Bota

Trump “me prostitutat”, histori e rreme apo skandal?

Donald Trump është në qendër të një tjetër skandali vetëm pak ditë para inaugurimit si President i Shteteve të Bashkuara. Një dosje “bombë” që thuhet se është punuar nga ish-spiun britanik i MI6, pretendon se Rusia ka prova “komprometuese” ndaj Trumpit për t’i bërë atij shantazh.

Dosja e cila thuhet se po hetohet nga FBI-ja, është përmendur për herë të parë nga CNN, dhe e publikuar e plotë nga BuzzFeed mbrëmjen e së martës.

Në dosje pretendohet se Trump organizoi një grup prostitutash që të  urinonin në shtratin e një hoteli në Moskë  (Ritz Carlton) ku kishin fjetur më parë çifti Obama. Biznesmeni miliarder e cilësoi këtë histori si të rreme. Ja një përmbledhje e asaj çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet rreth skandalit.

Ajo që dihet

Presidenti Obama dhe Trump janë informuar mbi dosjen

Një përmbledhje prej dy faqesh të akuzave i është paraqitur Trumpit dhe Obamas javën e kaluar në takimet me krerët më të lartë të inteligjencës në SHBA, si Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, drejtor i FBI-së, James Comey, drejtori i CIA-s, John Brennan, dhe drejtori i NSA-së,  admirali Mike Rogers.

Kjo jo për t’u treguar atyre se kanë verifikuar që ndonjë prej pretendimeve është i vërtetë.

Por, sipas New York Times, shërbimet e inteligjencës besojnë se materialet kaq “bombastike” duhet të sillen në vëmendjen e Presidentit dhe presidentit të zgjedhur.

Zyrtarët ishin gjithashtu të shqetësuar se ato mund të rridhnin para se Trump të mësonte ekzistencën e tyre, shton NYT.

Dosja ka qenë vërdallë prej disa muajsh

Politikanët dhe gazetarët në Uashington kanë pasur dijeni për dosjen që prej vjeshtës së shkuar. Më 31 tetor 2016, MotherJones publikoi një artikull me titullin “Një spiun veteran i ka dhënë FBI-së informata ne lidhje me një operacion rus për “kultivimin” e Trump”.

Gazetari David Corn tha se ai foli me një “ish-oficer të lartë të inteligjencës për një vend perëndimor” i cili i tha se kishte prova që “qeveria ruse prej vitesh është përpjekur të kooptojë  dhe të ndihmojë Trumpin”.

Nuk dihet nëse FBI po heton pretendimet

FBI ka qëndruar e heshtur dhe ende nuk ka komentuar nëse po e heton dosjen. Drejtori i FBI-së James Comey refuzoi t’i përgjigjej senatorit Ron Wyden kur ai e pyeti nëse agjencia po hetonte lidhjet midis fushatës së Trump dhe Rusisë.

Mbrëmë Wyden tha: “Populli amerikan ka të drejtë të dijë përgjigjen e kësaj pyetjeje para 20 janarit”.

Agjencitë amerikane të sigurisë po hetojnë hakerimet e rusëve në zgjedhje

Agjencitë e zbulimit besojnë se Vladimir Putin urdhëroi një sulm kibernetik ndaj fushatës elektorale për të ndihmuar Donald Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në një raport të përpiluar nga CIA, FBI dhe NSA lexohet: “Ne vlerësojmë se Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një fushatë ndikuese në vitin 2016 ndaj zgjedhjeve presidenciale në SHBA”.

“Ne vlerësojmë më tej, se Putin dhe Qeveria ruse kanë një preferencë të qartë për Presidentin e zgjedhur Trump”. Rusia nga ana e saj i mohon akuzat e qeverisë amerikane.

Donald Trump mohon pretendimet

Ekipi i Trump nuk kanë dhënë asnjë koment të detajuar, por presidenti i zgjedhur hodhi poshtë historinë në stilin e tij tipik.

Ai shkroi në twitter “Lajme të rreme, një gjueti shtrigash tërësisht politike”.

Avokati dhe këshilltari i tij, Michael Cohen, ka mohuar gjithashtu një akuzë në veçanti në dosje, ku pretendohet se ai është takuar në mënyrë të fshehtë me zyrtarët rusë në Pragë, në gusht ose shtator të vitit të kaluar, për të biseduar në lidhje me hakerimin rus të demokratëve.

Cohen dje në mbrëmje shkroi në Twitter: “Nuk kam qenë kurrë në Pragë”

Ajo që nuk dihet

A është kontrolluar ndonjë prej fakteve?

Asnjë prej pretendimeve në dosjen e Trump nuk është cilësuar si i vërtetë deri tani.

Ka disa pretendime abstrakte të tilla si: “Sjellja joortodokse e Trumpit në Rusi gjatë viteve”, por të tjera janë më konkrete: si për shembull ajo ndaj avokatit të tij, Cohen, se ka vizituar Pragën këtë vit.

Në teori kjo është e mundur të zbulohet nga agjencitë e inteligjencës nëse është e vërtetë, apo e rreme.

Sa i besueshëm është burimi?

Deri tani është raportuar se burimi i dosjes së Trump është një ish-spiun britanik në pension.

Ai besohet se ka trajtuar për  gati dy dekada çështjet e inteligjencës ruse dhe një zyrtar i lartë tha për “MotherJones”, “se ka qenë një burim i besueshëm me një histori që ka dëshmuar se i siguron informacion të besueshëm, të ndjeshëm dhe të rëndësishëm të qeverisë amerikane”.

Burimit, tani një konsulent privat, i është kërkuar fillimisht të hetojë lidhjet e Trumpit në Rusi nga një republikan rival.

Klienti më vonë u bë një demokrat. Spiuni thuhet se u shqetësuar aq shumë nga ajo që gjeti saqë vendosi t’ia kalojë gjetjet direkt FBI-së.

A pati ndonjë efekt në zgjedhjet amerikane?

Presidenti Barack Obama dëboi 35 spiunë të dyshuar rusë dhe vendosi sanksione ndaj dy agjencive të  inteligjencës ruse javën e kaluar për përfshirje e dyshuar të Kremlinit në hakerimin që sipas zyrtarëve ndihmoi Tumpin të mposhtte demokraten, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Trump edhe pse fillimisht e mohoi këtë, më pas tha se edhe nëse kanë ndodhur ato nuk kanë pasur ndikim në rezultatin  zgjedhjeve.

A do të ketë një hetim të plotë të akuzave?

Krerët e opozitës kërkojnë një hetim të plotë në lidhje me skandalin e fundit. Eric Swalwell tha për New York Times: “Presidenti i zgjedhur ka folur disa herë, edhe pasi është prezantuar me këto prova, në mënyra të dyshimta në lidhje me Rusinë dhe diktatorin e saj”.

“Duke marrë parasysh provat se Rusia ka hakeruar demokracinë tonë për përfitimet e saj, presidenti i zgjedhur do t’i bënte një shërbim vendit tonë duke publikuar të taksat mbi të ardhurat personale dhe  të biznesit si dhe informacion të plotë mbi çdo pronë financiare”.

A do të ndalë kjo Donald Trump të bëhet President?

Duket shumë e vështirë.

Asgjë nuk është provuar dhe do të kërkonte një proces të gjatë që Kongresi të pezullonte Trumpin. /Dita

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close