BotaMAIN

“Trumpi duket i dashuruar me Putinin. Evropa ka një zë, në 1945-ën nuk kishte!”

Eseja e tij “Për luftën” është botuar 30 vjet më parë, por së fundmi ka parë një rritje të menjëhershme të shitjeve. Michael Walzer – intelektual dhe filozof politik, profesor emeritus në Universitetin Princeton – mbetet ende një nga zërat që na ndihmojnë më së miri të kuptojmë të tashmen, sidomos sot në dritën e konfliktit në Ukrainë dhe pasojave të tij mbi rendin botëror.

«Lufta ruse është një sulm i paprovokuar ndaj një fqinji, një shteti të pavarur dhe sovran. Është qartazi e paligjshme. Është gjithashtu – dhe kjo është edhe më e rëndësishme – e padrejtë: është një krim jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht», shkruante ai në vitin 2022.

Pyetja është nëse kjo mbetet e vërtetë edhe sot, duke pasur parasysh se në përkufizimin e një lufte të drejtë përfshihet edhe një «mundësi e arsyeshme për sukses», për të mos rënë në atë që R.R. Reno e quan “krenaria pagane”, ndryshe nga gjykimi moral kristian.

A mund të flitet ende për një luftë të drejtë, kur tashmë duket e qartë se Ukraina nuk ka mundësi për të fituar? Duhet ndoshta të flasim për paqe të drejtë ose të padrejtë?

«Vendimi se sa gjatë të luftohet dhe çfarë pozicioni të merret në negociata duhet të jetë vendim i qeverisë ukrainase. Aktualisht, duket se qeveria amerikane është e nxituar për t’i dhënë formë një paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë pa u konsultuar me ukrainasit. Zgjedhja se çfarë të bëjnë është shumë e vështirë për Ukrainën, por mbetet gjithsesi një zgjedhje e tyre. Pas braktisjes nga ana e Amerikës, ajo që u nevojitet është një mbështetje shumë e fortë nga Evropa, por nuk jam i sigurt sa e përgatitur është Evropa për ta ofruar këtë.»

Mendoni se vështirësitë që ka pasur dhe po ka Evropa për të mbështetur Ukrainën janë më shumë ideologjike, politike apo ekonomike?

“Keni të drejtë, ka edhe një aspekt ekonomik që unë tentoj ta nënvlerësoj. Mbrojtja e sovranitetit dhe demokracisë së Ukrainës duhet të jetë një angazhim moral, dhe tani ky angazhim duhet të përkthehet në ndihmë për të arritur një paqe sa më të mirë, një marrëveshje më të mirë se ajo që amerikanët mund të arrijnë nëse lihen të negociojnë vetëm me rusët. Trump duket i dashuruar me Putinin. Vetëm Zoti e di çfarë ndodhi në ato dy orë telefonatë. Thelbi është se ka realisht nevojë për një ndërhyrje shumë të fortë nga Evropa, dhe shpresoj që kjo të çojë drejt një negociate më të favorshme. Jemi të gjithë dakord që duhet gjetur një rrugëdalje nga lufta, por ajo rrugë nuk duhet të jetë në kurriz të Ukrainës.”

Citoj fjalët tuaja: “Pavarësia nuk është një vlerë që mund të shkëmbehet lehtësisht.”

«Shumë vende fqinje me Ukrainën janë të shqetësuara për pavarësinë e tyre. Në këtë moment, angazhimi për ta ndihmuar Ukrainën përfaqëson përpjekjen për të refuzuar një rikthim në Jaltë.»

Rikthimi te sferat e influencës që Trump i pëlqen aq shumë.

«Dhe është edhe qëndrimi i të ashtuquajturve “realistë”, ata që i atribuojnë pushtimin e vitit 2022 zgjerimit të NATO-s në atë që duhej të ishte sfera ruse, të cilës Ukraina – sipas tyre – i përkiste. Në Jaltë ne u dhamë rusëve atë që shumë realistë sot thonë se duhet t’u japim sërish: një sferë influence në Evropën Lindore, gjë që çoi në qeveri të tmerrshme dhe, në fund, në revolta e kryengritje. Dhe nuk duhet ta bëjmë këtë sërish. Realistët e urrejnë “moralizmin”, por megjithatë këmbëngulin se argumenti i tyre për sferat e influencës bazohet te rëndësia e paqes ndërkombëtare – që gjithsesi është një argument moral. Propozimi i tyre është që fuqive të mëdha, në emër të paqes, t’u lejohet të ruajnë sfera influence, që shpesh përkthehen në kontroll politik përtej kufijve të tyre. Rendi botëror arrihet përmes ndarjes së botës mes fuqive të mëdha. Për aq sa mund të ketë qenë e nevojshme, marrëveshja e Jaltës jep një shembull të gjallë të çmimit që kërkon realizmi. Popujt e Evropës Lindore paguan atë çmim në formën e brutalitetit, korrupsionit dhe paaftësisë së regjimeve autoritare që sovjetikët krijuan në sferën e tyre.»

