Bota

Vullkani ishte aktiv. Pritej vetëm të shpërthente

Gjermanët e dinin që furtuna po mbërrinte, fuqizuan masat mbrojtëse, futën në burg të dyshuar, shtuan kontrollet. Por ka gjithmonë një gropë që terroristët munden ta shfrytëzojnë, sidomos nëse përdorin një automjet. Një automjet të ngjashëm me dhjetëra të tjerë, të cilët mbushin rrugët e Berlinit në javën përpara Krishtlindjeve.

Vetëm pak ditë më parë në Ludvigshafen, agjentët bllokuan një djalosh vetëm 12-vjeçar. ISIS e kishte udhëzuar që të kryente një sulm kundër një tregu krishtlindjesh, duke përdorur bomba artizanale të mbushura me gozhdë. Një vogëlush militant, i ngjashëm me të tjerë që janë neutralizuar në Francë dhe Gjermani, sinjal i dyfishtë ky i një tendence: 1) përdorim i minorenëve me shpresën që nuk ngjallin dyshime; 2) aksion i drejtuar përsëlargu nga një terrorist në Lindjen e Mesme.

Një mënyrë veprimi e ndryshuar, pas sulmeve gjatë verës mbi një tren dhe në një koncert, aksione të kryer nga ish refugjatë, zbatues të një ofensive që ka vënë në shënjestër vendin europian. Ekspertë dhe agjentë ishin të vetëdijshëm për rrezikun, një vlerësim pesimist i bazuar në vëzhgimin e fakteve. Ngjarje konkrete.

Nga territori gjerman janë nisur aro 820 vullnetarë, për në Siri dhe Irak. Rreth tridhjetë kanë vdekur, 270 janë rikthyer. Shumë prej tyre kanë mbetur të qetë, të tjerë kanë rifilluar aktivitetin, duke u përpjekur që të rekrutojnë, jo vetëm mes atyre që besojnë në Kalifatin, por edhe në mjediset salafite, ku ka njerëz pa ndonjë farë përkatësie. Nuk përjashtohet as që disa prej tyre, të gatshëm që të nisen për në Lindjen e Mesme, kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi, duke mirëpritur ftesën e ideologëve që të luftojnë në Europë. Një lëvizje e përcaktuar edhe prej nevojës për të shmangur masat e forta të sigurisë, që ka vendosur Bashkimi Europian dhe Turqia. Në fakt, burime zyrtare kanë vërtetuar një reduktim të pelegrinazheve të xhihadit. Por kjo nuk i ka zvogëluar rreziqet, edhe sepse jo pak muxhahedinë kanë ardhur duke shfrytëzuar eksodin e refugjatëve. Një masë nganjëherë konfuze, e vështirë të mbahet nën survejim, po të kesh parasysh dimensionet. E megjithatë, diçka në sitë ka mbetur.

Analistët kanë gjetur ndoshta elementë interesantë, mbi lidhjet mes hierarkive ekstremistë të fshehura në Raqqa, Mosul apo strehime të tjerë, dhe elementëve në Perëndim. Gjermanët kanë shpërbërë një celulë rekrutuesish të udhëhequr nga një raken i rëndësishëm, Abu Ualaa, më tej kanë zbuluar një urith në brendësi të shërbimit të fshehtë, një agjent me një të kaluar aktori pornografie, që më pas ishte konvertuar në islamin radikal. Të gjithë sinjale të një vullkani në aktivitet, i gatshëm që të shpërthejë.

Në nëntor, Rumiyah, Roma, revista online e Shtetit Islamik, ka treguar me detaje se si mund të përsëritet masakra e 14 korrikut në Nicë. Sugjerimi shoqërohej nga një skedë prej disa faqesh, me shumë hollësi, mbi modelin ideal të kamionit, taktikat për të shmangur pengesat, rikonjicionet e nevojshme, mënyrat për ta bërë automjetin sa më vdekjeprurës përmes disa modifikimeve shtesë, shënjestrat e mundshme, duke përmendur sidomos aktivitetet masive në zonat urbane perëndimore etj. Po të ishte e mundur, atentatori duhej të kishte një armë të dytë, një pistoletë apo një thikë që ta përdorte pasi automjeti të ndalej. Dalja ishte menduar për Festën e Falënderimeve, por është e qartë se taktika nuk ka limite gjeografike dhe kohore. Autori, duke hequr gjithë dyshimet, ka theksuar se nuk kishte objeksione mbi objektivat, duke shtuar se nuk ka asnjë dallim mes “të ashtuquajturve civilë” dhe ushtarakëve.

Mesazhi i revistës nuk kaloi pa u vënë re. Një simpatizant somalez në Ohio përdori këtë metodë, por për fat me pasoja të kufizuara. Departamenti i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Europë gjatë pushimeve të Krishtlindjeve: kujdes në tregje dhe në manifestimet në sheshe të hapur. Goditja, në fund, erdhi në Berlin. / Guido Olimpio/Corriere della Sera – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button