Analiza

Varshava dhe Budapesti bllokojnë planin e rimëkëmbjes së Bashkimit Evropian

Nga Pierre Haski

Në rast se do t’iu thosha që fondet evropiane duhet t’u shpërndahen vetëm vendeve që e respektojnë shtetin e ligjit, sigurisht që do t’iu dukej si një arsyetim i arsyeshëm. Nga ana tjetër, pse të financohen qeveritë që injorojnë apo madje sulmojnë liritë, që si rregull duhet të jenë në zemër të projektit evropian?

E megjithatë, rreth këtij koncepti, siç ishte shumë e parashikueshme, shpërtheu më 16 nëntor një krizë kur 2 vende të Bashkimit Evropian, Polonia dhe Hungaria, vendosën të bllokojnë miratimin përfundimtar të planit të famshëm evropian të rimëkëmbjes me vlerë

750 miliardë euro, si dhe në buxhetin evropian për vitet e ardhshme.

Gjatë një takimi të organizuar në Bruksel, Varshava dhe Budapesti vendosën veton ndaj lidhjes së financimit nga Brukseli të një vendi anëtar me respektimin e shtetit të së drejtës, një klauzolë që kishte të bënte drejtpërdrejt me dy vendet lindore, kundër së cilave po zhvillohen procedurat për shkeljen e rregullave të komunitetit evropian.

Me siguri që pasoja e parë, do të jetë një vonesë në hyrjen në fuqi të planit të rimëkëmbjes, i planifikuar për më 1 janar 2021. E dyta do të jetë vendosja publike e të gjithëve përpara përgjegjësive të tyre.

Bashkimi Evropian e sheh veten në një situatë, që themeluesit e tij nuk e kishin parashikuar:si të merremi me vendet që përjetojnë një regres demokratik? Pavarësisht nëse është pavarësia e gjyqësorit, liria e shtypit apo respektimi i të drejtave themelore, Polonia dhe Hungaria, po shkelin rregullat e përbashkëta, dhe procedurat e

filluara kundër tyre nuk janë në lartësinë e sfidës që ato kanë lëshuar ndaj BE-së.

Ideja e kufizimit të ndihmës u propozua për t’i dhënë fund kësaj situate absurde, në të cilën një qeveri nuk respekton më rregullat e zakonshme, por vazhdon të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian.

Hungaria dhe Polonia denoncojnë “një skllavërim politik institucional, dhe një kufizim radikal të sovranitetit” ndaj tyre, për të përdorur fjalët e ministrit polak të drejtësisë. Përgjigja erdhi nga Manfred Veber, udhëheqësi i grupimit kryesor politik brenda Parlamentit Evropian:”Nëse po respektoni shtetin e së drejtës, nuk keni pse të keni frikë!”.

Ekzistojnë dy mënyra për të dalë nga kjo krizë, të cilat 25 vendet e tjera nuk duan që t’i marrin në konsideratë:dorëzimi përballë kërcënimit të Varshavës dhe Budapestit, duke e tërhequr klauzolën për kushtin e financimit, apo duke anashkaluar këtë pengesë përmes një plani të ri jashtë BE-së, një ide që konsiderohet si tepër komplekse.

Në lojë mbetet diplomacia e mençur evropiane. Pas disa ditësh, një ministër hungarez do të shkojë në Paris, dhe padyshim që Komisioni Evropian do të përgatisë një tekst që shpjegon parimet dhe rregullat e kësaj klauzole, për të shmangur çdo lloj arbitrariteti politik.

A do të mjaftojë kjo? Në Paris shpresojnë që po, duke nënvizuar se kryeministri hungarez tashmë e ka arritur qëllimin e tij për ta paraqitur veten si Armiku nr.1 i Brukselit, dhe duke rikujtuar se Budapesti ka nevojë jetike për fonde evropiane.

Do të shohim si do të shkojnë gjërat. Por mbetet pyetja themelore:si mund të sillet një aleancë e ndërtuar mbi vlera dhe rregulla të përbashkëta, përballë shkeljes flagrante të këtyre vlerave dhe rregullave? Herët a vonë, ky problem do të duhet të zgjidhet. / “Internazionale” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button