E ardhmja e Julen Lopetegui si trajner i Spanjës është në fije të perit.
Ngjarjet janë duke ndodhur me një ritëm të rrezikshëm që nga goditje e orës 5 pasdite të ditës së djeshme, kur u bë e ditur se Real Madridi ka arritur marrëveshje me kreun aktual të stolit të “La Roja”.
Ndërkohë, nga ora dhjetë e darkës së të martës askush nga Federata Spanjolle e Futbollit nuk guxonte të siguronte që Lopetegui do të ulet në stolin e kombëtares iberike në “Socchi Stadium”, kundër Portugalisë, shkruan Telesport.
Presidenti i Federatës, Luis Rubiales ndihet i tradhëtuar nga ana e teknikut dhe zemërimi i tij po rritet me kalimin e orëve.
Pas mbërritjes në Krasnodar, ku është e grumbulluar për Botëror kombëtarja spanjolle, ai kërkoi shkarkimin e trajnerit, por disa anëtarë të Federatës u përpoqën për ta qetësuar presidentin e plagosur nga ajo që e konsideron mungesë takti nga trajneri.
Presidenti Rubiales, i mërzitur dhe i hutuar, tha me mbërritjen e tij në rezidencën e Krasnodar:
“Kjo nuk është koha për të folur, por ne do të marrim një vendim që i përshtatet më mirë kombëtares.
Ne do të bëjmë gjëra të përgjegjshme”.
Disa nga njerëzit e besuar të presidentit u përpoqën për ta qetësuar presidentin dhe i kërkuan mirëkuptim në fund të një dite, që do të mbahet mend në historinë e Kupës së Botës, por mund të jetë çdo gjë, edhe lamtumira e mundshme e trajnerit.
Megjithatë, edhe nëse Lopotegui qëndron për këtë fazë finale të “Rusia 2018”, çfarëdo që të ndodhë, besimi duket i prishur te Spanja, një nga favoritet për ta fituar trofeun e madh.
Federata Spanjolle e Futbollit sot ndërkohë ka paralajmëuar një konferencë për shtyp, ku nuk është çudi që të bëhet me dije shkarkimi i trajnerit të Kombëtares, edhe pse jemi një ditë larg nisjes së Botërorit.