Tetë vite më parë, presidenti i 45-të i SHBA-së u pa si një uzurpator i huaj. Kur të marrë detyrën sërish të hënën, do të shohim një ndryshim në mënyrën si Amerika e sheh veten, shkruan Gerard Baker
Kur Donald Trump u inaugurua për herë të parë si president tetë vite më parë, atmosfera në Uashington ngjante me atë të kryeqyteti armiqësor dhe të pakënaqur që pushtohet nga një ushtri e huaj.
Manjati i pasurive të patundshme, i kthyer në yll televiziv të reality show-t, kishte fituar zgjedhjet e vitit 2016 në mënyrë të papritur dhe tronditëse. Ai e kishte humbur votën popullore kundrejt kandidates së favorizuar, Hillary Clinton, por, falë Kushtetutës amerikane, kishte fituar Kolegjin Zgjedhor dhe presidencën. Kundërshtarët e tij pretendonin se ai kishte ardhur në pushtet me ndihmën e shërbimeve të fshehta ruse dhe ishte një president i paligjshëm, madje tradhtar. Dhjetë ditë para inaugurimit, detajet e dosjes famëkeqe dhe kryesisht fiktive mbi lidhjet e Trump-it me Rusinë, e përpiluar nga ish-agjenti i MI6, Christopher Steele, u publikuan në media, përfshirë historinë e supozuar të një feste me femra të regjistruar në një hotel në Moskë.
Një ditë pas inaugurimit, Uashingtoni priti një marshim të dhjetëra mijëra grave, shumë prej tyre me kapele rozë të zbukuruara me veshë maceje, një demonstrim që synonte të tregonte sfidën kolektive feministe kundër presidentit të ri, pas deklaratave të tij, të kapura në regjistrime, për mënyrën si i trajtonte gratë.
Pjesa më e madhe e Uashingtonit, Partia Demokratike, udhëheqësit kulturorë të kombit dhe veçanërisht pjesa më e madhe e mediave – ose “vezirët e mëdhenj” të establishmentit amerikan – ishin gati të rezistonin dhe madje të sprapsnin këtë uzurpim të pushtetit nga një njeri që ata e konsideronin një fanatik, një mashtrues dhe, mbi të gjitha, thellësisht jo-amerikan; një fyerje për kombin që ata besonin se ishte i tyre.
Kur, katër vite më vonë, Trumpi u mposht nga Joe Bideni, dhe më pas kur përpjekjet e mbështetësve të tij për të përmbysur rezultatin përmes sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit dështuan, i gjithi u duk si triumf i rezistencës. Pushtimi i huaj ishte zmbrapsur me sukses, dhe vendi ishte rikthyer tek liderët e tij të ligjshëm.
Tetë vite pas atij inaugurimi të parë dhe katër vite pas inaugurimit të pasardhësit të tij – të cilin ai vetë e bojkotoi – Trumpi është rikthyer. Por kësaj radhe jo si uzurpatori në një Uashington rezistent, apo si një i huaj në tokë të shenjtë. Kësaj here ai kthehet si sundimtari i padiskutueshëm, duke hyrë në një kryeqytet të nënshtruar dhe të mundur në krye të një establishmenti të ri të përbërë nga republikanë, mbështetës të MAGA-s (Make America Great Again) dhe drejtues të Silicon Valley.
Për vite me radhë, komentatorë seriozë janë pyetur nëse Amerika, me partizanizmin e saj gjithnjë e më të ashpër dhe të pamëshirshëm, po zhytej në një konflikt të brendshëm. Në vend të kësaj, kemi një rezultat të një lufte civile (kryesisht) pa gjakderdhje, të cilën rebelët e kanë fituar. Kur të bëjë betimin, ushtria e re që udhëheq Trump-i do të ketë marrë kontrollin. Kësaj radhe zgjedhja e tij nuk është një devijim i përkohshëm. Regjimi i vjetër ka firmosur dokumentet e dorëzimit.
Si në çdo marrëveshje pas lufte, jo të gjithë janë të lumtur apo të pajtuar plotësisht me ardhjen e rendit të ri revolucionar. Por nuk ka asnjë përpjekje të organizuar (apo të çorganizuar) për ta rrëzuar atë. Rezistenca është e kotë. Të paktën për momentin, është e heshtur.
