Bota

Trump: Irani po luan me zjarrin

Presidenti amerikan, Donald Trump,  ka deklaruar sot përmes llogarisë së tij personale në Twitter, se nuk do të jetë aq “i sjellshëm” me Iranin, siç ishte paraardhësi i tij, Barack Obama. “Irani po luan me zjarrin, nuk e vlerësojnë sa “i sjellshëm” ishte Presidenti Obama me ta. Unë nuk do të jem!”, thuhet në mesazh- raporton Dita.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se vendi i tij “nuk shqetësohet” nga kërcënimet e Trumpit.

Administrata e Trump po përgatit sanksione të reja kundër Iranit, të cilat mund të hyjnë në fuqi këtë javë, raporton Reuters.

Sipas agjencisë, sanksionet mund të vihen sot kundër 8 organizatave të akuzuara  për mbështetje ndaj terrorizmit dhe kundër 17 të tjerave në lidhje me një dekret të mëparshëm të Presidentit të SHBA, mbi përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Edhe pse SHBA u zotua të tërheq sanksionet kundër Iranit lidhur me programin e tij bërthamor, ka disa që janë ende në fuqi. Autoritetet iraniane thonë se kjo cënon thelbin e marrëveshjes për programin bërthamor, një qëndrim që nuk ndahet nga Uashingtoni.

Dje Trump deklaroi se në përgjigjen e SHBA-së ndaj testeve të fundit me raketa balistike nga ana e Iranit “të gjitha opsionet janë të mundshme”.

Përveç kësaj, presidenti tha se në vend të kryerjes të testeve të tilla, Irani “duhet të jetë mirënjohës” për marrëveshjen bërthamore të negociuar me Grupin 5 + 1, të cilit presidenti aktual i është referuar disa herë si një “katastrofë”.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se testi balistik nga Teherani “nuk do të mbetet pa përgjigje”, duke deklaruar se ai shkel rezolutat e OKB-së.

Dita

Leave a Reply

Back to top button