Presidenti i SHBA, Donald Trump ka mohuar që të ketë përdorur financime të fushatës për të paguar dy gra, që thonë se kishin patur lidhje me të.
Deklarata erdhi pasi ish avokati i Trump, Michael Cohen, pranoi fajin për shkelje të ligjeve të fushatës gjatë zgjedhjeve të 2016, pasi kishte paguar para për të blerë heshtjen e dy grave.
Në një intervistë televizive me Fox & Friends, Trump tha se pagesat kishin ardhur nga ai personalisht, jo nga fushata.
Më herët ai kish akuzuar Cohenin se po sajonte histori, për të marrë një dënim më të lehtë.
Në një pjesë të intervistës që do të transmetohet sot, Trump iu përgjigj pyetjeve për pagesat, duke këmbëngulur se nuk ishin shkelje. “Ato erdhën nga unë. Dhe unë kam postuar në Twitter për këtë gjë. Por nuk erdhën nga fushata”, thotë ai, duke shtuar se më vonë kish zbuluar në lidhje me pagesat.
Komentet e tij bien ndesh me ato të Cohenit, të bëra nën betim, ku avokati thoshte se presidenti e kishte udhëzuar të bënte pagesat. / bota.al