Analiza

UKRAINA / Në prag të zgjedhjeve, frikë nga kaosi

ukraina ne prag te zgjedhjeveJames Marson

Për herë të parë në më shumë se dy dekada pavarësi të Ukrainës, Kostantin Kaliberda ka dyshime nëse do të hapë shkollën e tij lokale Nr. 17 për zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht rolit që votimi i të dielës do të ketë për të mbajtur vendin të bashkuar. “Nuk kemi marrë udhëzime dhe nuk kemi bërë asnjë takim. Normalisht tani duhej të kishim listat e votuesve, por ata të komisionit zgjedhor të lagjes janë të frikësuar dhe nuk japin asgjë”, thotë Kaliberda, një komisioner zgjedhor 47 vjecar që ka mbikëqyrur 10 palë zgejdhje në qytetin e Khanzhonkoves, pranë Donetskut.

Ukraina do të mbajë zgjedhjet presidenciale të dielën, të cilat synojnë të cimentojnë autoritetin e qeverisë qendrore të Kievit – dhe unitetin e vendit – teksa kjo përpiqet të shtypë militantët prorusë në lindje.

Zyrtarët dhe vëzhguesit thonë se përgatitjet në pjesën më të madhe të vendit vazhdojnë normalisht. Por separatistët e armatosur që kanë shpallur pavarësinë në dy rajonet e trazuar të Donetskut dhe Luhanskut janë duke prishur përgatitjet dhe janë betuar të mos lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve. Këta rajone me shumicë ruse përbëjnë 15% të popullsisë 46 milionëshe të vendit, por kanë fituar shumë më tepër rëndësi për shkak të fokusit të Rusisë në zgjedhjet aty.

Guvernatori i Donetskut deklaroi se pothuajse të gjithë 2500 qendrat e votimit do të jenë gati dhe të hapura të dielën. Por, zyrtarët e komisionit qendror thanë se gjysma e komisioneve zonalë zgjedhorë ishin zaptuar ose ishin nën kërcënim që të binin nën kontrollin e separatistëve.

Për Kievin, pranimi i zgjedhjeve nga fqinji i vet gjigand do të ishte një shtytje e madhe. Presidenti rus, Vladimir Putin është përpjekur të zbusë tensionet duke tërhequr trupat nga kufiri me Ukrainën dhe duke injoruar thirrjet e rajoneve separatistë që t’i aneksojë edhe ata, ashtu si bëri me Krimenë.

Të mërkurën, Putini tha se lëvizjet për të legjitimuar autoritetet në Kiev, që erdhën pas protestave të dhunshme që rrëzuan Presidentin Janukovic në shkurt ishin “hapa pozitivë”. Por ai tha gjithashtu se mbajtja e zgjedhjeve në mesin en jë operacioni të madh ushtarak kundër rebelëve do “të ngrejë pikëpyetje të mëdha” për rezultatet. Rusia ka thënë se mund të mos e pranojë rezultatin nëse pjesëmarrja do jetë e ulët.

Edhe nëse zyrtarët arrijnë të mbajnë hapur numrin më të madh të qendrave të votimit në rajonet lindorë, pjesëmarrja mund të ndikohet nga një tjetër faktor: Zgjedhjet janë të parat që nga shpallja e pavarësisë në 1991, ku nuk ka kandidat nga lindja – qendra industriale e Ukrainës – me shanse reale për të fituar.

Afro një e treta e atyre që jetojnë në lindje nuk kanë ndërmend të votojnë, sipas një sondazhi të këtij muaji. Pothuajse i njëjti numër nuk ka vendosur kë kandidat do të mbështesë.

Në lindje është bërë shumë pak fushatë dhe asnjë poster të dukshëm nuk ka në Donetsk të Petro Poroshenkos, një oligark properëndimor që tashmë kryeson bindshëm në sondazhe, apo edhe të rivales së tij kryesore, ish kryeministres Julia Timoshenko, e cila në vitin 2010 humbi përballë Janukovicit, me origjinë nga Donetsku.

Në qytetin e Donetskut, qeveria e vetëshpallur separatiste e njohur si Republika Popullore e Donetskut thotë se do të prishë votimin. “Nuk do të ketë zgjedhje”, deklaroi Denis Pushilin, një prej liderëve të separatistëve.

Ndërkohë që forcat e separatistëve janë të limituara – qindra vetë të armatosur dhe disa mijëra me shkopinj – ata kanë hasur shumë pak rezistencë nga policia lokale që kur u shfaqën dy muaj më parë.

Strategjia e tyre duket se është përqëndrimi në komisionet zgjedhorë të rajonit, që janë të ngarkuar me koordinimin e votimeve, me qëllim që të mos lejojnë furnizimin me materiale zgjedhorë të qendrave të votimit. “Zgjedhjet do të zhvillohen të dielën në një gjendje kaosi”, thotë Sergei Tkachenko, kreu i Komitetit të Votuesve të Ukrainës, një organizatë joqeveritare.

Në Khanzhonkove, Kaliberda thotë se nëse kutitë nuk vijnë deri të premten, nuk ka gjasa të ketë zgjedhje të dielën. “Në atë rast, do të rri në shtëpi”, thotë ai.

Wall Street Journal

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close