Realiteti i ri – ngjitja e Trump-it dhe heshtja e kundërshtarëve të tij – u shfaq qartë javën e kaluar në funeralin e njërit prej paraardhësve të tij, Jimmy Carter. Trumpi, i sulmuar nga liderët demokratë gjatë viteve të fundit si një fashist, një diktator i mundshëm, qëndroi përballë ish-presidentëve të tjerë, tre prej tyre demokratë – Bill Clinton, Barack Obama dhe Joe Biden – dhe një republikan, George W. Bush, i cili ka një përçmim për Trump-in, që është pothuajse po aq i thellë sa ai i çdo demokrati.
Në kishë, Trump bisedonte dhe qeshte me Obamën, njeriun që shumë ende e konsiderojnë si liderin e establishmentit demokrat. Sipas burimeve shumë të besueshme, të dy po shkëmbenin thjesht mendime mbi fushat e tyre të preferuara të golfit, ndërsa Trump, sigurisht, shpjegonte pse pronat që zotëronte ai ishin më të mirat në botë. Por pamja ishte e fortë. Obama u ka thënë miqve të tij se koha për rezistencë ka kaluar (edhe pse, me mungesën e saj të dukshme në ngjarjet e këtij muaji në Uashington, bashkëshortja e tij Michelle duket më pak e gatshme për të bërë paqe publike me regjimin e ri).
Kështu që kur Trumpi të bëhet njeriu i dytë në historinë amerikane, pas Grover Cleveland-it në vitin 1893, që inaugurohet për një mandat të dytë presidencial pasi është mundur më parë, ai do të hyjë në detyrë me një autoritet të pazakontë, një mandat jo thjesht për ndryshim, por për një drejtim krejt të ri politik.
Të gjithë presidentët ndryshojnë historinë përmes veprimeve të tyre kur janë në detyrë. Por disa presidentë ndryshojnë historinë vetëm me zgjedhjen e tyre; suksesi i tyre popullor përfaqëson një zhvendosje themelore në vlerat dhe aspiratat e elektoratit amerikan.
Fitorja e dytë e Trump-it hyn në këtë kategori. Fitorja e tij e qartë – si republikani i parë që nuk është në detyrë që fiton votën popullore dhe kolegjin elektoral që nga Ronald Reagan në vitin 1980 – dhe mbështetja e gjerë në të gjithë etnitë dhe gjeografitë reflekton një vend që kërkon një drejtim të ri, jo vetëm nga vitet e Biden-it, por edhe nga rendi liberal dypartiak që i parapriu Trump-it, duke refuzuar ortodoksitë progresive që kanë drejtuar jo vetëm politikën në katër vitet e fundit, por edhe jetën e kombit.
Amerikanët i kanë kthyer shpinën një pjese të madhe të globalizimit që Perëndimi kishte ndjekur që nga fundi i Luftës së Ftohtë: politikat e emigrimit me kufij të hapur, marrëveshjet ambicioze ndërqeveritare dhe rregulloret kombëtare në ndjekje të objektivave për energjinë e gjelbër, bashkëpunimin shumëpalësh përmes institucioneve të sigurisë ndërkombëtare. “America First” ka përmbysur të gjitha shtyllat e rendit të vjetër, jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, siç po shohim me rezultatet elektorale në vende të tjera.
Përulja e Amerikës ndaj Trump-it përfaqëson gjithashtu një moment të rëndësishëm kulturor, një kthesë të fortë larg nga fiksimet me racën, gjininë dhe identitetin seksual që kanë mbizotëruar në protokollet sociale dhe të korporatave, dhe madje kanë ripërcaktuar kufijtë e lejuar të gjuhës dhe të shprehurit.
Kthimi në një epokë “anti-woke”
Siç shkruan Christopher Caldwell, një komentator konservator, në “New Statesman” këtë muaj, fitorja e Trump-it shënon agimin e epokës anti-woke. “Edhe pse ideologjia woke nuk lindi nën administratën Trump, ishte gjatë saj që ajo arriti kulmin: #MeToo në vitin e parë të presidencës së tij (2017); Black Lives Matter në të fundit (2020)… Të gjithë amerikanët, qofshin republikanë apo demokratë, janë habitur nga një revolucion që është më shumë social sesa politik. Ata ndihen sikur po përjetojnë procesin e gjatë dhe të ngadaltë të mësimit për të qenë sërish një popull i lirë.”
Por edhe presidentët që përfaqësojnë një ndryshim historik duhet të qeverisin në mënyrë që ta vënë në zbatim këtë ndryshim. Në këtë pikë, dallimi mes mandatit të parë dhe të dytë të Trump-it është i rëndësishëm. Ndryshe nga mandati i parë, ku ai u përball me rezistencë të ashpër dhe hetime të vazhdueshme, këtë herë kundërshtarët janë shumë më të dobësuar.
