E gjitha nisi si një “grindje” për një marrëveshje tregtare, por u shndërrua pa kaluar shumë kohë, në konfliktin më të përgjakshëm që ka parë Europa që nga koha e luftërave të ish Jugosllavisë në fillimin e viteve ’90. Ndërkohë që udhëheqësit botërorë mundohen t’i japin fund konfliktit në Ukrainën Lindore, ja disa prej ditëve që kanë përcaktuar këtë konflikt, qysh kur dhuna shpërtheu në nëntor 2013.
21 Nëntor 2013: Pas një viti ku këmbëngulte se do të firmoste një marrëveshje politike dhe tregtare me Bashkimin Europian, presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych pezullon bisedimet për shkak të presionit nga Rusia, e cila ka kundërshtuar prej kohësh forcimin e lidhjeve të Ukrainës me BE-në. Dhjetëra-mijëra protestues dalin në rrugë në ditët që vijojnë, duke nxjerrë në pah ndarjen e thellë mes perëndimit proeuropian dhe bazës së pushtetit të Yanukovychit në lindjen proruse të Ukrainës.
Më pas përshkallëzohen
20 shkurt 2014: Dhuna që ka javë që vlon pëson një shpërthim kur nis shkëmbimi i zjarrit mes protestuesve dhe policisë në Sheshin Majdan në qendër të Kievit, duke lënë dhjetëra të vdekur. Protestuesit thonë se snajperët qeveritarë hapën zjarr ndaj tyre; qeveria e Yanukovychit fajëson udhëheqësit e opozitës për provokim të akteve të dhunës.
… dhe presidenti ukrainas arratiset
22 Shkurt 2014: Yanukovychi largohet natën nga Kievi, teksa rojat e tij braktisi kompleksin presidencial. Mijëra vetë hyjnë me forcë, dhe mbeten të shtangur nga ambientet luksoze ku ka jetuar presidenti. Ish Kryeministrja Yulia Tymoshenko – e burgosur në vitin 2011 për “abuzim me detyrën” pas një gjyqi që u pa gjerësisht si i motivuar politikisht – lirohet nga burgu dhe u drejtohet protestuesve properëndimorë në Sheshin Maidan.
Një javë më vonë, trupat hyjnë në Krime…
https://www.youtube.com/watch?v=kp20H92P7zE
1 Mars 2014: Parlamenti rus miraton kërkesën e Vladimir Putinit për të dërguar forca ushtarake në Krime, një rajon autonom në jug të Ukrainës, me një besnikëri të theksuar ndaj Rusisë. Mijëra trupa rusisht-folëse me uniforma pa shenja dalluese futen në gadishull. Dy javë më vonë, Rusia përfundon aneksimin e Krimesë në një referendum që dënohet nga Ukraina dhe pjesa më e madhe e botës si i paligjshëm.
… dhe shumë shpejt Kievi nis aksionin në Ukrainën lindore
15 prill 2014: Qeveria e Kievit nis aksionin e parë formal ushtarak kundër rebelëve prorusë që kanë zaptuar ndërtesat qeveritare dhe qytetet në Ukrainën Lindore. Putini paralajmëron se Ukraina është në prag “të luftës civile”. Më pak se një muaj më vonë, separatistët në rajonet lindorë të Donetskut dhe Luhanskut shpallin pavarësinë pas referendumeve që askush nuk i ka njohur.
Në pranverë, një president i ri vjen në pushtet në Kiev
25 maj 2014: “Mbreti i Cokollatës”, Petro Poroshenko një manjat i kompanive të ëmbëlsirave dhe një prej personave më të pasur në vend shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës. Separatistët prorusë akuzohen se nuk kanë lejuar njerëzit të votojnë në lindje të vendit.
… dhe marrëveshja e tregtisë me BE më në fund firmoset
27 qershor 2014: Poroshenko firmos Marrëveshjen e Asociimit me BE – e njëjta marrëveshje që paraardhësi i tij Yanukovych nuk e firmosi në 2013 – dhe paralajmëron Rusinë se vendosmëria e Ukrainës për të ndjekur ëndrrën europiane nuk do të mohohet.
Rrëzohet një avion civil
17 korrik 2014: 298 vetë gjejnë vdekjen kur avioni Malaysia Airlines 17 qëllohet dhe rrëzohet nga një raketë tokë-ajër mbi territoret e kontrolluar nga rebelët në Ukrainën lindore. Fillimisht, persona të armatosur pengojnë vëzhguesit ndërkombëtarë që të shkojnë në vendin e rrëzimit, duke rritur hidhërimin e familjeve të viktimave, dhe u deshën ditë përpara se rebelët të lejonin hetuesit të ekzaminonin trupat.
… dhe pak muaj më vonë ka një armëpushim
20 shtator 2014: Ukraina dhe separatistët prorusë bien dakord të firmosin një marrëveshje armëpushimi dhe të krijojnë një zonë të ndërmjetme që u kërkon të gjithë palët të largojnë armatimet e rëndë nga vijat e frontit të konfliktit. Ndërkohë që një vargan me automjete rusë futet në kufirin ukrainas, pa miratimin e qeverisë së Ukrainës. Rusia këmbëngul se kamionët kanë ndihma humanitare, por Kievi është skeptik.
Me ardhjen e dimrit, luftimet ashpërsohen
12 Nëntor 2014: Një komandant i NATO-s thotë se tanke rusë, armë të tjera dhe trupa po futen në Ukrainë, duke shkelur hapur armëpushimin e shtatorit – një pretendim që MOska e mohon. Dhe deri në fund të vitit, OKB bën të ditur se më shumnë se më shumë se 1,7 milionë fëmijë në zonat e konfliktit po përballen me situata ekstreme, që përkeqësohen më shumë dhe prej kushteve të rënda të motit.
Situata përkeqësohet më tej…
https://www.youtube.com/watch?v=miDb4KbGUE0
22 Janar 2015: Aeroporti Ndërkombëtar i Donetskut, i cili ishte rindërtuar përpara Kampionatit Europian të Futbollit 2012 bie në duart e rebelëve pas disa muajsh luftime me forcat qeveritare. Disa ditë më vonë, me spirales së dhunës, Presidenti Poroshenko shpall se do i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë që të hetojë gjithë “krimet kundër njerëzimit” që janë kryer në konflikt.
Dhe Perëndimi përçahet
22 Shkurt 2015: Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Francois Hollande arrijnë të sigurojnë një marrëveshje armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi SHBA deklaron se po mendon të furnizojë Ukrainën me armë. Udhëheqësit europianë janë kundër armatimit të forcave qeveritare të Kievit pasi druhen se do të ndezin edhe më shumë një konflikt i cili tashmë ka shkaktuar më shumë se 5000 të vdekur, përfshirë shumë civilë. Armëpushimi pati një fillim të lëkundur, me betejën për kontrollin e Debaltseves. (Burimi: CNN)
www.bota.al