Bota

Valle shpatash dhe vringëllima jataganësh

Vizionit të paqes do t’i nevojitej një fjalim tjetër. Fjalimi i Donald Trump në Riad varrosi politikën e Obamës për Iranin dhe ushqen tensionet në rajon

Matthias von Hein

Kontrasti nuk mund të ishte më i madh: në Arabinë Saudite Donald Trumpi kërcen vallen e shpatës, një valle lufte, sikurse ia tregonte mbreti Salman. Ndërsa në Iran njerëzit kërcejnë nëpër rrugë duke brohoritur për fitoren e madhe të reformatorit të moderuar, Hasan Rohani në zgjedhjet presidenciale – dhe rënien e përkrahësit të linjës së ashpër Ebrahim Raeissi.

Pavarësisht, ose për shkak të valles së luftës: gëzimi dhe humori festiv mbizotërojnë edhe në monarkinë e naftës. Sepse Donald Trumpi nisi me fjalimin e tij të së dielës një kthesë në politikën amerikane ndaj botës arabe në përgjithësi dhe Arabisë Saudite në veçanti. Në këtë mënyrë i jepet fund jo vetëm qëndrimit kritik të administratës së Obamës ndaj Riadit, por në të njëjtën kohë kundërshtari gjeostrategjik i tij Irani, shpallet si e keqja kryesore në rajon, sikurse edhe gjatë presidencës së George W. Bush. Dhe meqë vetëm izolimi i Iranit mund të mos jetë i mjaftueshëm, Trumpi kishte në valixhen e tij edhe marrëveshjet për shitje armësh me vlerë 110 miliardë dollarë për Arabinë Saudite- një biznes me përmasa historike.

Vizionit të paqes do t’i nevojitej një fjalim tjetër

Ironia e hidhur është se pikërisht në vendlindjen e atentatorëve të 11 shtatorit të vitit 2001 Trumpi kërcënoi vetëm Iranin si mbështetës të terrorizmit. Ai nuk përmendi se mikpritësit e tij nga Arabia Saudite kanë mbështetur masivisht IS-in dhe xhihadistët e tjerë me para dhe armë, siç ka deklaruar hapur edhe ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden në vjeshtën e vitit 2014 përpara studentëve të Universitetit të Harvardit.

Trumpi u shpreh në fjalimin e tij për një “vizion të paqes, të sigurisë dhe të mirëqenies në rajon.” Në qoftë se ai do të kishte një të tillë – fjalimi i tij duhej të ishte ndryshe! Nisur prej konkurrencës gjeostrategjike mes Iranit dhe Arabisë Saudite nuk u dëgjua asnjë fjalë ndërmjetësimi apo balancimi. Në vend të tyre presidenti i SHBA-së mbështetet tek konfrontimi.

Edhe pse ai i kushtoi pothuajse një të dhjetën e fjalës së tij Iranit – presidenti i SHBA-së nuk i përmendi zgjedhjet në Teheran as edhe një herë të vetme. Sigurisht, Rohani është njeri i sistemit. Por ai realisht është megjithë dobësitë e tij dhe ato të sistemit shpresa më e mirë e vendit për hapje dhe më tepër të drejta për qytetarët. Ai ka nevojë për mbështetje në përpjekjet e tij për t’i prapësuar ekstremistët dhe aparatin e sigurisë.

Në vend të kësaj Trumpi nxiti edhe më tej frikën e tepruar të sauditëve prej ndikimit iranian në rajon. Ai miratoi në mënyrë të qartë luftën vrastare të shteteve të Gjirit Persik në Jemen si pjesë të “luftës kundër terrorit”. Nëse Trumpi do ta kishte seriozisht me dëshirën e tij që “djemtë dhe vajzat muslimane të mund të rriten pa frikë, të sigurt nga dhuna dhe urrejtja,” ai duhet t’i pengonte në këtë pikë mikpritësit e tij.

Rol ndërmjetësues për Evropën

Tani e kanë radhën evropianët: ata duhet ta refuzojë vallen e shpatës. Ata duhet të mbajnë të hapura kanalet e komunikimit dhe ato të ekonomisë me Teheranin dhe t’i zgjerojnë ato megjithë thirrjet për izolimin e Iranit. Dhe ata duhet të përpiqen që të ngjallin një dialog rajonal për krijimin e një arkitekture të re sigurie, e cila u shërben dhe merr në konsideratë interesat e të gjitha vendeve të rajonit. Urimi që i dërgoi e Ngarkuara e BE-së për Punët e Jashtme Mogherini, Rohanit për rizgjedhjen e tij është një fillim i mirë. / Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button