Trump-i do të ketë një mundësi unike për të përkthyer vlerat që përfaqëson në një revolucion të vërtetë politik – nëse zgjedh ta përdorë këtë shans.
Por, ndërsa rrethanat janë të favorshme për një revolucion populist të stilit Trump, dy pyetje të mëdha rëndojnë mbi këtë moment: A e ka ai aftësinë dhe disiplinën për ta shfrytëzuar këtë mundësi dhe për ta kthyer shumicën elektorale në një ndryshim të vërtetë orientimi politik për vendin? Dhe a paralajmëron ngjitja e Trump-it një rrezik për demokracinë?
Me partinë e tij të nënshtruar, opozitën të trembur dhe një media të zhvendosur në periferi, a përballet Amerika me një kthesë vendimtare drejt një totalitarizmi të butë – atë që Joe Biden, në fjalimin e tij lamtumirës këtë javë, e quajti një oligarki e re, ku interesat e fuqishme të biznesit bashkëpunojnë me një udhëheqje politike autoritare, në dëm të lirisë së amerikanëve?
Në lidhje me pyetjen e parë, ka shenja të hershme që tregojnë se Trumpi duket më i disiplinuar dhe më i fokusuar në zbatimin e agjendës këtë herë sesa gjatë administratës së tij të parë. Ajo qeveri karakterizohej nga një cilësi kaotike, me një “drejtues cirku” në qendër. Pozicionet kyçe shpesh mbusheshin me figura republikane tradicionale, shumë prej të cilave kishin ide dhe plane që binin ndesh me ato të presidentit.
Kësaj radhe, Trump ka mbledhur një ekip të përkushtuar personalisht ndaj tij, të vendosur për të ndjekur vullnetin e tij. Siç tha një vëzhgues pranë tij këtë javë, zyrtarët kyç në kabinetin dhe emërimet e tjera janë zgjedhur pjesërisht sepse “nuk do të dalin dhe të bëjnë diçka për hesap të tyre”.
Stafi i Trump-it ka sugjeruar se, që në Ditën e Parë – të hënën – presidenti do të fillojë me një forcë dhe vullnet të madh. Pritet një mori urdhrash ekzekutivë, një strategji “trondit dhe shastis” (shock and awe) në disa fusha të politikave. Këto përfshijnë masa të menjëhershme për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për të filluar deportimin e emigrantëve të paligjshëm që janë tashmë në vend, duke nisur me ata që janë dënuar për krime. Gjithashtu, pritet të shpallen masa për të zgjeruar prodhimin e naftës dhe gazit dhe për të forcuar furnizimin me energji të SHBA-së për të nxitur rritjen ekonomike. Ai gjithashtu do të shpallë masa për të përmbysur hegjemoninë kulturore “woke,” duke ndaluar burrat biologjikë të konkurrojnë në sportet për femra dhe duke eliminuar promovimin e ideologjisë gjinore në arsim dhe ushtri.
Në politikën e jashtme, ekipi i tij është udhëzuar të punojë shpejt për të arritur një marrëveshje mbi luftën në Ukrainë. Sipas një eksperti të politikës së jashtme pranë Trump-it, kjo mund të përfshijë presion ndaj Ukrainës për të pranuar të heqë dorë nga pjesët lindore të vendit, të paktën përkohësisht, një lëvizje që, sipas tij, do t’i jepte Trump-it mundësinë për t’i paraqitur Vladimir Putinit një ultimatum: prano këtë ose përballu me mbështetje të shtuar nga SHBA për Kievin.
Pritet gjithashtu një përdorim i krijimtarisë së tij të zakonshme – dhe padyshim destabilizuese – në negociata. Për shembull, kërcënimi për aneksimin e Groenlandës synon të bindë Danimarkën të lejojë aksesin e SHBA-së në burimet minerare dhe të zgjerohet prania ushtarake amerikane në Arktik, si pjesë e rivalitetit global me Kinën. Presione të ngjashme do të ushtrohen ndaj BE-së dhe NATO-s për të rritur shpenzimet ushtarake.
Megjithatë, mund ta mbivlerësojmë aftësinë e Trump-it për të realizuar planet e tij, edhe në këtë moment revolucionar.
Politika e brendshme mbetet e përçarë. Edhe pse ai është republikani i parë pas 20 vitesh që fiton votën popullore, fitorja e tij kundër Kamala Harris ishte e ngushtë, me vetëm 1.5 pikë përqindje. Republikanët fituan vende në Senat, por shumica e tyre mbetet vetëm 53-47; ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve ata humbën vende dhe kanë një diferencë shumë të vogël prej 219-215.