Çfarë përshtypje ju bën sot, në vitin 2025, të flitet sërish për ndarjen e botës sipas konferencës së Jaltës? Pse po kthehemi mbrapa në vend që të ecim përpara?

«Dallimi është se tani Evropa ka një zë, në vitin 1945 nuk e kishte. E djathta ka besuar gjithmonë te sferat e influencës, dhe Trump – natyrisht – beson se sfera e ndikimit amerikan duhet të përfshijë Kanadanë, Meksikën, Amerikën Qendrore dhe Groenlandën (qesh).»

Si e interpretoni këtë fiksim të Trump për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan?

«Kanadezët janë mjaft të fortë, por ajo që është me të vërtetë e habitshme është se, nëse Kanadaja do të bëhej pjesë e Shteteve të Bashkuara, republikanët nuk do të fitonin më kurrë zgjedhje. Duke lënë shakatë mënjanë, nuk e kuptoj çfarë po bën Trumpi, cilat janë qëllimet e tij të vërteta.»

A mendoni se me qasjen e tij si biznesmen, Trump u ofron ndonjë avantazh amerikanëve në negociatat me vendet e tjera?

«Nuk mendoj se Trump është ndonjë biznesmen i madh. Mendoj se ai po shfrytëzon maksimalisht pushtetin e presidencës. Dhe kjo më shqetëson. Vetëm për të mos humbur fondet federale, Universiteti Columbia ka pranuar kërkesat e Trump-it: do të ndalojë përdorimin e maskave gjatë protestave, do të disiplinojë protestuesit, do të reformojë pranimin në universitet; disa firma juridike praktikisht janë dorëzuar dhe nuk përfaqësojnë më kundërshtarët e tij; e gjithë Partia Republikane po zvarritet përpara tij. Kjo nuk është aftësi për të bërë marrëveshje, por një ushtrim shumë i guximshëm i pushtetit ekzekutiv. Dhe mendoj se rezultati do të jetë një kundërshti e fortë, dhe se demokratët do ta rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për një vit e gjysmë.»

Deri më sot, pak ose aspak e ka dëmtuar politikisht. A ekziston një kufi përtej të cilit edhe ndjekësit e tij mund të rebelohen kundër tij? Nëse po, cili është?

«Gjërat e turpshme që po bën në lidhje me emigracionin nuk kanë ndikuar në sondazhe, por çmimet e larta po, dhe ndoshta edhe sulmet ndaj gjykatave janë një temë tjetër ku shpresoj të përballet me një kundërshtim të fortë. Mendoj edhe për një situatë ku humbin jetë njerëzish – edhe në atë rast mund të ndikohet. Jam i bindur se një e treta e vendit do të qëndrojë gjithmonë me të, por në zgjedhjet e fundit pati shumë njerëz që votuan për të, për arsye shumë afatshkurtra. Po vuanin ekonomikisht dhe mendonin se Trump do të bënte diçka që Biden nuk e kishte bërë, ose nuk kishte mundësi ta bënte.»

A mund të ndryshojë Trump me të vërtetë fibrën morale të Amerikës – nëse nuk e ka bërë tashmë?

«Nuk mendoj se do t’ia dalë. Unë pres që të shfaqet një rezistencë e fortë, që për momentin mungon. E majta po kërkon një lider. Nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një Lider me “L” të madhe, mjafton një njeri me bindje. Ka disa demokratë që premtojnë – mendoj për shembull për senatorin Chris Murphy nga Connecticut.»

I vetmi që duket se po bën diçka është Bernie Sanders.

«Për momentin, duket se u takon të moshuarve të shpëtojnë vendin (qesh). Kam nipër që sapo kanë përfunduar universitetin dhe po kërkojnë punë, pa gjetur dot. Ajo që dua të them është se ka arsye ekonomike për të pritur ringjalljen e një lloj demokracie sociale ekonomike mes të rinjve. Mendoj se, duan apo jo, duke parë si qëndrojnë gjërat në aspektin e pabarazisë, brezat më të rinj do të shtyhen në atë drejtim.»

A është ende gjallë ideja e një tregu të lirë dhe e një shoqërie globale, apo po i nënshtrohet një ndjenje më nacionaliste – si në Evropë, ashtu edhe në SHBA?

«Përballë një ekonomie globale, një përgjigje në sens nacionalist është reale, dhe ishte e parashikueshme. Mbrojtja e zakoneve lokale, e historive lokale, është diçka në të cilën kam besuar gjithmonë. Unë e përkufizoj veten si ‘komunitar’, sepse mendoj se komunitetet lokale janë të rëndësishme dhe se ka njerëz – si në të majtën globale, veçanërisht atë neoliberale globaliste – që nuk kanë aspak ndjeshmëri për ndjenjat e zakonshme të përkatësisë komunitare që kanë njerëzit.» / La Stampa – Bota.al

Back to top button