Bota

Udhëheqësit botërorë “kafshojnë buzën” dhe përgëzojnë Trumpin

screen-shot-2016-11-10-at-10-39-27

Udhëheqësit botërorë kanë reaguar ndaj rezultatit surprizë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte ofruar mbështetjen e saj për Hillary Clintonin, por premtoi të bashkëpunojë me Donald Trumpin, ndonëse vetëm sipas disa kushteve: “Gjermania dhe Amerika janë të lidhura mes tyre prej vlerave: demokraci, liri, respektim i ligjit dhe respekt për njerëzit, pavarësisht nga origjina, ngjyra e lëkurës, feja, gjinia, orientimi seksual apo besimi politik i tyre. Mbi bazën e këtyre vlerave, unë ofrohem të punoj ngushtë me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”.

Presidenti i Francës, Francois Hollande kish patur edhe ai disa fjalë jo edhe aq të këndshme për Donald Trumpin gjatë fushatës, por tani ky i fundit është president i zgjedhur. “Zgjedhjet në Amerikë hapin një periudhë pasigurie. Unë do të doja t’i qasesha me kthjelltësi dhe qartësi. SHBA janë një partner kryesor i Francës dhe në lojë është paqja, lufta kundër terrorizmit, situata në Lindjen e Mesme, marëdhëniet ekonomike dhe ruajtja e planetit. Këto janë çështjet kryesore. Unë do të angazhohem pa vonesë në një diskutim me administratën amerikane”.

Mesazhi populist që u rrok prej popullit amerikan në vijim të Brexit, është një shqetësim për Bashkimin Europian.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk foli për mediat botërore: “Dëgjova me vëmendje presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe thirrjen e tij për unitet mes amerikanëve. Dhe unë, nga ana ime, do të doja të bëja thirrje për unitet europian dhe transatlantik. Unë nuk mendoj se një komb sot mund të jetë i madh, në izolim. Por unë besoj se Amerika dhe Europa munden, duhet dhe do të punojnë së bashku. Eshtë në interesin tonë të përbashkët”.

Euronews – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button