Aleksis Tsipras e cilësoi një luftë të vërtetë arritjen e marrëveshjes me krerët e Eurozonës.
Ai thotë se tashmë Greqia do të bëjë reforma radikale, për t’u çliruar nga oligarkët.
“Do vazhdojmë të luftojmë për të stabilizuar sovranitetin kombëtar dhe tani duhet të luftojmë kundër oligarkisë, që e çoi vendin në këtë gjendje”, ka deklaruar ai.
Por, marrëveshja e arritur pas orëve të tëra negociatash, mund të jetë fatale për Tsipras.
Ai rrezikon që të humbasë si drejtimin e qeverisë, ashtu edhe atë të partisë.
Kjo, duke qenë se marrëveshje e re dhe kushtet e saj, nuk janë pritur mirë në Greqi.
Panagiotis Lafazaris, ministër i Energjisë dhe lideri më radikal i Syrizas, ka thënë se “marrëveshja është poshtëruese”.
Lëvizja e Tsipras dhe marrëveshja e re, në fakt mohon rezultatet e referendumit të zhvilluar më 5 korrik.
Tashmë Tsipras ndodhet në një pozicion të dobët dhe duhet të mbrohet dhe të bindë parlamentin grek që të miratojë marrëveshjen.
Ndryshe rrezikon që të jetë i humburi i madh i marrëveshjes së arritur mëngjesin e sotëm.