Donald Trump tha mbrëmë se gratë shtatzëna duhet të kufizojnë përdorimin e paracetamolit, i cili sipas tij rrit rrezikun e autizmit tek fëmijët – një pretendim i kundërshtuar nga shkencëtarët dhe i hedhur poshtë nga studimet.
I shoqëruar nga sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., presidenti tha se kishte “pritur për 20 vjet për këtë takim” dhe shtoi: “Nuk është se gjithçka kuptohet apo dihet 100%, por mendoj se kemi bërë shumë përparime.”
Por ai deklaroi: “Marrja e Tylenol-it [emri tregtar i paracetamolit në SHBA] nuk është e mirë… Të gjitha gratë shtatzëna duhet të flasin me mjekët e tyre për të kufizuar përdorimin e këtij ilaçi gjatë shtatzënisë.”
Kennedy shtoi se Departamenti i Shëndetësisë dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të punojnë për të ndryshuar etiketën e rrezikut për acetaminofen-in (emri i paracetamolit në SHBA). Ai foli gjithashtu për rekomandime të reja që vaksina kundër hepatitit B, e cila aktualisht u jepet të porsalindurve si pjesë e kalendarit kombëtar të vaksinave, të administrohet me vonesë ose në doza më të vogla – pavarësisht provave të kufizuara mbi ndikimin e saj.
Trump, i cili shpesh ka shprehur shqetësim për autizmin, dha sinjalin e një nisme madhore të dielën gjatë memorialit të Charlie Kirk në Arizona.
“Nesër do të kemi një nga shpalljet më të mëdha… mjekësore, mendoj, në historinë e vendit tonë,” tha ai. “Besoj se do ta gjeni të jashtëzakonshme. Mendoj se kemi gjetur një përgjigje për autizmin.”
Në SHBA, një në 31 fëmijë 8-vjeçarë kishte një diagnozë të çrregullimit të spektrit autistik në vitin 2022, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Në vitin 2000 raporti ishte rreth një në 150.
Kennedy, i cili gjithashtu ka përhapur teorinë se shkaktare janë vaksinat, e ka lidhur rritjen me “helmet mjedisore”. Ai tha dje se Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) ishte fajtor sepse ishte fokusuar “pothuajse vetëm në kërkime politikisht të sigurta dhe plotësisht të pafrytshme” mbi shkaqet e autizmit. Ai tha se ishte i vendosur të hetonte “ideologjinë e shpërthimit të autizmit” dhe e quajti autizmin “një gjendje komplekse me një ideologji multifaktoriale.”
Specialistët, megjithatë, theksuan se rritja e diagnozave vjen kryesisht nga kontrolle më të shpeshta dhe definicione të evoluara të çrregullimit, dhe se shkaqet përcaktohen kryesisht nga gjenetika.
Shkencëtarët reaguan me indinjatë ndaj lidhjes së paracetamolit me autizmin. Mjekët britanikë e denoncuan si “përhapje frike” që rrezikon të stigmatizojë prindërit e fëmijëve me autizëm.
Alison Singer, presidente e Fondacionit për Shkencën e Autizmit, kritikoi ashpër administratën Trump – në veçanti deklaratat mbi paracetamolin, të cilat ajo i quajti “jo të bazuara shkencërisht”: “Çdo lidhje mes paracetamolit dhe autizmit bazohet në shkencë shumë të kufizuar, kontradiktore dhe të paqëndrueshme, dhe është e parakohshme të bëhen pretendime të tilla të pabazuara, që rrezikojnë të minojnë shëndetin publik,” tha ajo. “Është mashtruese për familjet që meritojnë informacion të qartë dhe të bazuar në fakte. Po ashtu, nuk e kuptojmë pse u mbajt kjo konferencë për shtyp sot. Për sa dimë, nuk ka të dhëna të reja, nuk u publikuan studime të reja, nuk pati prezantime të reja, as konferencë shkencore apo mjekësore.”
Debra Houry, ish-shefe mjekësore dhe zëvendësdrejtore në CDC, tha: “Para tre javësh nuk kishim parë asnjë provë që acetaminofeni lidhej me autizmin, ndaj është e çuditshme të dimë se si u zhvillua kaq shpejt kjo ide.”
Dr. Monique Botha, profesoreshë e asociuar në psikologjinë sociale dhe zhvillimore në Universitetin e Durhamit, tha: “Ka shumë studime që e hedhin poshtë këtë lidhje, por më i rëndësishmi ishte një studim suedez mbi 2.4 milion lindje, i publikuar në vitin 2024, i cili përdori të dhëna të vëllezërve e motrave dhe nuk gjeti asnjë lidhje mes ekspozimit ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe më pas autizmit, ADHD apo paaftësive intelektuale. Përhapja e frikës vetëm do t’u pengojë grave shtatzëna aksesin në kujdesin e duhur gjatë shtatzënisë.”
Edhe mjekë amerikanë vunë në dyshim lidhjen e supozuar me acetaminofenin. Dan Jernigan, ish-shkencëtar i CDC dhe ish-drejtor i qendrës kombëtare për sëmundjet infektive dhe zoonotike, kritikoi përpjekjet e Kennedy-t për të studiuar autizmin:
“Ne të gjithë u kërkuam të bëheshim pjesë e studimeve mbi autizmin dhe të hartonim [një plan për autizmin],” tha ai. “Ne ndihmuam në zhvillimin e disa pjesëve të këtij plani. Por me kalimin e kohës, ajo që pamë ishte [Kennedy] me një qasje gjithnjë e më shumë nga lart-poshtë, në stilin ‘ose si them unë, ose hiq dorë’, pa marrë parasysh proceset shkencore.” / bota.al