Sfida ekonomike
Kufizimet ekonomike janë gjithashtu të rëndësishme. Tre iniciativat kryesore ekonomike të tij – një ulje e madhe taksash, tarifat mbi mallrat e importuara dhe kufizimet më të ashpra për emigracionin – paraqesin rreziqe serioze. Deficiti fiskal i SHBA-së është rritur në pothuajse 7% të PBB-së dhe ka shenja në tregjet financiare se, me inflacionin që vazhdon, durimi i investitorëve për borxhe të mëdha qeveritare mund të dobësohet. Tarifat do të dëmtojnë konsumatorët amerikanë dhe mund të shkaktojnë luftëra ekonomike globale. Kufizimet e rrepta për emigracionin, për të mos përmendur deportimet masive, do të kufizojnë zgjerimin e forcës punëtore, një komponent vital i rritjes ekonomike.
Frika se Trump mund të abuzojë me ligjin federal
Ekzistojnë, sigurisht, edhe kufizime ligjore për autoritetin e Trump-it, dhe këtu vihen në provë paralajmërimet më të errëta të kritikëve të tij për demokracinë. Ata kanë frikë se një Trump i fuqizuar do të shtypë disidentët dhe do të heshtë kritikët duke përdorur fuqinë e madhe të zbatimit të ligjit federal. Përzgjedhja e Kash Patel-it, një figurë radikale e MAGA-s, si kreu i FBI-së, i cili ka folur për ndjekjen penale të punonjësve qeveritarë dhe gazetarëve, shihet nga disa si ogur i keq. (Sipas burimeve, disa gazetarë të shquar kanë ngritur pyetje diskrete në Ambasadën Britanike në Uashington për mundësinë e azilit politik në Mbretërinë e Bashkuar.)
Do të ishte gabim të injoronim idenë se Trump mund të përpiqet të përdorë fuqinë e jashtëzakonshme të ligjit federal për të ndjekur kundërshtarët – në fund të fundit, ai beson, dhe me njëfarë justifikimi, se kjo është pikërisht ajo që Joe Biden bëri kundër tij për katër vite. Por frika se një “Gestapo” e Trump-it do të trokasë natën në dyert e kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve është e tepruar. Edhe pse kontrolli politik mbi zbatimin e ligjit është një realitet i sistemit amerikan, gjëra të tilla si të drejtat kushtetuese dhe gjykatat e pavarura janë barriera të fuqishme kundër abuzimeve.
Çfarë roli do të luajë Gjykata Supreme?
Sa i përket Gjykatës Supreme, që shpesh përshkruhet si pro-Trump, është e vërtetë që shumica e nëntë gjyqtarëve janë emëruar nga presidentë republikanë (tre prej tyre nga vetë Trumpi), dhe se e njëjta gjykatë vitin e kaluar vendosi se Trumpi (në fakt, të gjithë presidentët) ishte i paprekshëm nga ndjekjet penale për akte zyrtare. Por kjo nuk është një vulë e verbër.
Vetëm javën e kaluar, dy nga gjykatësit konservatorë, përfshirë kryegjyqtarin John Roberts dhe të emëruarën e Trump-it, Amy Coney Barrett, u bashkuan me liberalët për të refuzuar përpjekjet e Trump-it për të hedhur poshtë dënimin e tij penal në çështjen e famshme të Stormy Daniels. Në raste të tjera gjatë vitit të kaluar, këta dy gjyqtarë kanë treguar një përbuzje të fortë për pushtetin e tepruar ekzekutiv, duke vendosur kufij të rëndësishëm ndaj çdo tundimi të presidentit për abuzime.
Çfarë do të zgjedhë të bëjë Trumpi?
Në fund të fundit, do të jetë vetë Trump-i që do të përgjigjet për pyetjen më të rëndësishme: A dëshiron ai të përdorë këtë mundësi të jashtëzakonshme për të realizuar një revolucion të vërtetë politik, me mundësinë për të bashkuar një komb të përçarë rreth vlerave që e bënë Amerikën të madhe? Apo do të përdorë këtë moment të autoritetit të pashembullt për të ndjekur hakmarrje ndaj kundërshtarëve, për të vendosur interesat dhe ambiciet e tij personale mbi nevojat e vendit dhe për të ashpërsuar dhe helmatisur më tej diskursin publik?
Duke pasur parasysh atë që dimë për këtë njeri, nuk do të ishte e mençur të vihej bast kundër alternativës së fundit. Por, gjithashtu, nuk duhet përjashtuar mundësia që ky revolucion të ketë sukses. / WSJ – Bota.al