Shendeti

Tundimi i dremitjes? Nëse zgjat më pak se 30 minuta, i bën shumë mirë trurit

Kalimi nga karrigia në divan për të dremitur paka pasdreke, është vërtetë i pa rezistueshëm. Por lajmi i mirë është se nuk duhet të ndihemi fajtorë për këtë gjë. Sipas një studimi të botuar së fundmi në “General Psychiatry”, dremitja e pasdites shoqërohet me aftësi të përmirësuar mendore, një vetëdije në rritje për veten në hapësirën ku ndodheni, një rrjedhshmëri verbale, dhe një kujtesë më të mirë.

Pak dhe shpesh

Studimi, i kryer tek më shumë se 2 mijë kinezë mbi 60-vjeç, zbuloi një performancë njohëse “dukshëm më të mirë” tek ata që flinin rregullisht pasditeve, krahasuar me ata që flinin vetëm natën. Përveç kësaj, sipas ekspertëve, një gjumë i shkurtër pasdreke, mund të ndihmojë në rikuperimin e një nate pa gjumë, siç dëshmohet tashmë nga studimet e mëparshme.

Sidoqoftë, është mirë të mos e teproni:”E fjetura e gjatë dhe shumë e shpeshtë, shoqërohet me funksione të dobëta njohëse”- thuhet në studim. “Në të kundërt, dremitjet e shkurtra (më pak se 30 minuta) dhe të shpeshta (4 herë në javë), shoqërohen me një rënie prej 84 për qind të rrezikut të shfaqjes së sëmundjes së Alzheimerit”- thonë studiuesit.

Një ndryshim tjetër midis atyre që pushojnë pas dreke dhe atyre që nuk pushojnë, del nga niveli i triglicerideve në gjak. Në fakt analizat e gjakut, zbuluan një nivel dukshëm më të lartë (megjithëse brenda normës) të triglicerideve, yndyrnave më të pranishme në gjakun tonë, tek personat mbi të 60-at që dremitnin rregullisht, krahasuar me ata që nuk e bënin këtë.

Ky zbulim plotëson rezultatet e studimeve të tjera, sipas të cilave gjumi është një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare. Për autorët e studimit, nivelet më të larta të triglicerideve, mund të jenë për shkak se ata që pushojnë rregullisht pasdite, priren të jenë me sedentarë, dhe për pasojë mbipeshë.

Një rimarrje e energjive

Në pritje të më shumë studimeve mbi këtë çështje, që të sqarojnë njëherë e përgjithmonë rolin e dremitjes së shkurtër në mirëqenien tonë psikofizike – sipas autorëve të studimit, studimi i shkakësisë midis dremitjes për pak kohë ditën dhe përmirësimeve njohëse, duhet të thellohet – është më mirë të mos e teproni:një dremitje që nuk e kalon gjysmë ore, është ideale për rikuperimin e forcave, pa rrezikuar që ta shtyni kohën e fjetjes në mbrëmje. / Focus-Bota.al

Back to top button