i kujtojnë presidentit Poroshenko dhe Kryeministrit Yatsenyuk se mbështetja jonë për ekonominë e Ukrainës do të kushtëzohet prej implementimit nga ana e tyre të një programi efikas reformash./Huffington Post/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button