Analiza

Tri rrënjët e Frontit Nacional

Bernard Gueta

U përgjigja me shumë nxitim. Një gazetë e madhe evropiane – La Stampa – më pyeti nëse ka ndonjë arsye specifike franceze, për të shpjeguar faktin që e djathta ekstreme ka arritur të eliminojë të djathtën, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, dhe që ajo mund të marrë rreth 40 për qind të votave në raundin e dytë, më 7 maj.

I thashë që jo, nuk ka asnjë, sepse kisha në mendje – ndoshta për njëanshmëri profesionale – shumë situata të ngjashme në vende të tjera, por në realitet gabohesha. Isha gabim sepse në Francë, e djathta ekstreme i ka rrënjët në tre momente të ndarjes kombëtare, që vazhdojnë të peshojnë fort mbi debatin politik.

Më i largëti dhe tashmë më pak i dëgjuari, mbetet revolucioni. Po, ai i 1789-ës, prej ku lindi republika, të cilës iu desh pothuaj një shekull që të stabilizohej, duke qenë se një pjesë e vendit vazhdoi për një kohë të gjatë, që të refuzojë fundin e një rendi sekular dhe monarkik, i përbërë prej të drejtës hyjnore dhe aleancës mes pushtetit dhe kishës.

Nga kolaboracionizmi tek lufta në Algjeri

Sot, askush nuk e konteston më republikën, por beteja e madhe që përshkoi të gjithë shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe vazhdoi në fillim të shekullit XX, duke kundërvënë partitë e ndryshimit dhe ato tradicionale, ka karakterizuar për shumë kohë, jetën politike të vendit dhe ka lënë gjurmë që ende nuk janë zhdukur krejt.

Më e pranishme, e dyta e këtyre ndarjeve historike është ajo e bashkëpunimit me nazistët. Mes Francës së Charles De Gaulle dhe qeverisë në mërgim në Londër nga njëra anë, si dhe asaj kolaboracioniste të Vichy, nga ana tjetër, plaga kurrë nuk është shëruar. Kjo është arsyeja pse Jean-Marie Le Pen nuk ka humbur asnjë mundësi për të minimizuar krimet e nazizmit, dhe relativizuar tmerret e pushtimit, dhe vajza e tij pohoi kohët e fundit se grumbullimi i Vel’d’hiv (në vitin 1942 në Paris, policia franceze kapi dhe transferoi më shumë se 13 mijë hebrenj në Velodromin e dimrit, të cilët më vonë u deportuan në kampet gjermane të përqendrimit) nuk kish fare të bënte me policinë franceze, ndërkohë që vazhdohet të zbulohen neonazistë në radhët e Frontit Nacional (Fn), ose edhe në drejtuesit e tij.

Sa për ndarjen e tretë, ku e djathta ekstreme ka rrënjët e saj, natyrisht që bëhet fjalë për luftën algjeriane. E djathta ekstreme ishte kundër dekolonizimit të Algjerisë franceze dhe nuk ua ka falur asnjëherë pavarësinë e Algjerisë, as Gaullistëve, as të majtës.

Paradoksi i madh është që, po ajo e djathtë që sot e sheh Islamin si një kërcënim, vazhdon të ndjejë keqardhje që Franca ka hequr dorë nga 40 milionë myslimanë, që është, popullsia aktuale e Algjerisë.

Pyetja, atëherë është kjo: çfarë ka më shumë rëndësi në forcën e FN, Francën e djeshme, apo bota e sotme?

Përgjigja është bota e sotme, për shkak se, si në Shtetet e Bashkuara, si në Rusi, Indi, Izrael, Poloni, Austri, Mbretërinë e Bashkuar apo Hungari, gjendet e njëjta frikë dhe i njëjti mohim i një bote të re, që ndryshon rrënjësisht pikat e referencës, që nuk kuptojnë dhe që shtyjnë këtë nostalgji të kotë e të rrezikshme, të kufijve dhe të nacionalizmit.

Në fakt, debati i madh ndërkombëtar që shkon përtej peshës së vërtetë të historisë në politikën franceze, është mes atyre që duan të mohojnë realitetin e një shekulli të ri, dhe atyre që duan ta përballojnë atë, për ta menaxhuar. / France Inter – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close