Bota

Turravrapi i të pavërtetave

screen-shot-2016-09-20-at-09-59-42

Nga Lucy P. Marcus

Londër – Senatori amerikan Daniel Patrik Mojnihen, tha pak kohë më parë:”Gjithkush i jep të drejtë mendimit të tij, por jo fakteve të veta”. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por, pavarësisht nëse u japin të drejtë apo jo fakteve, politikanët dhe elektorati e kanë ndërtuar realitetin e tyre alternativ – me pasoja të mëdha. Në ditët e sotme, faktet dhe e vërteta po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi sa i përket përkrahjes nga politika (biznesi dhe madje edhe sporti).

Ato janë duke u zëvendësuar me atë që komediani amerikan Stefën Kolbert e quan “trualli i të përvërtetës”: shprehjen e ndjenjave apo opinioneve si deklarata të vlefshme faktuale. Ky vit mund të konsiderohet si një nga kulmet e të pavërtetave. Për të marrë vendime të mira, votuesit duhet të vlerësojnë faktet e besueshme, nga të dhënat ekonomike tek analizat mbi terrorizmin, të paraqitura në mënyrë transparente dhe pa paragjykime.

Por sot, oratorët kryesorë në televizion sulmojnë më së pari ata që kanë ekspertizë në këto fusha. Dhe figurat ambicioze politike – nga drejtuesit e fushatës Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, tek kandidati presidencial republikan amerikan Donald Tramp – shpërfillin tërësisht faktet. Mjedisi është i pjekur për një sjellje të tillë. Votuesit, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara, janë të lodhur nga vitet e premtimeve të pambajtura të politikës, zbulimet e skandaleve, dhe këshilltarët e pamëshirshëm politike dhe mediatikë.

Marrëdhëniet e errëta ose të dyshimta kanë hedhur dyshime mbi integritetin e organizatave dhe institucioneve mbi të cilat ne duhet të jemi në gjendje të mbështetemi. Për shembull, gazeta “New York Times” botoi kohët e fundit një seri artikujsh mbi think tank, duke vënë theksin tek konflikti i interesit me të cilat ato përballen si analistë, por u janë mirënjohës financuesve të korporatave dhe nganjëherë veprojnë si lobistë.

Sapo gjenden disa ekspertë që ofrojnë gjysmë të vërteta – ose më keq – besueshmëria e të gjithë sektorit vihet në pikëpyetje. Kristin Tod Uitman, e cila ishte shefe e Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) në 11 shtator të vitit 2001, u tha banorëve të qytetit të Nju Jorkut se ajri ishte i sigurtë dhe uji mund të pihej në ditët pas sulmit terrorist në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Por, siç vuri në dukje një raport i EPA-s në vitin 2003, agjencia “nuk zotëronte të dhëna të mjaftueshme dhe analiza për të bërë një deklaratë të tillë” në atë kohë. Me rastet e sëmundjeve të rënda të frymëmarrjes që u rritën ndjeshëm, Uitman tashmë pranon se deklarata qe e gabuar.

Ngjashëm, raporti “Chilcot” i publikuar së fundmi tregoi se lufta në Irak në vitin 2003, nisi nën justifikime të rreme. Raportet e inteligjencës nuk kishin vendosur nëse në atë vend kishte apo jo armë të shkatërrimit në masë, por kryeministri britanik Toni Bler ndoqi me zell presidentin amerikan Xhorxh W. Bush në urdhërimin e ushtrisë së tij për të pushtuar Irakun. Pasojat e këtij vendimi janë ende të gjalla.

Nëse udhëheqësit tanë mund të kenë gabuar me dashje mbi çështje të tilla që kanë pasoja të rënda, si mund t’u besojmë çdo gjëje që ata na thonë? Kjo pyetje i ka hapur derën një lloji të ri të pavërtete, të përdorur nga Trump, i cili duket se shpik përditë “fakte” të reja. Nga ana e tyre kopjet e Tramp, përdorin shfaqje televizive dhe mediat sociale për të riqarkulluar gënjeshtrat, duke vepruar me sa duket sipas parimit se nëse përsëritet diçka me një shpeshtësi të mjaftueshme, ajo do të bëhet e vërtetë.

