Bota

Trumpi urdhëron sulmin. Reagime të forta dhe paralajmërime, nga Rusia, Irani e Siria

“Urdhërova sulmin ndaj Sirisë”. Njoftimi i Donald Trump mbërriti rreth orës 10 të mbrëmjes, me orën e Uashingtonit (në Shqipëri ishte tre e mëngjesit), ndërsa raketat tashmë po goditnin objektivat, që konsideroheshin të lidhura me prodhimin e armëve kimike. Një javë pas sulmit të diskutueshëm kimik kundër qytetit sirian të Dumës, për të cilin SHBA ka bërë përgjegjëse trupat e qeverisë siriane, presidenti amerikan është hedhur në veprim. Operacioni, i cili erdhi paksa befasisht, pasi orët e fundit kishte patur disa shenja çtensionimi, u krye nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe, të cilat përdorën njësi detare dhe forca ajrore. Nga informacioni i parë janë të paktën tre civilë të plagosur në një nga zonat e goditura, baza e Homsit.

Objektivat

Tre objektivat janë goditur gjatë sulmit, i cili zgjati rreth një orë, një qendër kërkimore në Damask, një depo për ruajtjen e armëve kimike dhe një qendër komande në Homs, ku sipas televizionit sirian, tre persona janë plagosur. Janë lëshuar rreth 100 deri 120 raketa. Kështu deklaroi James Mattis, kreu i Pentagonit, i cili tha se janë përdorur dy herë më shumë në krahasim me 59 raketa që u lëshuan në sulmin në Siri në vitin 2017. 

Siç ka deklaruar Trump, sulmet e koordinuara me të dy vendet aleate, synojnë të godasin objektiva ku bëhet prodhim i armëve kimike. “Ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë këtë përgjigje derisa regjimi sirian të mos përdorë agjentë të ndaluar kimikë”, tha ai. “Ne nuk duam të përmbysim Asadin, por të ndalim përdorimin e armëve kimike”, tha Theresa May, kryeministre britanike. “Vija e kuqe e vendosur nga Franca në maj 2017 është shkelur. Kështu që unë urdhërova forcat franceze, të ndërhyjnë, si pjesë e një operacioni të përbashkët ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe të orientuara kundër arsenalit të paligjshëm kimik të regjimit sirian”, shkroi në Tuiter presidenti francez, Emmanuel Macron. “Ky është një mesazh i qartë për Assadin,” tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, ish gjenerali James Mattis, duke siguruar që aktualisht nuk ka humbje të forcave amerikane.

REAGIMET
Reagimi i Rusisë, përmes ambasadorit në Shtetet e Bashkuara, ka qenë i fortë: “Sulmi është një shuplakë e papranueshme për presidentin tonë Putin dhe nuk do të mbetet pa pasoja”. Ai më pas shtoi se një numër “i konsiderueshëm” raketash të nisura ishin “ndërprerë ose rrëzuar” nga sistemet e mbrojtjes siriane. Franca siguron që “Rusia është paralajmëruar përpara fillimit të sulmeve”. Më pas ka ardhur komenti i Ministrisë së Jashtme siriane: “Një agresion barbar dhe brutal”. Tone të ashpra edhe nga Ministri i Jashtëm iranian: «Do të ketë pasoja rajonale». Megjithatë, Moska vuri në dukje se raketat nuk goditën as bazat, as njerëz dhe as automjetet ruse. Ka reaguar edhe Izraeli, i cili e përcakton sulmin si “të justifikuar”. Mbështetje edhe nga Kanadaja dhe Japonia. Koalicioni gjithashtu ka marrë mbështetje nga Turqia. Por operacioni duket se ka ngjallur disa polemika brenda Kongresit Amerikan, sepse Trump, përpara se të urdhëronte, nuk kërkoi asnjë autorizim. Sipas disa vëzhguesve, SHBA, Franca dhe Britania ende mund të kishin arritur marrëveshje me Rusinë për të shmangur një përshkallëzim të pakontrollueshëm të luftës. Veprimi tani për tani duhet të kufizohet në një natë dhe prandaj do të ketë aromën e një paralajmërimi ndaj qeverisë së Asadit, edhe pse burimet e administratës amerikane kanë shpjeguar se “operacioni nuk ka mbaruar. Ajo që keni parë sonte nuk është fundi i përgjigjes amerikane, plani siguron shumë fleksibilitet, që lejon bombardime të mëtejshme. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button