Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka tentuar që të ndërpresë hetimet e FBI-së ndaj ish-këshilltarit të tij për siguri kombëtare, Michael Flynn, i cili po hetohej për lidhjet e tij me Rusinë, gjatë një takimi me drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James Comey, vetëm pak kohë pas marrjes së detyrës, kanë raportuar mediat.
Comey, i cili është shkarkuar nga Trump më 9 maj, ishte takuar me Trumpin në Zyrën Ovale një ditë pasi Flynn ishte shkarkuar në muajin shkurt dhe më pas ai kishte shkruar një memo për kërkesën e Trumpit që të ndërpresë hetimin, ka raportuar New York Times, Reuters, AP dhe mediat e tjera, të cilat kanë thënë se e kanë parë këtë shkresë.
Shtëpia e Bardhë menjëherë ka mohuar se Trump i ka kërkuar Comey që të ndërpres hetimin- një lëvizje kjo që mund të shihet si pengesë në drejtësi, e që paraqet vepër penale.
Raportimet për këtë çështje vijnë pas një jave trazirash në Shtëpinë e Bardhë, të cilat filluan pas shkarkimit të Comey dhe vazhduan pas raportimeve se Trump kishte shpalosur informacione të klasifikuara, të siguruara nga një aleat i SHBA-së gjatë takimit me përfaqësuesit rusë.
Sipas raportimeve të fundit, shkresa e shkruar nga Comey tregon se si Trump i kërkoj atij që të ndërpresë hetimin e FBI-së ndaj Flynn, menjëherë pasi Flynn u shkarkua pasi kishte keqinformuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence për bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara.
“Shpresoj se do ta gjesh rrugën që ta lësh këtë çështje për Flynin. Ai është njeri i mirë”, i ka thënë Trump drejtorit të FBI-së, sipas shkresës së Comey.