Kryeministri grek Aleksis Tsipras do të pranojë gjithë kushtet e kreditorëve, në shkëmbim të një pakete të re për shpëtimin e Greqisë, bën të ditur gazeta Financial Times.
Sipas gazetës, Athina kërkon vetëm disa ndryshime të vogla, me letrën që Tsipras u dërgoi kreditorëve vonë mbrëmjen e të martës dhe që e disponon Financial Times.
Letra prej dy faqesh u dërgohet shefave të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe bankës Qendrore Europiane.
Në letrën e vet Tsipras thotë se Athina do të pranojë gjithë reformat e propozuara, si atë të sistemit tatimor, por duke kërkuar mbajtjen e reduktimit prej 30% të taksës për ishujt grekë.
Në çështjen e nxehtë të reformimit të sistemit të pensioneve, Tsipras kërkon që mosha 67 vjec të fillojë të zbatohet pas shtatë vjetësh, dhe jo menjëherë siç kërkojnë kreditorët. Kryeministri grek kërkon gjithashtu të hiqet gradualisht deri në dhjetor 2019, më vonë nga sa kërkojnë kreditorët, një kompensim që u jepet pensionistëve më të varfër.
Sipas Financial Times, letra e Tsipras u dërgua ndërsa Banka Qendrore Europiane përgatiteshin të diskutonin mbi një kufizim tjetër të aksesit të bankave greke në likuiditetet e emergjencës, çka do të shpinte në falimentim të paktën një bankë vendase.
Sipas të gjitha gjasave, letra e kryeministrit grek, do të diskutohet në telekonferencën e ministrave të financave të eurozonës, një mbëedhje që ishte paralajmëruar për mëngjesin e sotëm, por më pas u shty për në orën 17,30.
Pritet që letra e Tsipras të publkikohet edhe nga zyra e shtypit e kryeministrit grek, ndërsa nuk përjashtohet edhe një deklaratë e Aleksis Tsipras.