Bota

Trump dhe “shtypi i gënjeshtrave”

screen-shot-2016-11-24-at-10-07-18

Mesazh me video në vend të konferencave të shtypit, kalorës i vetmuar në vend të shoqërimit nga shtypi. Marrëdhënia e Trumpit me mediet përmban potencial zhvillimi

Dymbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve. Presidenti i zgjedhur i SHBA fton dy dyzina moderatorësh dhe menaxherësh të televizioneve të mëdha të vendit në kullën e tij në New York. Për përmbajtjen e takimit bihet dakord që të mbahet heshtje. “Një komandë e ma***uar pushkatimi” ishte e gjitha, citon revista bulevardeske “New York Post” një pjesëmarrës. Trumpi i pati sharë si gënjeshtarë të pranishmit. Veçanërisht CNN pati marrë një dajak të mirë. “Unë e urrej stacionin tuaj”, thuhet se ka thënë Trumpi, i cili në fushatën elektorale lexoi dhe dëgjoi shumë gjëra negative për veten, jo vetëm nga stacioni i Atlantës, që e kapi shpesh duke gënjyer.

Armiku i preferuar: New York Times

A u thanë vërtet tamam kështu këto fjalë? E mundur të paktën është. Për “crooked media”, për mediet e korruptuara, për “shtypin e gënjeshtrave”, (edhe tek agjitatorët në gjermanisht përdoret ky koncept), lexon në vargun e twitterve të Trumpit. Më shumë se 60 herë ai ka sulmuar vetëm New York Times, që kur shpalli kandidaturën vitin e kaluar.

Trembëdhjetë ditë pas zgjedhjeve. Trumpi u drejtohet me një mesazh me video bashkëatdhetarëve të tij. Një konferencë shtypi ai nuk ka thirrur që kur ka fituar në zgjedhje, gazetarë të shtëpive mediatike të ndryshme deri tani nuk kanë pasur mundësi që t’i bëjnë pyetje në fushë të hapur. Shumë e pazakontë për presidentët e zgjedhur të SHBA.

“Ai është një sipërmarrje mediatike më vete dhe nuk ka nevojë për shtypin”, thotë Mary E. Stuckey, profesore e Shkencave të Komunikimit në Georgia State University në Atlanta. “Ai nuk duket se i respekton shumë rregullat e demokracisë, prandaj ai nuk respekton as rolin e gazetarëve.”

Ndryshimi i komunikimit me masat

Që nën Obaman, puna me mediat e Shtëpisë së Bardhë ndryshoi masivisht. Obama është me siguri Presidenti i parë i SHBA që arriti të komunikojë me popullin përmes internetit, fare pa filtrin e shtëpive tradicionale mediatike. Më shumë se 12 milionë njerëz e ndjekin “POTUS” në twitter, gati 20 milionë vënë re kur Obama shihet sërish me video gazmore në youtube.

“Kurse Trumpi thjesht i injoron kanalet tradicionale”, thotë Stuckey. Obama ka mbajtur të paktën rregullisht konferenca shtypi, u përgjigjej pyetjeve në intervista dhe shoqërohej vazhdimisht nga gazetarët në “Press Pool”.

Katërmbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve. Këtë të shtunë, Trumpo do të takojë gazetarë dhe menaxherë të New York Times-it, përpara se të fluturojë për pushimet e Thanksgiving në Klubin Mar-a-lago për në Palm Beach. Por pak orë para takimit, Trumpi e anulon atë. Përmes twitterit. New York Times kishte kërkuar ndryshime në rrjedhën e takimit, thotë ai. “Kjo nuk është e sjellshme”, mendon Trump. Eileen Murphy, zëvëndësshefe e komunikimit të gazetës nga ana tjetër tha se nuk ishin Times, por ekipi i Trumpit ai që kishte kërkuar ndryshime. Midis të tjerash, që asgjë nga takimi të mos depërtonte në publik. Pastaj, tërheqja nga tërheqja: takimi megjithatë do të zhvillohet, duke përfshirë edhe intervistat. Trumpi dhe mediet; gjendjen e marrëdhënieve midis tyre mund ta quash vetëm: të ndërlikuar. “Ai nuk shikon shkak që ta ndryshojë sjelljen e tij”, thotë Stuckey. “Deri tani kjo ka funksionuar mirë. Vetëm kur të mos funksionojë më ose kur kundërshtimi të bëhet shumë i madh, atëherë do të shohim një Trump tjetër.”

Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button