Bota

Triumfi i trishtë i Alice Wiedel

“Për ne është rezultat historik. Gati të marrim pushtetin”

Në orën gjashtëmbëdhjetë, kur kolona blu e AfD-së mbetet nën shifrën 20%, në sallën e blinduar të selisë qendrore në Wedding, në veri të Berlinit, deputetët shpërthejnë në një duartrokitje të përmbajtur.

Në projeksionet e mëvonshme, rezultati përmirësohet, por edhe buzëqeshja e Alice Weidel duket paksa e sforcuar kur ngjitet në skenë disa minuta pas exit poll-eve të para dhe përmbledh thelbin e mbrëmjes: “Kjo është një fitore historike. Nuk kemi qenë kurrë më të fortë. Jemi e vetmja parti që ka dyfishuar rezultatin.”

Është e vërtetë, në zgjedhjet e fundit federale të vitit 2021, AfD kishte marrë 11% të votave. Për Weidel është e qartë se “jemi një Volkspartei”, një forcë politike tashmë e rrënjosur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Dhe “i zgjasim dorën CDU-së”, edhe pse kjo e fundit ka përjashtuar çdo mundësi për një qeverisje të përbashkët me AfD-në.

Megjithatë, deputetët dhe mbështetësit tashmë po bëjnë parashikime se sa pak do të zgjasë një tjetër qeveri treshe, pas katastrofës së qeverisë Scholz. Më vonë gjatë mbrëmjes, Weidel e quan Merz “Interimkanzler”, një kancelar i përkohshëm.

Rezultati dhe pritshmëritë

Në krahasim me pritshmëritë – sondazhet parashikonin deri në 23% për të djathtën ekstreme – rezultati është zhgënjyes, edhe pse askush nuk e pranon hapur.

Kur në fund të festës së tyre të zymtë e pyesim liderin e AfD-së, Tino Chrupalla, nëse mbështetja e Elon Musk dhe trumpistëve nuk ka pasur ndikimin e pritur, ai përgjigjet me një ton të prerë: “Nuk e dimë. Por ama, ai ka meritën, bashkë me zv.presidentin Vance, që i ka dhënë një mësim të mirë Europës.”

Dhe, në çdo rast, “kemi fituar pesë milionë votues të rinj.”

Rreth tij, dhjetëra deputetë me buzëqeshje të ngrirë hanë wurstel të pjekura në një skarë të madhe në kopsht dhe pinë birra.

Chrupalla bën të ditur se AfD-ja do të bëjë zhurmë në Bundestag. “Tani dua të shoh nëse do të na mohojnë një post nënkryetari. Dhe, falë këtyre shifrave, do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për Covid dhe një tjetër për Nord Stream 2.”

Björn Höcke dhe strategjia ndërkombëtare

Kur projeksionet fillojnë të konfirmojnë rezultate nën parashikimet, një nga figurat më të fuqishme dhe radikale të partisë, Björn Höcke shprehet: “Mendoj se jemi në një moment kthese që i ngjan vitit 1989, Perestrojkës dhe Glasnost-it të Gorbaciov. Ajo ishte një stuhi lirie. Sot, e njëjta stuhi lirie vjen nga Trump. Unë besoj se do të jetë Evropa ajo që do të ndryshojë në vitet e ardhshme, sepse nga Shtetet e Bashkuara po vjen një revolucion kulturor. Unë jam hegelian, mendoj në terma të dialektikës historike dhe besoj se pas dekadash, penduli po anon drejt vlerave tradicionale dhe identiteteve kombëtare”.

Kur i kujton se askush nuk do të dëshirojë të formojë një koalicion me AfD-në, ai përgjigjet: “Sigurisht, sepse CDU-ja duhet ta pijë deri në fund kupën e hidhur të së vërtetës: ajo ka kopjuar programin tonë. Dhe nuk do të arrijë të realizojë asgjë nga ato që ka premtuar”. / bota.al

Back to top button