Çdo ditë, 1 në 6 njerëz në planet përjeton dhimbje koke. Për gjysmën e tyre, dhimbjet janë aq të forta, sa që mund të konsiderohen si simptomë e sëmundjes kronike të migrenës. Dhimbjet e kokës mund të jenë të dhimbshme dhe paaftësuese. Disa njerëz përjetojnë dhimbje koke për shkak të stresit.
Por ato shkaktohen edhe nga përdorimi i tepërt i ilaçeve, siç janë për shembull qetësuesit. Një ekip studiuesish, ka kryer së fundmi një rishikim në shkallë të gjerë të disa qindra studimeve të mëparshme mbi dhimbjes së kokës. “Dhimbjet e kokës janë një çrregullim real dhe shumëi shpeshtë. Ato janë të përhapura kudo në botë, edhe pse mund të ketë dallime”- thotë Lars Jakob Stovner, profesor në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë.
Stovner dhe kolegët e tij identifikuan 357 artikuj studimorë të botuar midis viteve 1961–2020.Ato mbulonin vende dhe periudha të ndryshme kohore dhe ndryshonin në qasjet e tyre analitike. Megjithatë, ekipi hulumtues ishte në gjendje të analizonte të dhënat për të eksploruar prevalencën e çrregullimeve të dhimbjes së kokës në mbarë botën.
Rezultatet e publikuara në “The Journal of Headache and Pain”, tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë së botës ka një çrregullim aktiv të dhimbjes së kokës. Analizat e mëtejshme zbuluan se pak më pak se 16 për qind e njerëzve në mbarë botën kishin dhimbje koke në një moment të caktuar të ditës.
Ndërsa shumë nga studimet nuk raportuan lloje specifike të dhimbjes së kokës, ato sugjeruan se afro 7 për qind e popullsisë globale përjeton çdo ditë dhimbje migrenike, dhe gati 9 për qind përjetojnë dhimbje koke për shkak të luhatjes së tensionit.
Rishikimi i këtyre studimeve zbuloi se shpeshtësia e dhimbjeve të kokës ndryshonte sipas gjinisë. 17 për qind e grave vuajnë nga migrena në një vit të caktuar, krahasuar me 8.6 përqind të burrave. Dhimbja e kokës për 15 ose më shumë ditë në muaj, ishte shumë më e zakonshme tek gratë.
Stovner thotë se gjetjet e përgjithshme, janë në përputhje me vlerësimet e mëparshme të shpeshtësisë së dhimbjeve të kokës, duke përfshirë Studimin e Barrës Globale të Sëmundjeve. Stovner dhe kolegët e tij kishin zbuluar më herët, se migrena është shkaku kryesor i paaftësisë për njerëzit nën moshën 50 vjeç.
“Shumë dhimbje të tjera trupore shtohen ndërsa i afrohemi moshës së pensionit. Migrena dhe dhimbja e kokës, janë më të përhapurat në vitet më aktive të jetës sonë”- thotë Stovner, qëpunon gjithashtu edhe me Fushatën Globale kundër Dhimbjes së Kokës.
Ai shton se dhimbjet e kokës mund të kenë shkaqe të shumta, nga gjenetika e një individi tekstresi, problemet me gjumit dhe përdorimi i tepërt i ilaçeve. Stovner thekson se ekzistojnë shumë opsione për parandalimin e çrregullimeve të dhimbjes së kokës apo trajtimin e tyre kur shfaqen.
“Shqetësimet që vijnë nga dhimbja së kokës, duhet të merren seriozisht nga mjekët. Ne duhet ta informojmë publikun, vendimmarrësit dhe shërbimet shëndetësore për këtë problem të madh të shëndetit publik. Dhe duhet të ndërtojnë një sistem të mirë, që t’u garantojë qasje atyre që vuajnë nga këto sëmundje, një trajtim të mirë, si dhe njohuri që t’u japin mundësinëtë reduktojnë sa më shumë ndikimin negativ”– thotë ai.