AnalizaBota

Trumpologjia dhe vazhdimësia e NATO-s

Nga Gurakuç Kuçi*

Themelimi i vetë NATO-së ka qenë një iniciativë dhe një bashkim i vendeve të bllokut Perëndimor, me iniciativën e SHBA-së, si një nevojë, fushatë, gjeostrategji dhe vlerë për të mbrojtur interesat perëndimore. Udhëtimi i kësaj organizate ndërkombëtare ka mbrojtur gjithë anëtarët e saj me vetë emrin dhe unitetin e saj, dhe asnjëherë me luftë përveç kur kanë ndërhyrë për të drejtat e njeriut në Kosovë, dhe arsye të tjera në Afganistan.

Kërkesa e Trump-it që të gjitha shtetet anëtare të kryejnë obligimet e tyre prej 2% ndaj organizatës së NATO-së, nuk mund të konsiderohet si një kërkesë e madhe për vendet anëtare. Është plotësisht me vend kërkesa se kush dëshiron mbrojtje duhet të paguaj dhe të kontribuoj. Dhe kjo kërkesë e Trump, nga perspektiva realiste ka një të mirë për vendet anëtare dhe një të keqe për SHBA-në.

E para, është se vendet anëtare duke paguar kontributin prej 2% sipas GDP-së së tyre, atëherë NATO-ja do të bëhej më e demokratizuar dhe vendet kontribuuese nuk do të mund të “detyroheshin” në çfarëdo forme për të përkrahur diçka që ato nuk dëshirojnë, dhe zërat e vendeve anëtare do të bëheshin më të fuqishëm. Por në anën tjetër kjo pastaj do të rriste vështirësitë për marrjen e vendimeve brenda organizatës.

E dyta, është se me këtë rast SHBA-ja do të humbte influencën e saj deri në një masë, pasi me këtë rast nuk do të mund të merrte vendime të “njëanshme” të cilat mund të kenë kryesisht të mira të përgjithshme por jo edhe në interes të të gjitha vendeve, të themi kushtimisht sikur të kishte një rast si intervenimi i NATO-së në Kosovë.

Dhe me këtë rast NATO-ja nuk do të ketë një orkestrues, por influenca brenda organizatës do të jetë më e shpërndarë dhe barabartësia do të jetë më e madhe.

Kjo do të polarizonte fuqinë brenda NATO-së, dhe realpolitika nuk do të përkrahte një kërkesë të tillë të Trump-it, pasi influenca ndaj anëtarëve të NATO-së dhe vetë NATO-së do të rritej nga Kina e sidomos nga Rusia, ku kjo e fundit më patjetër e ka shtrirjen e ndikimit të saj.

Është paksa e frikshme të mendohet kjo pasi duke pasur parasysh që vendimet brenda NATO-së merren me konsensus dhe unanimitet, lojaliteti i disa vendeve anëtare ndaj vendeve jo-anëtare do të blihej, si p.sh. nga Rusia. Kjo do të mund të dërgoj këtë organizatë drejt shkatërrimit. Gjë që do të krijonte situata të reja në Botë, që jo me patjetër luftëra të stilit të Luftës së Dytë Botërore, por polarizime të reja, fërkime titanësh, stagnim i punës së OKB-së, etj.

Atëherë do të ishte e frikshme, pasi SHBA-ja mund të kthehet me influencën e vet, vetëm në Hemisferën Perëndimore, ndërsa Bashkimi Evropian, do të duhej të rishikonte dhe krijonte tërësisht një unitet më të madh gjeostrategjik dhe gjeopolitik, kjo e fundit duke u marrë me veten, Ballkani lehtë mund të bie në duart e Rusisë, dhe fërkimi kryesor do të mbetej mes SHBA-së dhe Kinës, për vendet Aziatike, Japoninë, Korenë Veriore, Filipinet, etj. Lindja e Mesme do t’i nënshtrohej tërësisht kaosit, e përfshirë në një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve.

Trumpologjia, vetëm sa ka bërë që BE-ja ta rishikojë pozicionin e vet, dhe kjo e fundit të shikojë mundësitë për integrim më të thellë dhe gjerë mes vendeve anëtare. Asnjëherë nuk vihet në dyshim ekzistenca e BE-së, me apo pa NATO-në, sepse janë politikat e mëdha që vendet anëtare do t’i detyrojnë të kapërdijnë shumë humbje për përfitime më të mëdha.

Trump me admnistratën e tij, mund të luajë edhe blof, pasi me kërcënime të tilla ndaj vendeve anëtare të NATO-së, dëshiron vetëm t’i shtyjë që të mos e mendojnë largimin, distancimin apo edhe shkatërrimin e organizatës nga vendet anëtare, duke i mbajtur nën frikën e tillë se mos-angazhimi i tyre në këtë organizatë, do t’i lë ata pa mbrojtje dhe do të bien në duar të totalitarizmit putinist.

NATO duhet të vazhdojë ekzistencën e vet, dhe kjo nuk duhet të bëhet për hir të interesave të shteteve, por për hir të popujve dhe paqes në Botë. Vetëm ekzistenca e NATO-së dhe mundësia e angazhimit të saj, edhe pa veprime e ka ruajtur paqen në Evropë dhe Botë, pastaj ka sjellë paqen në Ballkan me intervenimin humanitar në Kosovë. Shpresoj që gjitha këto të jenë historicizma dhe bota do të vazhdoj të shkoj me trendin e elitave globaliste të cilat zhvillohen falë ekzistencës dhe sigurisë kolektive të NATO-së dhe SHBA-së.

*autori është master i Politikës Ndërkombëtare dhe drejtor në “Independent Institute for Political and Media Studies”

Leave a Reply

Back to top button