Letersi

“Vrasje në Orient Express”. Ja çfarë e frymëzoi Agata Kristin

E lindur më 15 shtator 1890, Agata Kristi kishte 14 vjet që kishte nisur karrierën e saj të suksesshme si shkrimtare librash me detektivë kur botoi “Vrasje në Orient Express”. Libri ishte botuar më herët në Amerikë në të famshmen Saturday Evening Post, dhe shpejt u bë një bestseller.

Që në fillim, publiku supozoi saktësisht se historia e librit, ku një biznesmen i neveritshëm Samuel Ratchett vritet në një tren, u frymëzua nga rasti i rrëmbimit të Lindbergh në vitin 1932. Në roman Ratchett, që kurrë nuk akuzohet për krimin, “nëshkohet” nga ata persona, jetët e të cilëve ishin më të dëmtuara nga rrëmbimi i një fëmije, por vrasësit zbulohen nga detektivi i dashur belg i Kristit, Herkul Puaro, pasi treni ndalet në shina në Kroaci, prej një stuhie dëbore. (Në fakt, një gjerman me emrin Bruno Hauptmann u arrestua, u gjykua dhe u ekzekutua për rrëmbimin dhe vrasjen e djalit 20-muajsh të Çarls dhe Anne Lindbergh.)

Ajo që është më pak e njohur është se Kristi, duke udhëtuar vetëm, kishte ngecur një herë në Orient Express teksa ky ishte vonuar për 24 orë prej shirave të rrëmbyeshëm. Në një letër për burrin e saj të dytë, arkeologun Max Mallouan, ajo përshkruante vonesën, si dhe rregullimin e kabinës, dorezat e dyerve dhe ndriçuesit, të gjitha gjëra që përfunduan në libër.

Nuk ishte hera e parë që përdorte Orient Expressin, trenin e pasagjerëve për distanca të gjata. Ai e kishte magjepsur gjithmonë, dhe në autobiografinë e saj Kristi ka shkruajtur: “Gjithë jetën kisha dashur të udhëtoja me Orient Expressin. Kur udhëtoja në Francë, apo Spanjë, apo Itali, e kisha parë shpesh në stacion, dhe kisha dashur ngahera të hipja në të”.

Besohet se Kristi e shkroi Orient Expressin ndërkohë që i shoqi ndodhej për gërmime arkeologjike në Irak. Ajo ia dedikoi atë M.E.L.K, inicialet e Max Edgar Lucien Mallouan. Libri konsiderohet arritja e saj më e madhe. Në të shfaqet dhe shprehja e famshme e Puarosë: “E pamundura nuk mund të ketë ndodhur, kështu që e pamundura duhet të jetë e mundur, pavarësisht dukjes”.

Vetëm Bibla dhe veprat e Shekspirit janë shitur më shumë se librat e Agata Kristit. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button