Bota

Universi etik alternativ i zotit Tramp

Nga Lusi P. Markus

Londër- Nga momenti që Donald Tramp hyri në garën presidenciale amerikane, potenciali për një numër të paparë shkeljesh të etikës, që rrjedhin nga interesat e tij globale të biznesit, ka qenë një bombë e kurdisur, e caktuar për të shpërthyer në 20 janar, 2017. Buum. Shumë demokraci të tjera liberale kanë përjetuar elemente të udhëheqjes autoritare, duke përfshirë nepotizmin, kufizimin e lirisë së fjalës apo të shtypit, politikat haptazi diskriminuese, si dhe shpërdorimin e detyrës publike për përfitime personale.

Por Shtetet e Bashkuara i patën shmangur në përgjithësi këto kurthe, kryesisht falë kufizimit të mandateve dhe një sistemi të besueshëm të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Në skenë hyri Tramp. Me marrjen e një pozicioni të fuqishëm, asnjë lider efektiv – në qeveri, biznes, apo kudo tjetër – nuk dëmton publikisht stafin e ardhshëm; duke reaguar në përgjigje të çdo dhe të gjitha kritikave; nënçmuar figura publike të vlerësuara; apo refuzuar të mësojë mbi çështjet që ai ose ajo do të duhet të adresojë. Trampi i ka bërë të gjitha këto, dhe më shumë se kaq.

Ekipi tranzitor i Trampit kreu vëzhgime në Departamentin amerikan të Energjisë, për të zbuluar emrat e punonjësve që kanë punuar mbi politikën e ndryshimeve klimatike. Ai i ofroi një post kyç në Shtëpinë e Bardhë dhëndrrit të tij, Xhared Kushner. Trump ka refuzuar në vazhdimësi informacionet e shërbimeve inteligente, hodhur poshtë shqetësimet e këtyre të fundit për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e fundit, dhe madje e krahasoi publikimin e informacionit në lidhje me këto shqetësime deri edhe me Gjermaninë Naziste.

Natyrisht, mosbesimi i Tramp ndaj ekspertëve është larg nga të qënit unik në ditët e sotme. Por, të përdorësh hapat e gabuara apo paqartësinë e ekspertëve, për të justifikuar faktet që nuk lidhen drejpërdrejt me çështjet, është diçka e papërgjegjshme. Për presidentin amerikan – një person i ngarkuar me detyrën e shërbimit dhe mbrojtjes së njerëzve në të gjithë botën – është e çiltërisht e rrezikshme.

Rreziku është edhe më akut, kur presidenti është duke përfituar nga skepticizmi mbi faktet, për të manipuluar perceptimet dhe krijuar hapësirë për sjelljen e tij jo etike. Tramp ka deklaruar se do të distancojë veten nga biznesi i tij për të shmangur konfliktet e interesit, duke mos ofruar gjithësesi asnjë plan të besueshëm se do të veprojë realisht kështu.

Ekipi i Tramp ka qenë konsistent në lidhje më shumëçka, përveç këmbënguljes së tij mbi konceptin se të jesh i fuqishëm është i barazvlefshëm me qënit i drejtë. Kur u pyet në lidhje me sjelljen e Tramp, Kelien Konuej, menaxherja e fushatës së Tramp dhe tanimë këshilltare e Shtëpisë së Bardhë, u përgjigj:”Ai është presidenti i zgjedhur, ndaj kjo është një sjellje presidenciale”.

Vetë Tramp i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me retorikën e tij së ashpër gjatë fushatës me një përgjigje të thjeshtë “Fitova” . Republikanët në Kongres nuk duket se janë dakord me këtë qasje demagogjike. Grupi parlamentar i partisë në Dhomën e Përfaqësuesve, vendosi si prioritet krijimin e një komisionit të avarur të etikës, i themeluar në vazhdën e skandaleve të një dekade më parë.

Reagimi ishte i shpejtë, dhe ata u detyruan të tërhiqen. Por ata ende mund të provonin sërish:Tramp e kritikoi këtë levizje, por vetëm kohën e zgjedhur, dhe e quajti “të padrejtë” komitetin e etikës. Sulmi ndaj etikës nuk mbaron këtu. Senatorët republikanë kanë ecur përpara me seancat e konfirmimit të pjesëtarëve të kabinetit të zgjedhur prej Tramp, edhe pse vetingu dhe transperanca financiare nuk kanë hyrë ende në zbatim.

Janë bërë përpjekje për të kundërshtuar – apo të paktën nënvizuar – shkeljet e etikës që Tramp dhe ekipi i tij po grumbullojnë. Uollter Shoub, Drejtor i Zyrës së pavarur të Etikës së Qeverisë, e cila është ngritur pas skandalit të Uotergejtit, ka folur mbi këtë temë. (Shefi i shtabit të Tramp reagoi me një kërcënim të maskuar, duke paralajmëruar drejtorin të “jetë i kujdesshëm”).

“The Ëashington Post” ka krijuar në redaksi një ekip të ri, që synon të mbulojë në mënyrë specifike konfliktet e interesit brenda administratës Tramp, dhe shkeljet e mundshme të Emoluments Clause të Kushtetutës Amerikane, e cila ndalon cilindo që mban poste publike të pranojë para apo dhurata nga zyrtarë të huaj.

Por, tani për tani, Tramp dhe ndihmësit e tij duket se janë të angazhuar të vazhdojnë rrugën e tyre aktuale – një qasje që tashmë është duke e dobësuar autoritetin moral të Amerikës. Ndërsa shumë udhëheqës të botës janë të shqetësuar për sjelljen e Tramp, shumë të tjerë ndoshta janë duke menduar se kanë tashmë një leje të heshtur për të bërë të njëjtën gjë.

Edhe liderët e biznesit, mund të mbërrijnë në përfundimin se mund të shpërfillin lehtësisht rregullat etike. Kjo logjikë, edhe pse e kuptueshme, është me plot me të meta. Tramp nuk do të jetë përgjithmonë president i SHBA-së. Lëvizjet populiste të krahut të djathtë si e tija me gjasë do të shpërbëhen, jo më pak për shkak të faktit liderët e tyre nuk janë të angazhuar ndaj politikave që do të ndihmonin realisht votuesit e tyre.

Përkundrazi, Tramp dhe republikanët në Kongres po lëvizin shpejt për të çmontuar Aktin e Kujdesit të Përballueshëm – politika emblematike shëndetësore e presidentit Barak Obama – duke pretenduar se projektligji i tij ende i papërcaktuar, do të ruajë elementet popullore dhe heqë ato jopopullorë. Në realitet, kjo do të jetë e pamundur.

Ata që përfitojnë nga tymnaja aktuale etike për përfitime personale apo aksionare, do të duhet të përgjigjen për të, kur lavjerrësi politik të rrikthehet të jetë i shëndoshë. Po kështu edhe ata, që ndërsa nuk bëhen vetë pjesë e aferrave korruptive, mbajnë dyert hapur për të tjerët, duke mos mbrojtur standardet etike. Politikanët dhe biznesmenët, tashmë duhet të vendosin nëse do të njihen si oportunistë dhe ndihmës apo udhëheqës të vërtetë, duke respektuar etikën dhe parimet që ata kanë mbështetur publikisht.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i cili u përqëndrua në “udhëheqjen e përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, paraqiti një mundësi të hershme për të hequr një vijë në rërë. Në të ardhmen, ata që mbetën në anën e djathtë të saj, do të jenë të kënaqur me atë që bënë.

Botuar ekskluzivisht nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Trump’s Alternative Ethical Universe

Leave a Reply

Back to top button