BotaMAIN

Uri, evakuime, ndihma të paarritshme: Kështu Izraeli përgatit pushtimin e Gazës

“Këto janë zona lufte dhe rikthimi atje vë në rrezik sigurinë tuaj.”

Me këto fjalë, dje ushtria izraelite dha një urdhër të ri evakuimi në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Një tjetër, që zgjeron më tej zonën e kuqe. Dy ditë më parë kishte bërë të njëjtën gjë, përsëri në jug, në Khan Younis. Kështu, ndërsa ushtria vazhdon të quajë “zonë lufte” zona të tëra, dhjetëra mijëra njerëz detyrohen të braktisin vendin ku ndodhen dhe të marshojnë drejt të panjohurës.

Që nga fillimi i vitit, Izraeli ka lëshuar 40 urdhra të rinj evakuimi në Rripin e Gazës, që u shtohen qindra të tjerëve të dhëna që prej fillimit të ofensivës ushtarake në fund të vitit 2023 dhe që kanë detyruar në mënyrë të përsëritur një pjesë të madhe të popullsisë të largohet. Ushtria pretendon se këto urdhra shërbejnë për të lejuar civilët të largohen nga zonat e luftimeve dhe se kush qëndron aty, konsiderohet luftëtar.

Por organizatat humanitare denoncojnë se Izraeli i përdor këto urdhra evakuimi dhe urinë si armë për të dëbuar palestinezët nga Gaza. Jo lëvizje të përkohshme, por një plan më i gjerë për ta bërë Rripin e Gazës të pabanuar. Në një raport të ri të Euro-Med Monitor, që merret me përdorimin e urisë si armë, thuhet: “Secili nga këta urdhra — i kemi analizuar të gjitha — është dhënë pa asnjë nevojë ushtarake.” Kjo tregon se Izraeli nuk përpiqet më t’i justifikojë veprimet e tij para bashkësisë ndërkombëtare dhe se vetë shpërngulja është bërë një qëllim i shpallur, pjesë e një politike të qëllimshme të çrrënjosjes sistematike.

Në 45 ditët e para pas prishjes së armëpushimit në mes të marsit, ushtria izraelite ka ndryshuar hartën e saj të zonave tampon, pra të “zonave neutrale”, duke e përkufizuar si të papërdorshëm afërsisht 70% të territorit të Gazës, sot të quajtura zona lufte, dhe duke e shtyrë popullsinë në hapësira gjithnjë e më të ngushta dhe të pabanueshme. Kjo hartë e “zonave të ndaluara” bën që kushdo që afrohet rrezikon të goditet. Ndërkohë që zgjerimi i këtyre zonave tampon  ka izoluar qindra mijëra njerëz nga ndihmat.

Yaakov Garb, profesor në Universitetin Ben-Gurion, ka analizuar hartat e publikuara nga ushtria, që tregojnë ndryshimet territoriale në Gaza gjatë një viti e gjysmë lufte. “Izraeli fillimisht e quajti këtë ‘zonë tampon’ dhe e justifikoi si nevojë për mbrojtje. Por në fakt është një brez një kilometër i gjerë që ndan çdo kontakt me Izraelin. Tani, çfarë po ndodh? Nuk është më një zonë tampon. Është një instrument për pastrim dhe kufizim. Po bllokojnë gradualisht dhe kufizojnë popullsinë palestineze në tre blloqe të mëdha: zona veriore, zona qendrore dhe ajo e Rafahut, që dikur ishte zonë humanitare, tani pothuajse e pamundur për t’u kaluar. Po krijohet një hendek. Është një model etnik i zbrazjes së territorit, nën kontroll ushtarak total. Ai që po ndodh është një shkatërrim urban sistematik. Nuk bëhet më fjalë për një instrument mbrojtjeje, por për një inxhinieri gjeo-demografike.”

Në shtëpinë e tij në Haifa, ai tregon kompjuterin me hartat që ka ndërtuar për raportet dhe studimet e tij më të fundit, që lidhin këto zhvendosje me objektiva strategjike afatgjata.

Urdhrat e evakuimit dhe krijimi i një “zone humanitare” janë tashmë të lidhura ngushtë me menaxhimin e ndihmave humanitare. Në raportin e fundit “The Israeli/American/Ghf ‘aid distribution’ compounds in Gaza”, që përfshin analizën e vendndodhjes, kontekstit dhe strukturës së brendshme të qendrave të shpërndarjes së ndihmave, thuhet se planifikimi i këtyre zonave nuk udhëhiqet nga synime humanitare, por është një përgjigje ndaj strategjive dhe taktikave ushtarake të Izraelit.

Pozicionimi i katër qendrave kryesore është vendosur në mënyrë të tillë që të kontrollojë dhe kufizojë popullsinë e Gazës. Për shembull, një qendër ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, nën Korridorin Netzarim, dhe tjetra në jugperëndim të Rafahut. Këto janë zona me qasje të kufizuar, që nuk marrin parasysh nevojat e popullsisë. Ato janë të rrethuara me gardhe, kulla vrojtimi, dhe të projektuara për të mbajtur njerëzit nën kontroll të rreptë ushtarak. Siç thotë profesori Garb: “Nuk është një hapësirë për shpërndarje, por një zonë që do të ushtrojë forcë e frikë ndaj njerëzve të uritur.”

Sipas raportit, shpërndarja e ndihmave është kthyer nga një model humanitar në një model ushtarak të kontrollit dhe ndëshkimit. Ka pasur masakra të shumta në këto zona të ashtuquajtura “humanitare”: të hënën e kaluar u vranë të paktën 30 persona teksa tentonin të merrnin ushqim; të martën, sipas mjekëve të spitalit Nasser, u vranë mbi 50 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

“Po flasim për njerëz të uritur, të frikësuar,” – thotë profesori Garb. “Mjafton të ndodhë diçka e papritur dhe gjithçka kthehet në panik. Ushtarët janë trajnuar për të qëlluar, jo për të ndihmuar.” Për më tepër, pamjet e fundit tregojnë se zonat janë rrethuar me gardhe sikur të ishin stalla për kafshë: “Vendos ushqimin, largo personelin, dhe kafshët do të hyjnë vetë, të ndjekura nga snajperët.”

Nuk është thjesht dështim logjistik, por një strategji e planifikuar për të përdorur urinë si armë, përmes krijimit të infrastrukturave që ndajnë, izolojnë dhe kontrollojnë lëvizjen e civilëve palestinezë. Sistemi humanitar është kthyer në instrument gjeo-demografik për zhvendosje të detyruar. Raporti i gazetës Haaretz vlerëson se më shumë se 2 milionë banorë të Gazës janë shtyrë të grumbullohen në një zonë që përfaqëson vetëm 30% të territorit. Në lagjen e shkatërruar Shuja’iyya, ka më shumë se 15.000 njerëz të strehuar në kushte çnjerëzore.

Dhua Hassan, nga kampi Shejaia në Gaza, dëshmon: “Ose duhet të zgjedhim të vdesim nga uria, ose nga bombat.” Ndërkohë, nuk ndihen më as zërat e fëmijëve. Dëgjohet vetëm zhurma e vazhdueshme e dronë-ve. / La Stampa – Bota.al

Back to top button