Dhe shumë votues duken të gatshëm t’i ndekin në këtë linjë. Kur 40 politikëbërësit kryesorë të huaj republikanë dhe ekspertë të sigurisë kombëtare, nënshkruan një letër ku shprehin kundërshtinë e tyre ndaj Tramp, për të cilin ata druajnë se do të jetë “presidenti më i pamatur në historinë amerikane”, shqetësimet e tyre u shpërfillën gjerësisht.

Përgjigja e Tramp – se janë ata udhëheqësit që e katandisën botën në “një vend kaq të rrezikshëm” – tingëllon mjaftueshëm bindëse për të injoruar paralajmërimin e tyre. Edhe gënjeshtrar me busht të thëna në një intervistë të transmetuar në televizionet kombëtare nuk sfidohen, a thua sikur Tramp të kishte të drejtë mbi faktet e tij.

Udhëheqësit e fushatës për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian, gëzuan një avantazh të ngjashëm në prag të referendumit Brexit në muajin qershor. Ata pikturuan një tabllo tërësisht të rreme të rrethanave ku gjendej vendi – nga roli i tij në BE tek ndikimi i emigracionit – dhe bënë me vetëdije premtime të pamundura për atë që do të ndodhte, në qoftë se publiku votonte pro ”Brexit”.

Për shembull, udhëheqës si Boris Xhonson, aktualisht shefi i doplomacisë në qeverine e re, deklaroi se 465 milionë dollarë që i paguhen çdo javë BE-së (një shifër që nuk merr parasysh përfitimet) do të mund të shkonin për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Kjo madje u shkrua edhe në njërën anë të autobuzit të fushatës.

Tani që referendumi përfundoi, Xhonson dhe të tjerët janë tërhequr, dhe fushata e ka riemërtuar  veten “Ndrysho Britaninë”, duke premtuar të dërgojë fondet e BE në sektorë të tjerë të vendit. Kjo ka zemëruar shumëkënd, sidomos duke pasur parasysh paralajmërimin e fundit nga organi që përfaqëson spitalet në të gjithë Anglinë se mungesa e fondeve e ka shtyrë NHS në prag të falimentimit.

Mbështetësit e Brexit janë tërhequr edhe nga premtimet për të frenuar emigracionin, në mesin e një rritje të mprehtë të krimeve të urrejtjes në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, të nxitura pikërisht nga retorika e tyre. Dobësitë e Brexit duhet të kishin qenë të qarta për votuesit që përpara referendumit, pasi shumë ekonomistë, ekspertë të mbrojtjes, si dhe udhëheqës botërorë i përmendën ato shumë herë gjatë fushatës.

Por, sikurse vërejti me krenari udhëheqësi i fushatës Majkëll Gav, njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar “u kanë ardhur më majë të hundës ekspertët”. Në fakt, duket se disa njerëz votuan pro Brexit, veçanërisht për shkak se kaq shumë ekspertë folën kundër tij. Ata duket se besojnë deputeten pro Brexit, Gisela Stjuart që u shpreh:”i vetmi ekspert që ka rëndësi” është zgjedhësi.

Nuk duhet të jetë çudi që realiteti post-referendum, nuk është ai që prinin shumë votues pro Brexit-it. E megjithatë argumentet e gënjeshtërta që çuan fushatën “Brexit” drejt fitores, vështirë se i kanë hedhur sërish njerëzit në mbështetje tq ekspertëve. E paverteta është në përparim, në veçanti në të gjithë Evropën dhe SHBA – kryesisht për shkak se shumë nga autoritetet që duhet të demaskonin gënjeshtrat, janë të njollosur vetë me të pavërteta.

www.bota.al / Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Truthiness on the March

Leave a Reply

Back to top button