
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar synimin e tij për t’i rikthyer astronautët amerikanë në Hënë sa më shpejt të jetë e mundur, duke e lënë në plan të dytë eksplorimin e ardhshëm të Marsit. Në një urdhër ekzekutiv për politikën hapësinore, Trump deklaroi se dëshiron që amerikanët të zbarkojnë sërish në satelitin e Tokës deri në vitin 2028, në kuadër të programit Artemis të NASA-s, i cili u lançua gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Një zbarkim i tillë në Hënë, thuhet në dokument, “do të afirmonte lidershipin amerikan në hapësirë, do të hidhte themelet për zhvillimin ekonomik hënor, do të përgatiste udhëtimin drejt Marsit dhe do të frymëzonte brezin e ardhshëm të eksploruesve amerikanë”.
Urdhri ekzekutiv shton gjithashtu se NASA synon të instalojë “elementët e parë të një avamposti të përhershëm hënor deri në vitin 2030”, si dhe konfirmon planet për vendosjen e reaktorëve bërthamorë “në Hënë dhe në orbitë”.
Aktualisht, rikthimi i astronautëve amerikanë në sipërfaqen e Hënës është planifikuar për mesin e vitit 2027, me misionin Artemis 3, por ky afat është shtyrë disa herë.
Ekspertët e sektorit hapësinor theksojnë se ka gjasa për shtyrje të mëtejshme, pasi moduli i uljes në Hënë, që po zhvillohet nga SpaceX e Elon Musk, ende nuk është gati. Urdhri ekzekutiv i Trump rrit presionin si mbi NASA-n, ashtu edhe mbi sektorin privat hapësinor, për të përmbushur objektivat e administratës.





